“Forumi i Prespës”: Autoritet të mos kritikojnë mediat dhe sektorin civil

“Sinqerisht më vjen keq që Këshilli i BE-së nuk miratoi vendim për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për shkak të qëndrimit të një shteti. Çështjet bilaterale, si ajo aktuale me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë nuk duhet të jetë pengesë për procesin integrues”, tha ministri gjerman shtetëror i Evropës, Michael Roth, në video-paraqitjen në njërin nga panelet e konferencës në “Forumin e Prespës”, e cila sot filloi në Ohër, transmeton Portalb.mk.

Roth foli në panelin dedikuar shoqërisë civile dhe mediave, tha se pa shoqëri civile energjike, nuk mund të ketë demokraci funksionale dhe potencoi se aktivizmi i sektorit civil ka rol shumë të madh në ballafaqimin me mbetjet e të kaluarës.

Ai tha se, Maqedonia e Veriut ka investuar shumë përpjekje për krijimin e shoqërisë multietnike 20 vite pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ndërsa për mbajtjen e këtyre vlerave nevojiten media të lira dhe të pavarura, sepse raportimi i paanshëm është mënyra më e mirë për luftë kundër dezinformatave të brendshme dhe të jashtme.

Edhe profesori universitar dhe njohës i rrethanave në Ballkanin Perëndimor, Florian Bieber, tha se BE nuk e ka përmbushur premtimin e saj ndaj vendeve të rajon.

“Kërkohet implementimi i ligjeve dhe politikës së synimeve dhe përkushtimeve dhe mundemi të shohim se te disa vende ka synime dhe përkushtim, por vendet anëtare duhet më qartë t’u theksohet vendeve të rajonit problemet për të cilat duhet të punojnë”, tha Bieber.

Ai u dërgoi porosi autoriteteve të vendit aspirantë se nuk duhet ta sulmojnë sektorin civil dhe mediat.

“Vendi i cili dëshiron të bëhet anëtare dhe i përmbush kërkesat juridike, por ka raport kritik ndaj mediave dhe sektorit civil, atë nuk mund ta bëj”, porositi Bieber.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq vlerëson se, me Marrëveshjen e Prespës, shoqëria civile edhe në Maqedoninë e Veriut edhe në Greqi ka luajtur rol të rëndësishëm në arritjen e saj, me atë që i ka ndërtuar urat, që ua kanë pamundësuar politikanëve të dominojnë me agjendën. Por për rastin aktual me Bullgarinë, tha se ka dominim të tërësishëm të politikanëve.

Sa i përket rolit të mediave, ai foli për lajme të rrejshme dhe dezinformatave, duke thënë se stereotipet prej të cilave del gjuha e urrejtjes në lidhje me çështjet rajonale etnocentrike janë të qëlluara për plasim të lajmeve të rrejshme përmes mediave elektronike.

“Roli i mediave është e rëndësisë së jashtëzakonshme në thyerjen e stereotipeve dhe ata duhet të jenë një lloj mbrojtje kundër gjuhës së urrejtjes, ushqimit të stereotipeve dhe përhapjes së lajmeve të rrejshme, për çka nevojiten media të lira”, tha Mariçiq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button