RMV, Qeveria propozon falje të kamatave të borxheve të qytetarëve ndaj ndërmarrjeve publike

Qeveria ka hartuar Ligjin për shlyerjen e normave të interesit të borxheve të qytetarëve ndaj ndërmarrjeve publike dhe mundësia që borxhi kryesor të paguhet deri në maksimum 12 këste. Me këtë masë pritet të përfshihen 150 mijë qytetarë. Masa duhet fillimisht të votohet nga deputetët, shkruan Alsat.mk.

Obligimi i ndërmarrjeve publike dhe DAP-it do të jetë që në afat prej tre muajve ta përpilojnë listën e borxhlinjve e më pas, në afat prej 15 ditëve të lidhin kontrata me qytetarët për riprograminin e borxheve.

“E marr për shembull Ujësjellësin e Shkupit, brenda 90 ditësh është i detyruar t’i publikojë të dhënat në mënyrë që të mund të harmonizohen kërkesat me borxhet, vetë ndërmarrja me kompanitë, përkatësisht qytetarët. Pastaj, brenda 15 ditëve të fillojë procedurën e lidhjes së marrëveshjeve për pagimin e kësteve të borxhit kryesor me qëllim të shlyerjes së interesit. Qytetarët nuk duhet të presin 90 ditë kur ligji të miratohet dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare, ata mund të drejtohen edhe vetë.”- deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër i RMV-së.

Qytetarët që do lidhin marrëveshje do duhet t’i paguajnë këstet në kohë sipas marrëveshjes. Nëse nuk i paguajnë këstet përsëri kthehen kamatat për borxhet e grumbulluara. Shlyerja të borxheve sipas kësaj mase mund të ketë vetëm për fatura të papaguara për ujë, kanalizim, tatim prone dhe ngjashëm, por jo edhe për faturat e energjisë elektrike dhe telefon pasi këtu bëhet fjalë për kompani private. Kryeministri apeloi te kompanitë private t’i bashkëngjiten kësaj mase. Për momentin nuk ka analiza sa është shuma e kamatave që planifikohet të shlyhet, e as për atë sesa është borxhi i përgjithshëm ndaj ndërmarrjeve publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button