Qeveria e ka tërhequr nga Kuvendi propozim-ligjin për libra digjital, MASH: Pas konsultimeve do ta ridërgojmë sërish

Ministria e Arsimit dhe Shkencës konfirmoi se Qeveria e Maqedonisë së veriut e ka tërhequr propozim-ligji për Libra dhe Materiale tjera Didaktike për Shkolla Fillore dhe të Mesme, i cili parashikonte digjitalizimin e librave për nxënësit nga klasa e katërt, njofton Portalb.mk.

“Informojmë se propozim-ligji për Libra dhe Materiale tjera Didaktike për Shkolla Fillore dhe të Mesme do të jetë sërish i qasshëm për diskutim dhe për përfshirje të atyre individëve, grupeve dhe shoqatave të qytetarëve të cilët nuk kanë arritur që deri më tani të deklarohen dhe ta japin propozimin e tyre ose sugjerimin për miratimin e versionit më të mirë në interes të procesit më të kualitativ edukativo –  arsimor, pas së cilës teksti përfundimtar i ligjit, i cili do të krijohet pas shterjes së të gjitha përfitimeve nga debati publik, do të dorëzohet në Kuvend”, thonë për Portalb.mk nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

MASH informon se vazhdon me zbatimin e planit për reforma të arsimit fillor, sipas të cilit, të rejat e parashikuara do të zhvillohen në etapa me fillimin e vitit të ri shkollor, në klasën e parë dhe të katërt.

“Mësimi do të zbatohet në pajtueshmëri me Konceptin e ri dhe me materialet e reja për mësim, të cilat do t’i përmirësojnë rezultatet në lidhje me njohuritë e nxënësve. Ashtu siç opinioni është i njoftuar, programet e reja mësimore për klasë të parë dhe të katërt tanimë janë miratuar dhe janë të qasshme për opinionin, me çka të gjitha dezinformatat dhe spekulimet lidhur me përmbajtjen e tyre, a të krijuara nga qendra të caktuara, shpesh nga fusha e politikës, janë demantuar plotësisht, njëjtë sikur edhe lajmet e rrejshme lidhur me Konceptin. Në ndërkohë, në bazë të programeve të reja mësimore po punohen edhe materiale të reja për mësim, gjatë së cilës ato për klasë të parë do të jenë të gatshme deri në fund të korrikut pas së cilës do të vijojë shpërndarja nëpër shkolla derisa për klasat e katërta do të jenë të gatshme në gjysmën e gushtit dhe do të marrin dhe version digjital. Në procedurën e furnizimit të 10 mijë tabletë kompjuterë, a po furnizohen kabinete për shkenca natyrore për 265 shkolla, të cilat janë klasat më të larta, por është me rëndësi që të jenë të përgatitur për procesin reformues i cili do të zbatohet në 5-6 vitet e ardhshme”, shtojnë nga MASH.

Iniciativa “Libra dhe mësim patjetër duhet të ketë”, tërheqjen e propozim-ligjit e ka përjetuar si fitore.

“Sot kemi treguar dhe dëshmuar se si qytetarë mund të marrim pjesë në vendosjen për gjëra të rëndësishme për ne, për fëmijët tanë dhe për të ardhmen tonë të përbashkët. Sot ne kemi dëshmuar se ne dimë, mundemi dhe guxojmë si qytetarë të zakonshëm të veprojmë dhe t’i mbrojmë të drejtat tona dhe të drejtat e fëmijëve tanë. Sot ne kemi dëshmuar se mund të marrim pjesë nga afër dhe larg në punën e Kuvendit dhe Qeverisë së Maqedonisë. Sot festojmë, nesër vazhdojmë”, kanë shkruar nga iniciativa..

Ndaj tërheqjes së propozim-ligjit ka reaguar edhe partia opozitare VMRO-DPMNE.

