Palmer i shqetësuar për nivelin e korrupsionit në rajon: Kur liderët politik vjedhin qytetarët e tyre, përhapet pabarazia  dhe bie besimi te qeveria

Zëvendëskndihmës Sekretar në Byronë për Punë Evropiane dhe Euro-Aziatike në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve, Metju Palmer, ka deklaruar sot se vendeve të rajonit i mbetet shumë punë për të bërë, për realizim të plotë të potencialit të jashtëzakonshëm të rajonit. Palmer, i cili po merr pjesë në “Prespa Forum Dialog” në Ohër, tha se liderët e rajonit duhet të ndërmarrin më shumë se detyrime publike për rritje ekonomike dhe bashkëpunim rajonal, shkruan Portalb.mk.

Zyrtari amerikan ka drejtuar kritika sa i përket gjendjes së korrupsionit dhe sundimit të së drejtës në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e theksuar këtë si shkak për ikjen e një numri të madh të qytetarëve nga vendet e tyre. Ai tha se, kur politikanët vjedhin qytetarët e tyre, atëherë rritet pabarazia sociale.

“Dekadën e fundit, rajoni ka humbur numër të konsiderueshëm të punëtorëve me kualifikime të larta në vendet e punës ku dikush tjetër mund të jetë i mbi-kualifikuar, por gjenden në vendet ku korrupsioni dhe kapja e shtetit nuk do ta dëmtojnë jetën e tij të përditshme. Përkundër ekonomisë, qytetarët në rajon janë shumë të shqetësuar për sundimin e së drejtës dhe korrupsionit. Kur liderët politik vjedhin nga qytetarët e shtetit të tyre apo e dëmtojnë sundimin e së drejtës dhe pavarësinë e gjyqësorit, rritja ekonomike ngadalësohet, përhapet pabarazia, qasja fillestare ndaj shërbimeve është më i madh, tregjet përjashtohen dhe besimi në qeverinë bie. Reformat nuk duhet të jenë vetëm për ringjalljen e ekonomisë pas Covid- 19, ato gjithashtu në drejtim të përforcimit të institucioneve demokratike që t’i bëjnë më të pavarura, më transparente dhe më të përgjegjshme si të tilla”, deklaroi Palmer.

Duke folur për anëtarësimin e rajonit në BE, Palmer shprehu zhgënjimin e tij që mos fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, duke thënë se prolongimi i kësaj çështje, dëmton edhe rolin e SHBA-së në rajon.

“Jemi të zhgënjyer që çështja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nuk u zgjidh aspak, edhe përkundër përfaqësimit të fuqishëm dhe zgjidhjeve të arsyeshme të presidencën portugeze dhe partnerëve të ngjashëm evropian, sepse sinqerisht kjo ndikon edhe në linjën tonë të skajshme. Ndikimi dhe aftësia e BE-së, ti avancojë qëllimet e përbashkëta në rajon, përfshirë edhe normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës në dialog dhe reformat kushtetuese në lidhje me BE-në në BeH. Ka shumë punë për t’u bërë, sepse konkurrentët tanë gjeopolitik tentojnë në mënyrë agresive ta cenojnë kredibilitetin mes BE-së dhe ShBA-së dhe vet rajoni dyshon në kredibilitetin e përcaktimit tonë. Me të vërtetë, investimi ynë për avancimin e asaj çështje rritet. Kam parë disa herë kritika për rolin e ShBA-së ndër vite, një pjesë e ekspertëve thonë se ShBA angazhohet shumë, përderisa një pjesë tjetër thotë se ShBA nuk angazhohet mjaftueshëm. Zakonisht kjo do të thotë se e bëjnë atë në mënyrë të duhur. Është fakt se ShBA ka qenë konsistente në përmbushjen e qëllimeve të tyre”, tha ai.

Palmer tha se, ShBA e përshëndet publikimin e fundit të Komisionit Evropian për marrëveshje për ndihmë sipërmarrëse me çka do të financohet një pjesë e madhe e planit ekonomik investues.

“Ajo që më jep shpresë është se, ky nuk është vetëm vizioni i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, por është pothuajse e njëjtë me atë që e dëshirojnë partnerët dhe aleatët tanë evropian. Megjithatë, ende më e rëndësishme është vizion i shprehur qartë nga vet shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ky vizion i përbashkët është forcë e jonë kolektive dhe duhet të shërbejë si udhërrëfyes i yni, përderisa i dyfishojmë përpjekjet për afrimin e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Nuk duhet ta harrojmë këtë qëllim apo të rrezikojmë të mos kemi sukses në këtë përpjekje të përbashkët dekadëshe”, theksoi ai.

Diplomati amerikan po ashtu, ka porositur liderët e rajonit që, të  ndërmarrin aktivitete të vërteta, të vazhdojnë me reforma të vështira, të punojnë në mënyrë konstruktive që të zgjidhin çështjet e vështira politike brenda dhe me fqinjët, t’i përforcojnë institucionet multietnike, demokratike dhe gjyqësore, të nisen drejt një ardhmërie me prosperitet.

“Ne duhet t’u bëjmë presion liderëve të Ballkanit të krijojnë dhe t’i shfrytëzojnë mundësitë për zgjidhjen e çështjeve përmes dialogut, fleksibilitetit dhe kompromisit për dallimet që i pengojnë shtetet dhe popujt e tyre për përmbushjen e potencialeve të tyre. ShBA i bën thirrje Kosovës t’i qaset fqinjëve të saj me frymë të mundësisë dhe gatishmërisë dhe t’i bëj thirrje fqinjëve të Kosovës në mënyrën e njëjtë. Kosova duhet të jetë pjesëmarrës aktiv në definimin e agjendës së rajonit. Dialogu është shembull i kornizës politike për zgjidhjen e dallimeve mes Serbisë dhe Kosovës, por asgjë në dialog nuk duhet të pengojë zgjidhje pragmatike mes bashkëbiseduesve racional”, tha Palmer.

Kujtojmë se sot dhe nesër në Ohër dhe Oteshevë mbahet “Prespa Forum Dialog” i organizuar nga MPJ-ja dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të këtij forumi, do të takohen liderët e shteteve të rajonit me përfaqësuesit më të lartë nga Evropa dhe SHBA-të. Mes numrit të madh të panel diskutimeve, panelistët do të fokusohen edhe në temën bartëse të konferencës Ballkani Perëndimor: Pjesa që mungon që Evropa të jetë e plotë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button