Tetovë, Arifi e bindur se autobusët do të funksionalizohen gjatë verës, sugjeroi qytetarëve t’i shfrytëzojnë ato

Qytetarët të përdorin më shumë autobusët sesa veturat gjatë verës, kështu sugjeroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi e cila tha se gjatë kësaj vere do të vendosen në funksion pesë autobusët të cilët në Tetovë arritën në janar. Që atëherë autobusat ende nuk janë vendosur në funksion sepse nuk ka kushte për këtë, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse kanë kaluar gati 6 muaj nga koha kur pesë autobusë për transport publik arritën në Tetovë, këta mjete transportuese ende nuk janë parë duke qarkulluar në qytet. Për herë të parë kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, dha një afat kohor se kur sipas saj do të vendosen në funksion këta autobusë. Ajo potencoi që gjatë kësaj vere qytetarët do të mund të shfrytëzojnë transportin publik në Tetovë.

Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.
Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.

“Ne mendojmë që kjo verë do të jetë vera e cila në atë komunikacionin e ngarkuar njerëzit do të mund ti shfrytëzojnë autobusët, pra më pak të përdorin makinat e më shumë autobusët. Këtë e kemi edhe për obligim nga Banka Botërore, sipas marrëveshjes tonë me ata” tha Teuta Arifi në Klan Maqedoni.

Ajo shtoi se tashmë janë punësuar edhe shoferët autobusëve si dhe është siguruar vendparkimi i autobusëve ndërkaq potencoi se kjo procedurë ka marrë kohë pasi që sipas saj, çdo fillim i ri është i vështirë.

“Ju krijoni ndërmarrje të re publike dhe çdo fillim i ri ka edhe vështirësitë e veta administrative, ata vështirësi tashmë janë tejkaluar, ndërmarrja publike është regjistruar, autobusët janë regjistruar, është siguruar vendqëndrimi i tyre, bëhet fjalë për një pjesë të stacionit të autobusëve, nga ku edhe do të fillojnë me lëvizje autobusët” shtoi Teuta Arifi.

Megjithatë, rikujtojmë se drejtori i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” në një intervistë për Portalb.mk disa javë më herët theksoi se autobusët mund të mos qarkullojnë as gjatë verës, pasi që sipas tij nuk ka kushte për këtë.

Darko Spirovski, drejtor i NP "Tetova Transport".
Darko Spirovski, drejtor i NP “Tetova Transport”.

“Unë përsëri ju potencoj se garanci nuk mund të jap, shihni se çfarë është garancia, garancia është se në qoftë se ju them po do ti lëshojmë autobusët në funksion dhe do ti lëshojmë, mirëpo çfarë në qoftë se pas disa muajve ne e shohim se praktikisht, në këto kushte që jemi tani, do të shihnim se do të ishte një investim i dështuar dhe nuk do të kishim asnjë të ardhur, unë do të mund të ju garantoj se autobusët do të lëshohen në funksion me kapacitet të plotë vetëm në kushtet kur këta dy arsyet objektive dhe subjektive do të përmbushen. Ne ndoshta do të fillojmë në qoftë se krijohen kushtet në komunikacion që autobusët të lëvizin, mirëpo nuk mund të garantojmë që firma do të jetë likuide dhe ky është momenti i parë, tani e dini, këtu vendosen dy pikëpyetje, se a është më mirë që ti lëshojmë autobusët të punojnë edhe me humbje, që firma të fundoset në borxhe, apo do të ishte më praktike dhe më e rregullt që të themi se kur do të ketë kushte të nevojshme, klientë të mund të mbulohet kjo” tha Spirovski.

Kjo nuk është hera e parë që deklaratat e drejtorit të NP “Tetova Transport” nuk përputhen me ata të komunës së Tetovës

Përderisa drejtori i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, Darko Spirovski, është duke pritur një regjim të ri për komunikacionin në Tetovë në mënyrë që autobusët të fillojnë me qarkullim, pasi sipas tij aktualisht nuk ka kushte për këtë. Nga Sektori i Komunikacionit në Tetovë nuk e kanë ndërmend një gjë të tillë, theksojnë se është i njëjti regjim i përgatitur 2 dekada më herët, pranojnë se do të ketë problem me saktësinë e orës së arritjes së autobusit nga njëri destinacion te tjetri, për këtë fajësojnë ligjin për legalizim.

Dy muaj më herët, në një intervistë për Portalb.mk, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” theksoi se ende nuk janë siguruar kushtet infrastrukturore në mënyrë që autobusët të mund të qarkullojnë pa probleme shtesë në Tetovë, ai tha se me kushtet aktuale do të pamundësohej respektimi i orarit të përpiluar paraprakisht.

Sipas kompetentëve për rregullimin e komunikacionit në komunën e Tetovës, regjimi i komunikacionit ngelet i pandryshuar tash 2 dekada ndërkaq potencojnë se ditëve në vijim do të ketë intensifikim të kontrolleve nga ana e SPB-së dhe autoriteteve komunale.

“Regjimi i komunikacionit është përgatitur para 2 dekadave, dhe asgjë nuk ka ndryshuar, sepse në bulevardin e Ilindenit asnjëherë nuk është lejuar parkimi, përveçse 1 pjese të vogël afër sheshit, ku kushtet e rrugës e lejojnë, d.m.th. ku funksionon parkimi zonal. Megjithatë, zakonisht me ardhjen e sezonit verorë (me ardhjen e mërgatës tonë), seksioni për komunikacion bashkë me SPB-në i intensifikojnë dhe bashkërendojnë hapat për të siguruar efikasitet më të madh në komunikacion” thanë nga njësia për komunikacion në komunën e Tetovës.

Autobusët e Tetovës.
Autobusët e Tetovës.

Nga njësia për komunikacion nuk pajtohen me deklaratën e drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, Darko Spirovski, se Tetova me kushtet aktuale e ka të pamundur funksionimin e transportit publik, shtojnë se me ndihmën e SPB-së dhe krijimin e korsive për biçikleta, do të mundësohet kjo.

“Drejtori aktual e ka për detyrë të menaxhojë Ndërmarrjen publike “Tetova Transport” në konditat ekzistuese. Ndihma nga SPB-Tetovë dhe vendosja e linjave urbane, përdorimi i biçikletave dhe një përkujdesje e shtuar nga Policia rrugore do të mundësoje lëvizje më të mirë autobusëve” thanë nga njësia për komunikacion.

Ndryshe, premtimin për transportin publik në Tetovë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e dha në mandatin e saj të parë në Programin për zgjedhje lokale të vitit 2013 “Ndërtojmë së bashku“,  ndërsa të njëjtën e përsëriti dhe në debatin e organizuar nga “BIRN Kosovë” dhe “Portalb.mk” në tetor të vitit 2017.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button