“Sot, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me tërheqjen e propozim–ligjit për tekstet shkollore dhe materiale të tjera mësimore dhe didaktike në arsimin fillor dhe të mesëm, konfirmoi pretendimet tona se ajo që ofroi Milla Carovska nuk është digjitalizimi, por vetëm libra digjital në mënyrë që nuk ka asnjë shembull tjetër në botën e civilizuar. Në kushtet e pandemisë, ata u përpoqën me ngulm ta shtynin Konceptin me forcë, dhe reformat qeveritare përpiqen t’i zbatojnë ato me forcë mbi mësuesit e papërgatitur. Të ndryshosh konceptin e të mësuarit në një mënyrë kaq radikale duke i hedhur librat e letrës dhe në një mënyrë kaq perfide, nxënësit të mos kenë libra të letrës, paraqiste marrëzi që padyshim duhej të mbaronte në këtë mënyrë. Iniciativa qytetare “ Libra dhe mësimit patjetër duhet të ketë” e tregoi frymën e plotë të lirive qytetare dhe të drejtave, kjo është fitore e arsyes dhe të së vërtetës!”, ka shkruar Ivana Vasilevska nga VMRO-DPMNE.

Përndryshe, digjitalizimi i librave shkollorë ka ngritur polemika të ndryshme. Në Facebook është hapur një grup me emrin “Libra dhe mësim patjetër të ketë” i cili ka afër 80.000 anëtarë të cilët janë kundër këtij propozim ligji. nëpërmjet këtij grupi u organizua edhe bojkoti i mësimit. Partia në pushtet, LSDM ka akuzuar se opozitarja VMRO-DPMNE, qëndron mbrapa bojkotit të mësimit, i cili është organizuar nga një grup i prindërve. Sipas tyre, krijues i grupit në FB është Dragana Spasevska, dhe ajo është anëtare e VMRO-së. Spasevska, të cilës i nxorën fotografi ku ajo kishte marrë pjesë në mitingjet e opozitës, nëpërmjet Fejsbukut tha se ka dhënë dorëheqje nga partia, madje tha se derisa ka qenë në parti “kam humbur kohë të shtrenjtë” dhe e quajti diskriminim.

Propozim-ligji që u tërhoq

Kërkesat e iniciativës

  • Librat e shtypur të mbeten në përdorim për të gjitha klasat në shkollën fillore dhe të mesme
  • Të shfuqizohet arsimimi gjithëpërfshirës gjinor sensitiv për nxënësit e shkollave fillore
  • Etika e religjioneve të mbetet lëndë zgjedhore
  • Të mos bashkohen dy ose më shumë lëndë në një,
  • Të argumentohet shkurtimi i fondit të orëve për disa lëndë
  • Të krijohen kushte përkatëse për gjithëpërfshirje të fëmijëve me pengesa
  • Të krijohen protokolle për mësim me prani fizike në kushte të pandemisë
  • Përfaqësuesit tanë dhe të sektorit civil të marrin pjesë në grupin punuese për ndryshimin e ligjit

Prindërit që kërkojnë tërheqjen e Ligjit për tekstet shkollore, paraprakisht në Kuvend paraqitën iniciativë për referendum, nga ku prisnin dritë jeshile për fillim të mbledhjes së 10 mijë nënshkrimeve për zhvillimin e një referendumi në nivelin shtetëror.

Komisioni parlamentar për sistem politik hodhi poshtë si parregullt iniciativën qytetare për mbledhjen e nënshkrimeve për referendum kundër futjes së librave shkollorë digjital. Sipas shpjegimit, kërkesa e paraqitur nga grupi “Libra dhe mësim duhet të jetë” nuk ishte në përputhje me Ligjin për referendum, gjegjësisht 500 nënshkrimet e paraqitura nuk ishin mbledhur para institucioneve kompetente.

Ndërkohë disa mendojnë se digjitalizimi do t’i bëjë më të varur fëmijët ndaj pajisjeve teknologjike. Megjithatë Ministria e Arsimit vlerëson se nuk është një trend, por një nevojë reale e nxënësve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button