Jehona Kastrati pjesë e shtëpisë luksoze të modës Azzedine Alaia në Paris (VIDEO)

Ëndrra dhe pasioni i Jehona Kastratit që si fëmijë ishte të merret me artizanatin dhe modën. Ndërsa tani Jehona është praktikante profesionale në një prej shtëpive më luksoze të modës, Azzedine Alaia në Paris. Kastrati është 23-vjeçare, e cila u lind në Gjermani, por u rrit në Gjilan. Për Portalb, Jehona ndau me ne sukseset e deritanishme në fushën e modës.

“Pas përfundimit të shkollës së mesme, vendosa të studioj në Shkup, në Institutin Ndërkombëtar të Modës Izet Curi.Çdo ditë ndihem me fat dhe shumë falënderuese që pata mundesinë të isha studente e këtij Instituti. Përkundër dëshirës dhe pasionit që kam pasur gjithmonë për artin dhe modën, për t’u ndërtuar profesionalisht gjithsecilit prej nesh i nevojitet një shkollim i mirëfilltë. Eksperienca katërvjeçare që kam marrë gjatë studimeve në Institutin Izet Curi do të mbetet eksperienca kyçe dhe më e rëndësishme profesionale.” tha Jehona.

This slideshow requires JavaScript.

Jehona modën e përkufizon si kulturë, filozofi, formë shprehjeje dhe jetese. Ndërsa, kur u pyet ajo për trendet e kësaj vere, Jehona tha:

“Pas një periudhe të vështirë që kemi kaluar me pandeminë, kjo verë do të jetë e mbushur me plot gjallëri. Duke filluar nga paleta e ngjyrave pastel deri tek ngjyrat me shkëlqim metalik. Këmisha dhe sako oversize, mini fundet, fustanet e gjata me printe të ndryshme lulesh, shallet për kokë, “tie dye” print do të jenë disa prej trendeve që do t’i shohim gjatë kësaj vere. Por, mos harroni, vishuni gjithmonë ashtu si ndiheni rehat me veten tuaj!” u shpreh Kastrati.

Pas përfundimit të studimeve në Institutin Izet Curit, me anë të kontakteve të shkollës, Jehonës i është dhënë mundësia të aplikojë për praktikë profesionale në shtëpinë e modës Azzedine Alaia në Paris. Gjatë studimeve në Institutin e Izet Curit, studentet mësojnë edhe në gjuhën frënge, gjë e cila i ka ndihmuar Jehonës të ketë gjithçka më të lehtë në Paris.

“Jam shumë e lumtur që me anë të kësaj praktike më është dhënë mundesia të mësoj dhe të shpreh shumë prej  aftësive të mia në profesion. Eksperiencën të cilën e kam marrë deri më tani mund ta përshkruaj si një ëndërr të cilën po e jetoj. Të jesh pjesë e një shtëpie si Alaia është së pari privilegj i madh që bart me vete shumë përgjegjësi, përpikshmëri dhe profesionalizëm.” tha Jehona.

This slideshow requires JavaScript.

Mesazhi që Jehona përcolli për të gjithë artistët e rinj është:

“Asnjëherë mos e keni kompleks nga vini dhe kush jeni. Nëse ju jeni i talentuar, i pasionuar dhe luftoni shumë për ëndrrën e juaj atëherë është vetëm çështje kohe se kur do i shihni rezultatet e para të punës. Mos e braktisni asnjëherë ambicien dhe dëshirën e madhe që e keni.” përmbylli Jehona Kastrati.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button