​​Bashkëprani shpirtrash të lartësuar

​​Ekspozitat kolektive mund t’i krahasojmë me kopshtet plot lule të shumëllojshme, ku secili e gjen lulen e preferuar.

​​Në një ekspozitë kolektive sikur e ndjen bashkëpraninë e shpirtrave të lartësuar, që shpalosin para nesh botët e tyre simbolike.

​​Veprat pamore aty sikur bëhen pjesë e një mozaiku të madh shumëngjyrësh, plot me dritëhije, kontraste, qartësi e mjegull, ashtu sikurse është vetë jeta nga e cila artisti e merr materialin bruto dhe, duke e filtruar në sitën e tij, ofron thelbin e saj, atë që është më e rëndësishme, më e thellë, më e veçantë. Nëpërmjet detajeve artisti flet për universalen e jetës, botës, njeriut.

​​Punimet artistike, të vendosura në një hapësirë të kufizuar, sikur komunikojnë mes tyre. Dhe na ndodh që gjithë krijimet pamore në një ekspozitë kolektive t’i shohim si një vepër të vetme artistike edhe pse secili krijim e ruan origjinalitetin e tij. E shohim, pra, pjesën te tërësia ose e shohim tërësinë e përbërë prej shumë pjesëve autonome.

​​E tillë është edhe ekspozita e përçdovitshme kolektive “Salloni Pranveror”, që organizohet nga Shoqata e Artistëve Figurativë të Tetovës, ku përherë kemi krijime shumë cilësore.

​​Sivjet aty i ekspozojnë krijimet e tyre 48 artistë e artiste me ndjeshmëri dhe preokupime të ndryshme krijuese.

​​Kemi piktura, grafika, skulptura, dizajn grafik, fotografi dhe skulptura. Kemi krijime të punuara me teknika të ndryshme. Kemi portrete, peizazhe dhe art abstrakt. ​​Kemi, pra, shumësi preokupimesh artistike.

​​Recipienti i gjendur në këtë botë artistike ndjen, mediton, reflekton, vetëplotësohet. Njeh përmasa të reja ekzistenciale që janë kapur nga shqisat e artistëve.

​​Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button