RMV, Mali Sharr u bë park Nacional

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informon se deputetët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me shumicën e 66 votave dhanë dritën jeshile për Ligjin e shpalljes së një pjese të Malit Sharr për park kombëtar.

“Me miratimin e këtij ligji, shteti ynë fitoi parkun e katërt kombëtar pas shpalljes së atij të fundit në vitin 1958 dhe të parit pas pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me shpalljen e Malit Sharr si zonë e mbrojtur u vu nën mbrojtje dhe u mundësua krijimi i  sistemit për menaxhim të qëndrueshëm të zonës që është një thesar i biodiversitetit, shtëpi për dy të tretat e të gjitha llojeve të bimëve në Maqedoninë e Veriut si dhe florës dhe faunës së pasur dhe endemike. Posedon bukuri të jashtëzakonshme natyrore, gjeodiversitet, veçori hidrologjike, peizazh dhe vlera kulturore. Dhe më e rëndësishmja,  pres që me këtë hap të hapim një faqe të re dhe mundësi të reja jo vetëm për mbrojtjen e trashëgimisë sonë natyrore, por edhe për zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik të zonës dhe shtetit, për vendosjen e një bashkëpunimi më të gjerë  ndërkufitar, për shfrytëzimin e mundësive të reja financiare dhe për zhvillimin e brendeve lokale dhe formave të ndryshme të turizmit dhe forcimin e fuqisë së shitjes”, shkruan ministri Naser Nuredini.

Ndryshe, aktualisht zonat e mbrojtura në Maqedoninë e Veriut kapin vetëm 9% të territorit të vendit ndërkaq ma shpalljen e Malit Sharr si Park Kombëtar kjo përqindje do të kalojë në 11%, në Sharr ka gjithsej 28 liqene dhe shumë pasuri të tjera natyrore mbrojtja e të cilave synohet të jetë më e lartë me shpalljen e Sharrit si Park Kombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button