RMV, propozim-ligji për nënshtetësi bllokohet nga partia e Apasievit, opozita shqiptare e gatshme të ribllokojë Kuvendin

Partia E majta në krye me Dimitar Apasievin vazhdon ta bllokojë miratimin e Ligjit për nënshtetësi në Maqedoninë e Veriut. Për këtë arsye, opozita shqiptare dhe shumica parlamentare e RMV-së do të ulen sërish në takim për të gjetur zgjidhje rreth ngërçit të krijuar rreth propozim-ligjit për nënshtetësi. Kanë kaluar pothuajse një muaj që nga ndërprerja e seancës ku për temë diskutimi kishte amendamentet e propozuara nga opozita shqiptare për përmirësim të ligjit për nënshtetësi dhe ende nuk është caktuar vazhdimi i saj, shkruan Portalb.mk.

Opozita shqiptare pretendon se sërish ka tendenca nga ana e opozitës maqedonase, për ta bllokuar këtë ligj. Koordinatori i grupit parlamentare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Skender Rexhepi deklaroi për Portalb.mk që ta zgjidhin ngërçin e krijuar rreth këtij ligji, nëpërmjet një takimi të përbashkët me shumicën dhe me kryeministrin dhe të arrijnë marrëveshjes që do të ndodhte së shpejti.

“Jemi duke pritur që të bëjmë një takim me shumicën, përfshirë edhe kryeministrin dhe kjo çështje të zgjidhet të diskutohet. Në të kundërtën ne e fillojmë bllokimin pa problem, fare nuk na bëhet vonë. Për këtë ligj u morëm vesh me Qeverinë, pavarësisht se janë bërë shumë lëshime, por megjithatë u arrit një kompromis së bashku me gjithë subjektet qeveritare dhe konsiderojmë se duhet doemos të sillet, qoftë edhe me flamurin evropian. Por, tash jemi në pritje të takimit të përbashkët me zyrtarët qeveritar, përfshirë edhe me kryeministrit, në të kundërtën ne i kthehemi formës së bllokimit, që nuk është formë e ndershme, por është formë e cila megjithatë e arrin që të dëgjohet zëri i opozitës në këtë rast në shërbim të qytetarëve”, deklaroi Rexhepi.

Ai tha se, kërkesa e opozitës shqiptare është që, nëse vazhdon bllokada e partisë “E majta”, atëherë ligji të ridërgohet me flamur evropian.

“Kërkesa jonë është që të dërgohet me flamur evropian. Duhet të ulemi, të bisedojmë, nëse E majta vazhdon të bllokojë, atëherë ne do e tërheqim të tërin do e kalojmë me flamur evropian. Por, nëse nuk ka gatishmëri shumica parlamentare dhe Qeveria, atëherë e diskutojmë opsionin e bllokimit të gjitha ligjeve që vijnë në Kuvend”, tha Rexhepi.

Ndërkohë, deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri, tha për Portalb.mk se, edhe përkundër faktit se çdo ditë kanë kontaktuar me koordinatorit dhe deputetët dhe kanë bërë thirrje që të vazhdojnë seancën për propozim ligjin për nënshtetësi, kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri nuk e ka caktuar vazhdimin e seancës ku në rend dite është diskutimi i amendamenteve të propozuara nga opozita për përmirësim të këtij propozim ligji.

Elmi Aziri
Elmi Aziri

“Ne çdo ditë e kemi kontaktuar edhe koordinatorin edhe gjithë deputetët, u kemi bërë thirrje që ta thirrin komisionin dhe të vazhdojë puna. Komisioni nuk është thirrur. Sot dhe nesër do të ketë bisedime më intensive për ta thirrur komisionin për mbrojtje dhe siguri dhe për të vazhduar debati. Le të vazhdojë njëherë debati në komision, tani e shohim, nëse ka obstruksione dhe tendenca për ta bllokuar, atëherë mundemi të shkojmë për variantin me flamur evropian, nëse nuk thirret komisioni ne do t’i radikalizojmë veprimet. Sot dhe nesër pritet të ketë komunikime më intensive për ta gjetur një modalitet për ta kryer këtë punë”, tha ai.

Edhe Aziri konfirmoi se nëse ka tendenca për bllokim të serishëm, do të shqyrtojnë variantet e tjera.

“E majta nuk e bllokon në kuptim klasik të fjalës, por E majta ka shprehur gatishmëri të mbajë fjalime të gjata. Ai sa do që të fol, një moment do të ndalet, nuk mund të flet deri në pafundësi. Nëse shohim tendenca të bllokimit klasik, atëherë ekziston varianti për me flamur evropian. Aty është i kufizuar debati dhe gjithçka”, tha ai.

Mile Talevski

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri, Mile Talevski tha për Portalb.mk se, seanca nuk është caktuar deri më tani pasi, ka pasur pengesa nga opozita për të bllokuar punën e komisionit.

“Pritet të ketë marrëveshje mes partive politike parlamentare dhe sapo të ketë marrëveshje unë do ta caktojë seancën. Dukshëm ka pengesa nga partitë opozitare, e bllokojnë punën e komisionit. Ka paralajmërime se flitet, diskutohet mes partive politike, pres që të ketë marrëveshje. Sa po të ketë marrëveshje, unë do ta caktoj seancën”.

Seanca e fundit Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri, që u mbajt më 2 qershor ku duhej të diskutohej rreth amendamenteve të opozitës shqiptare për Ligjin për nënshtetësi, u ndërpre pas tensionimit të situatës mes deptutëve të opozitës shqiptare dhe atij të partisë “E majta”, Dimitar Apasiev. Edhe pse kryetari i Komisionit, Mile Talevski, hapi diskutim për amendamentin e parë të propozuar nga opozita shqiptare, Apasiev vazhdoi me diskutime procedurale dhe vërejtje të tija se pse nuk duhet të sillet ky ligj. Kjo solli deri në zënkë verbale mes Apasievit dhe opozitës shqiptare, të cilët kërkonin që Apasiev të flas për amendamentet, me çka kryetari e ndërpreu seancën dhe tha se për vazhdimin e saj do të informojë në mënyrë shtesë.

Propozimi fillestar për ligjin për nënshtetësi i dorëzuar nga opozita shqiptare ishte bllokuar në komisionin amë me qindra amendamente të dorëzuara nga VMRO – DPMNE dhe “E majta”. Pas kësaj edhe grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativën me mbi 32,000 amendamente bllokuan 20 ligje, mes të cilëve edhe vendimin për vazhdimin e gjendjes së krizës me rreth 400 amendamente, si kushtëzim për mbështetjen e Ligjit për Shtetësinë. Kjo solli në bllokim të punës së Kuvendit. Pas krijimit të kësaj situate, kryeministri Zoran Zaev dhe opozita shqiptare zhvilluan disa takime për të biseduar në lidhje me ligjin për nënshtetësi, të cilat rezultuan me marrëveshje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button