RMV, dezinformimi dhe manipulimet mediatike mund të minojnë shoqëritë pluraliste

Kemi parë që dezinformimi dhe manipulimet mediatike mund të kenë ndikim të rëndë në jetën e njerëzve. Infodemia me kovid-19 na çon drejt teorive konspirative që krijojnë mosbesim në institucione. Këto dezinformime dhe manipulime mund të minojnë edhe aspektet më të rëndësishme të shoqërive tona që bazohen në pluralizëm. Çfarë mund të bëhet kundër kësaj pa e kufizuar të drejtën e shprehjes dhe si t’i bëjmë shoqëritë tona më qëndrueshme për rezistence të tillë, pyeti ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë Veriore, Dejvid Gir në hapjen e konferencës së sotme “Me mendim kritik deri  te qytetarë me shkathtësi mediatike”, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Në fjalën e tij, Ambasadori i BE-së Gir tha se vitet e fundit ne jemi bërë më të vetëdijshëm për fenomenin e dezinformimit dhe ndikimin negativ që ai ka në vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut, më saktë në lirinë e fjalës dhe qasjen në informacione.

Ai tha se me konferencën e sotme mbyllet projekti “Me mendim kritik deri  te qytetarë me shkathtësi mediatike – KriThink”, që u mbështet financiarisht nga BE-ja. Ambasadori Gir e përmendi se ka sfida të mëdha dhe vetëm nëse tërë kohën promovojmë shkrim-lexim mediatik dhe mendim kritik në opinionin publik, do të mund t’i kapërcejmë këto sfida.

“Është një detyrë për të gjithë ne. Sfidat me të cilat përballet Maqedonia e Veriut janë të njëjtat me të cilat përballen BE dhe vendet në rajon”, tha euroambasadori Gir.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska në fjalimin e saj tha se shkrim-leximi mediatik dhe mendimi kritik janë shumë të rëndësishëm për çdo vend. Ajo e përcolli qëndrimin e Ministrisë së arsimit dhe shkencës se nëse krijojmë breza që janë shumë më të fortë në mjetet për trajtimin e lajmeve të rreme, do të ketë parandalim më të madh të lajmeve të rreme.

Carovska përmendi që shkrim-leximi mediatik dhe arsimi kritik janë përfshirë si shtyllë themelore në Konceptin e ri për arsimin fillor, i cili duhet të fillojë të realizohet me vitin e ri shkollor në shtator.

Ministrja shtoi se, ndërsa në periudhën para nesh nxënësit tanë duhet të mësojnë se ku dhe si të verifikohen informacionet i rreme dhe përveç përgatitjes së programeve dhe koncepteve të reja, bëhet edhe përgatitja e mësuesve. Në bashkëpunim me Bankën Botërore, do të punojmë me fakultetet pedagogjike në vend për të investuar më shumë në përcjelljen e mendimit kritik te mësuesit e ardhshëm.

Në të njëjtën kohë, Ministrja Carovska tha se për momentin janë duke punuar në rritjen e kapacitetit të vetë mësuesve, të cilët po lëvizin drejtpërdrejt në transferimin e këtyre detyrave programore në mësimdhënie.

“Arsimi është thelbësor në mënyrë që të kemi më pak probleme sesa i kemi sot, nëse punohet me arsimin”, tha ministrja Carovska.

Marjan Zabrçanec, Koordinator nacional për komunikime strategjike në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në fjalën e tij në konferencë tha se në vitin 2019 Qeveria krijoi një draft platformë për përballje me dezinformatat. Kjo platformë është vazhdimisht draft, sepse nuk ka asnjë mënyrë të vetme dhe të unifikuar për t’u përballur me dezinformatat, shpjegoi Zabrçanec.

Kjo platformë është vazhdimisht e hapur dhe duhet t’i mundësojë çdo aktori social të gjejë vendin e tij.

“Përveç angazhimit të qeverisë për futjen e shkrim-leximit mediatik në arsim, Zabrçanec e përmendi edhe Planin aksionar të qeverisë për trajtimin e dezinformimit dhe sulmeve ndaj demokracisë në nivelin sistemor, me të cilin do ta bëhet e vështirë për qeveritë e ardhshme të heqin masat aktive të transparencës. Me Planin aksionar e morëm përsipër që rregullisht dhe shpejt t’u përgjigjemi gazetarëve dhe kontrolluesve të fakteve”, tha ai.

Një nga mjetet kryesore për përballjen me dezinformimin është ekspozimi i informacioneve dhe fakteve nga institucionet, tha Zabrçanec, duke shtuar se është krijuar Protokoll për komunikimin në krizë, edhe atë para fillimit të pandemisë kovid-19.

Ai theksoi se me vetëdije apo jo, ne flasim shumë sa për të qenë kundër dezinformimit.

“Jam i bindur se në atë mënyrë ne sikur u kemi dhënë atyre më shumë fuqi se sa qendrat e tilla të dezinformimit e posedojnë”, tha Zabrçanec.

Kjo nuk do të thotë që i nënvlerësoj dezinformatat, thotë Zabrçanec, duke theksuar se është e nevojshme të imponohet agjendë proaktive siç është shkrim-leximi mediatik dhe gazetaria profesionale, kundrejt një agjende reaktive.

