Qeveria e Kosovës përgjigjet negativisht thirrjes së Ramës, Vuçiqit e Zaevit për përfshirje në Mini-Shengen

Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev vazhdojnë të insistojnë në jetësimin e Mini-Shengenit Ballkanik. Pas një takimi virtual, ata kanë ftuar tri vendet tjera të rajonit që t’i bashkohen nismës. Kosova i ka dhënë përgjigje negative. Në kabinetin e Kryeministrit kanë thënë se Kurti i mbetet pas propozimit të tij për marrëveshjen SEFTA. E, në prag të samitit të Berlinit, në Qeverinë gjermane i kanë vlerësuar nismat për treg të përbashkët të vendeve të rajonit, raporton Koha.net.

Treshja Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev nuk duanë t’u dështojë nisma e Novi Sadit për “Mini-Shëngenin” Ballkanik.

Të martën, ata zhvilluan një takim virtual gjatë të cilit ranë dakord që fiks një muaj më vonë në Shkup të firmosin marrëveshje shtesë bashkëpunimi midis vendeve që përfaqësojnë – Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, ata u kërkuan tri vendet tjera të rajonit – Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjw-Hercegovinës – që t’i bashkohen nismës.

“Ne i ftojmë dhe inkurajojmë kolegët tanë në rajon të nënshkruajnë dhe zbatojnë marrëveshje të ngjashme në mënyrë që vizioni i hapësirës së përbashkët politike dhe ekonomike në të gjithë Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet një tregu të përbashkët, të bëhet pjesë e qenësishme e jetës së përditshme të qytetarëve tanë”, thuhet në deklaratë. “Në këtë frymë, ne shpresojmë të gjallërojmë procesin e bashkëpunimit midis nesh, në të gjithë rajonin, dhe do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën për ta realizuar këtë”.

Avdullah Hoti në cilësinë e kryeministrit ishte pajtuar shtatorin e vjetëm në Uashington që Kosova të përfshihej në nismën e “Mini-Schengenit” ballkanik. Por, qeveria e re ka shpërfillur këtë zotim.

Në Qeveri kanë arsyetuar këtë.

“Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me iniciativën e Nishit tashmë është i njohur”, ka thënë Rozafa Kelmendi, Zëdhënëse e Qeverisë. “Së fundmi, kryeministri Kurti ka propozuar një kornizë të re të bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik të quajtur SEFTA, e cila u përgjigjet nevojave të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe synimeve të tyre për integrim në Bashkimin Evropian”.

Zëdhënësja Kelmendi ka shtruar nevojën për rolin që BE-ja duhet ta ketë në një marrëveshje të këtillë rajonale.

“Vizioni i kryeministrit është shprehur nëpërmjet marrëveshjes SEFTA”, ka thënë ajo. “Do të thotë një bashkëpunim rajonal që bazohet në barazi dhe reciprocitet, që ka mekanizma zbatues dhe që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, ka marrëveshje direkte me Bashkimin Evropian dhe bazohet në modelin ekonomik evropian, EFTA”.

Këtë kryeministri Kurti do ta prezantojë edhe në samitin e radhës së liderëve të gjashtë vendeve të rajonit, që mbahet me 5 korrik në kuadër të Procesit të Berlinit.

E, në një intervistë të shkruar që publikohet në Koha Ditore, Drejtoresha për Evropën Juglindore pranë Ministrisë së jashtme të Gjermanisë, Susanne Schuetz, shpreh pritjen për rezultate në iniciativat për Tregun e Përbashkët Rajonal.

“Ky projekt historik, të cilin e kanë themeluar qeveritë e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në samitin e kaluar në Sofje, është i një rëndësie të veçantë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Schuetz. “Gjatë samitit të sivjetmë në Berlin ne duam të mbështetemi në këtë dhe të çojmë përpara zbatimin e planit të veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, sepse rajoni dhe qytetarët e tij nuk kanë kohë për të humbur”.

Liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë Veriore, në deklaratën e përbashkët pas takimit virtual në kuadër të Mini-Shengenit, kanë theksuar se të tria vendet do ta shfaqim mbështetjen e plotë për tregun e përbashkët rajonal në Samitin e Procesit të Berlinit, që mbahet të hënën e javës së ardhshme.

“E dimë se vetëm me punë të përbashkët dhe nxitje të bashkëpunimit rajonal në kuadër të nismave të ndryshme rajonale – Treg rajonal i përbashkët, Shengen rajonal, Korridore të gjelbra ose në kuptim më të gjerë përmes Procesit të Berlinit – mund t’ju sjellim rezultate qytetarëve tanë”, thuhet në deklaratë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button