Policia gjeti thika e boks hekuri në festën e Vidovdanit

Policia e Kosovës ka dhënë më shumë informacione lidhur me mbarëvajtjen e festës së Vidovdanit në Gazimestan, duke sqaruar që gjatë kontrollit dhe verifikimit të disa prej pjesëmarrësve kanë gjetur dhe sekuestruar disa mjete të ndryshme të mprehta thika dhe një boks hekuri. Lidhur me këtë, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetentë ka hapur rastet për ’Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Prishje e rendit dhe qetësisë publike’.

Gjithashtu është arrestuar një person të dyshuar për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit” i cili sipas njoftimit, ishte në procedurë të intervistimit.

Policia e Kosovës në bazë të të dhënave nga terreni ka regjistruar rreth 2000 pjesëmarrës, të cilët në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë në Graçanicë dhe Gazimestan të rajonit të Prishtinës, me rastin e festës me karakter religjioz të quajtur ‘Vidovdani’.

“Njësitet policore janë përkujdesur për mbarëvajtjen e manifestimit në Graçanicë i cili kishte filluar në orët e paradites, për të vazhduar pastaj në Gazimestan të Prishtinës. Rreth orës 13:00, manifestimi ka vazhduar tek monumenti i Gazimestanit, ku njësitet policore janë përkujdesur për mbarëvajtjen e manifestimit si dhe rregullimin-orientimin e komunikacionit rrugor edhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik të cilët nuk kanë qenë pjesë e këtij manifestimi. Gjatë manifestimit zyrtarët policorë kanë vërejtur disa pjesëmarrës të cilët kanë pasur të veshur fanella me mbishkrime provokuese, andaj me qëllim të shmangies së ndonjë keqkuptimi apo incidenti të mundshëm, fanellat e tilla të ekspozuara në automjete dhe të veshura iu janë larguar”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Gazimestan, ku serbët po festojnë Vidovdanin. KOHA ka mësuar se i dyshuari është arrestuar pasi ka kënduar këngë provokative, derisa Policia ende s’ka dhënë detaje për rastin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button