As shpallja e Sharrit si “Park Kombëtar” nuk do të ndalojë ndërtimin e 7 hidrocentraleve, Xhemaili thotë se këta janë të fundit

Përkundër faktit se është çështje ditësh shpallja e malit Sharr si Park Kombëtar, shtatë hidrocentralet të cilat veçse kishin filluar të ndërtohen, do të ndërtohen. Kështu mëson Portalb.mk nga drejtori i Mjedisit Jetësor, Hisen Xhemaili. Sipas aktivistit të “Peaktrip”, Sadik Abdirahimi, hidrocentralet që sipas tij janë shkatërruese për turizmin malor po ndërtohen nga oligarkët e lidhur me partitë në pushtet, ai shtoi se shumë lumenj të Sharrit janë shkatërruar pikërisht nga ndërtimi i hidrocentraleve, shkruan Portalb.mk.

Sadik Abdirahimi nga “Peaktrip” potencoi se aktualisht është duke ndodhur shkatërrimi i turizmit malor, ndërkaq theksoi se shoqëria civile është e pafuqishme përballë siç thotë ai, oligarkëve partiak që vendosim për të ardhmen e vendit.

Sadik Abdirahimi nga "Peaktrip"
Sadik Abdirahimi nga “Peaktrip”

“Progres i ndërtimit të hidrocentraleve të vogla dhe shkatërrimi masiv i potencialit zhvillimor të eko-turizmit dhe turizmit alternativ në fshatrat malor dhe rrethinë të Tetovës është duke ndodhur, jemi dëshmitarë të kësaj katrahure por fatkeqësisht të pa fuqishëm për të vendosur drejtësinë kundrejt oligarkëve partiak që vendosin për të ardhmen e “ndritur” të gjeneratave të reja duke orientuar ata në drejtim të perëndimit” theksoi Sadik Abdirahimi nga “Peaktrip”.

Abdirahimi shtoi se së fundmi është shkatërruar burimi kryesor i ujit të pjshëmm në Tetovë, “Leshnica” me ndërtimin e një hidrocentrali të vogël atje. Kjo sipas tij ka minimizuar dëshirën e turistëve për të vizituar atë pasuri natyrore.

“Fillimisht shkatërruan shumë lumenjtë të Sharrit kurse më pas ata prekën burimin kryesor të ujit të pijshëm për Tetovën damarin kryesor “Leshnicën” duke ndërtuar hidrocentralin atje, ata gjithashtu shuajtën dëshirën e shumë bjeshkatarëve që të frekuentojnë këtë pjesë sot. Një fakt rreh kësaj perle, vitin që kaloi ne si klub bjeshkatarë organizuam 3 ngjarje për në Leshnicë dhe pjesëmarrja e përgjithshme ishte 300 persona, kurse çdo vikend para se të ndërtohet hidrocentrali atë e frekuentonin edhe më shumë turistë të huaj” shtoi Sadik Abdirahimi, aktivist i “Peaktrip”.

Ekziston mundësi potenciale për ndotjen e ujërave të qytetit të Tetovës nga hidrocentralet e vogla që ndërtohen në malin Sharr, kështu një vit më herët paralajmëroi drejtoresha e Inspektoratit Ekologjik, Ana Petrovska.

Sot që flasim, përkundër faktit që mali Sharr është në pritje të shpalljes si zonë e mbrojtur, shtatë hidrocentrale të vogla po ndërtohen pikërisht në këtë mal, këtë për Portalb.mk e konfirmoi drejtori i Mjedisit Jetësor, Hisen Xhemaili.

Hisen Xhemaili
Hisen Xhemaili

“Hidrocentralet të cilat janë duke u ndërtuar dhe që janë në fazë të avancuar, do të ndërtohen. Bëhet fjalë për 6 apo 7 hidrocentrale, pasi të përfundojnë me ndërtim këta të fundit, nuk do të ndërtohen hidrocentrale tjera në Sharr” tha Hisen Xhemaili, drejtor i Mjedisit Jetësor.

Përkundër pohimeve të drejtoreshës së Inspektoratit Ekologjik, sipas Hisen Xhemailit hidrocentralet e vogla nuk e cenojnë ujin për pije, ai shtoi se para marrjes së pëlqimit për ndërtim të hidrocentralit merret mendimi i disa institucioneve.