Në atë mënyrë, përveç luftës kundër lajmeve të rreme dhe ballafaqimit me dezinformata, do të sigurojmë nivel më të lartë sigurie në veten tonë dhe qytetarët, që të mos imponohet frikë dhe pasiguri te qytetarët.

“Qëllimi i dezinformuesve është pikërisht ai, të imponojë frikë dhe pasiguri te qytetarët”, tha Zabrçanec.

Ai gjithashtu përmendi që organizatat mediatike duhet të ndërmarrin edhe më shumë iniciativa, por edhe akademia duhet të rishikojë kurrikulat në studimet e gazetarisë, që edhe sot bazohet në teorinë e shekullit 20.

Aret Demirçi, menaxher i programit për Evropën Lindore dhe Juglindore, Fondacioni për liri “Fridrih Nojman” në konferencën e sotme theksoi se ky fondacion me partnerë në mbi 60 vende të botës promovon shkrim-leximin mediatik si bazë për qytetarët demokratik.

Me rritjen e internetit, shtoi Demirçi, kemi më pak kontroll mbi të dhënat, ndërsa regjimet e tjera autoritare i përdorin ato për të censuruar dhe kontrolluar njerëzit, kurse demokracitë duhet të ruajnë liritë që vijnë me qasje më të madhe në informacione, por edhe të mbrojnë qytetarët nga dezinformatat dhe manipulimet meditike.

Bardhyl Jashari, drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Metamorfozis”, në fjalimin e tij tha se aktivitetet fillestare të Fondacionit “Metamorfozis” në luftën kundër dezinformimit ishin përqendruar në qeverisjen e mirë, transparencën dhe pjesëmarrjen qytetare. Atëherë e pamë që është shumë e vështirë për qytetarët të marrin pjesë nëse nuk kanë informacione të sakta ose nuk kanë qasje në informacion, tha drejtori ekzekutiv Jashari.

Ai shtoi se 10 vjet më parë, në vitin 2011, ka filluar me punë “Vërtetmatësi” si mjet për kontrollim të fakteve politike, duke analizuar premtimet e politikanëve, sa ishin konsekuent  dhe nëse i përmbushin premtimet. Me kalimin e kohës, metodologjia e “Vërtetmatësi” është azhurnuar për t’u shërbyer të gjitha projekteve të ardhshme.

“Verifikimi i fakteve është shumë i rëndësishëm dhe për ne është pjesë thelbësore në luftën kundër dezinformatave”, tha drejtori ekzekutiv i “Metamorfozis” Bardhyl Jashari.

Me kalimin e kohës, shtoi Jashari,u vërejt se kontrollimi i fakteve nuk është mjeti i vetëm për t’u marrë me dezinformatat dhe prridhëm në përfundim se nevojitet shkrim-leximi mediatik, por që këtu duhet të përfshihen teknologjitë digjitale, veçanërisht interneti.

Ai përmendi dy përfundime kryesore: të gjithë përdoruesit kanë nevojë për aftësi dhe njohuri për të përdorur internetin në mënyrë të sigurt dhe aftësitë e të menduarit kritik janë të nevojshme, si proces i mendimit neutral dhe të paanshëm i liruara nga të gjitha dogmat, në mënyrë që të mund të kontrollohet informacioni i secilit.

“Është e rëndësishme që sistemi arsimor të prodhojë qytetarë, të cilët kanë aftësi të lundrojnë në internet në mënyrë të sigurt dhe të mos bien viktimë e dezinformatave. Prandaj e filluam projektin KriThink”, tha Bardhyl Jashari.

Falë KriThink-ut si projekt, u rritën kapacitetet e kontrolluesve ekzistues të fakteve dhe gazetarëve, por edhe grantistëve vendas, në partneritet me mediat, prodhuan artikuj edukativë për zbulimin e dezinformatave që ishin përhapur në komunitetet e tyre.

Falë Krithink-ut, theksoi drejtori Jashari, “Metamorfozis” e zgjeroi metodologjinë në dezinformime të tjera, duke përfshirë postimet në Fejsbuk, me ç’rast nuk janë përfshirë vetëm mediat dhe politikanët.

Drejtori ekzekutiv i Metamorfozis e theksoi nevojën për bashkëpunim thelbësor dhe të të dobishme midis mediave, qeverisë, OJQ-ve dhe arsimit.

“Bashkëpunimi me rrjetet sociale është shumë i rëndësishëm. Bashkëpunimi i Metamorfozis me Fejsbuk është jashtëzakonisht i rëndësishëm,  që e dëshmoi nivelin e efektivitetit dhe me efikasitet me të cilin mund të luftojmë kundër informacioneve të rreme”, shtoi Jashari.

Në kuadër të projektit u publikua edhe studimi “Analiza e dezinformatave të lidhura me Kovid-19 në Maqedoninë e Veriut”.

Në konferencën e sotme “Me mendim kritik deri  te qytetarë me shkathtësi mediatike”, mbahen seanca speciale mbi shkrim-leximin në media në arsimin formal dhe joformal, mendimin kritik kundrejt manipulimeve mediatike dhe teorive të konspiracionit kundër kovid-19 dhe mbrojtjen e demokracisë nga dezinformatat.

Projekti “”Me mendim kritik deri  te qytetarë me shkathtësi mediatike- Krithink” u mbështet financiarisht nga Bashkimi Evropian, ndërsa ngjarja e sotme u mbështet nga Fondacioni për liri “Fridrih Nojman”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button