“Para se të jepen lejet për hidrocentralet, merren mendimet prej komunave se a e cenojnë ujin për pije. Të gjitha këto hidrocentrale që ndërtohen dhe janë ndërtuar, asnjëra prej tyre nuk e cenojnë ujin për pije. Para se të ndërtohet hidrocentrali, janë një sërë institucionet që japin mendimin dhe pëlqimin e tyre, ka kushte të veçanta, pra 30% e sasisë së ujit duhet të vazhdojë të rrjedhë, i cili quhet minimumi biologjik” deklaroi Hisen Xhemaili, drejtor i Mjedisit Jetësor.

Megjithatë, rikujtojmë se gjatë këtij viti Tetova disa herë është përballur me mungesë të ujit për pije ndërkaq arsyetimet për këtë vazhdimisht kanë qenë të ndryshme dhe kategorikisht është mohuar mundësa që hidrocentralet e vogla të jenë shkak për këtë.

Deri në fund të këtij muaji pritet që Sharri të shpallet zonë e mbrojtur

Ka vite që diskutohet shpallja e Sharrit si Park Kombëtar, kjo procedurë dukshëm është përshpejtuar muajt e fundit ku në shkurt është marrë pëlqimi i qeverisë që Sharri të shpallet si zonë e mbrojtur ndërkaq nga muaji prill – maj ligji ka kaluar dy leximet në parlament ku edhe është marrë pëlqimi i shumicës së votave.

Sot që flasim, votimi i ligjit me anë të së cilit do të shpallet Sharri si Park Kombëtar është në fazë të fundit, gjegjësisht, drejtori i Mjedisit Jetësor, Hisen Xhemaili, sot potencoi se ky ligj do të kalojë më së voni në javën e ardhshme.

“Ligji aktualisht është në procedurë parlamentare, tani janë shterur të gjitha debatet dhe deputetët kanë votuar në dy sesione, do të duhet vetëm të ketë kuorum për votim. Ndoshta këtë të premte apo më së voni javën e ardhshme do të votohet nga ana e deputetëve” tha Hisen Xhemaili.

Akti i shpalljes së Sharrit si Park Kombëtar nuk do të thotë “fund”, këtu sipas Muharemit fillon sfida

Sipas Metin Muharemit, sfida më e madhe për malin Sharr pas shpalljes si Park Kombëtar do të jetë përgatitja e planit për menaxhim në tre vitet e ardhshme, ai ftoi të gjithë banorët lokal që kanë pasiguri të kyçen në procesin e përpilimit të këtij plani.

Metin Muaremi.
Metin Muaremi.

“Vetëm shpallja e Sharrit nuk është punë e kryer, pasi mendojmë se sfida pas shpalljes si zonë e mbrojtur do të jetë përgatitja e planit për menaxhim në tre vitet e ardhshme. Prandaj, apelojmë që në këtë proces të gjithë palët e ndryshme të kyçen dhe të japin mendimet e tyre. Pra të gjitha këto pasiguri dhe sfida të vendosen në letër dhe hapi i dytë pas shpalljes do të jetë një proces shumë i hapur ku të gjithë do të kenë mundësi të kontribuojnë dhe të japin mendimet e tyre se si duhet të duket dhe të menaxhohet parku i ardhshëm kombëtar” tha Metin Muaremi nga “Miqtë e Sharrit”.

Muharemi shtoi se si platformë dhe shoqëri civile e cila ndër vite është marrë me këtë problematikë do të vazhdojnë mbikëqyrjen dhe monitorimin e punëve të institucioneve sa i përket malit Sharr, pas shpalljes së tij si zonë e mbrojtur.

Ndryshe, aktualisht zonat e mbrojtura në Maqedoninë e Veriut kapin vetëm 9% të territorit të vendit ndërkaq ma shpalljen e Malit Sharr si Park Kombëtar kjo përqindje do të kalojë në 11%, në Sharr ka gjithsej 28 liqene dhe shumë pasuri të tjera natyrore mbrojtja e të cilave synohet të jetë më e lartë me shpalljen e Sharrit si Park Kombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button