Zaev: Negociatat politike me Sofjen do të vazhdojnë pas zgjedhjeve në Bullgari

Pas bllokadës së javës së kauar, ku Maqedonia e Veriut nuk mori dritë jeshile për fillim formal të negociatave si pasojë e kontestit me Bullgarinë, kryeministri Zoran Zaev pret që të vazhdojnë negocitat politike me palën bullgare pas zgjedhjeve në Bullgari, të cilat do të mbahen më 11 korrik, shkruan Portalb.mk.

“Këtë herë duam të dimë sa jemi serioz edhe ne edhe Bullgaria. Do të kemi koordinime, do t’i ndërtojmë të gjitha qëndrimet tona. Më 11 korrik janë zgjedhjet në Bullgari dhe presim që deri në fund të korrikut, të paktën të jetë e sigurtë se kush do të formojë Qeveri. Kontaktet do të vazhdojnë në nivel të grupeve punuese. Kuptohet ne i mbajmë në vazhdimëse dhe në mes atyre grupeve punuese insitucionet që nënshkruajnë marrëveshje motivohen. Por, që të vazhdojnë kontaktet politike, duhet t’i presim zgjedhjet dhe formimin e Qeverisë sepse, edhe në bazë të Kushtetutës, presidenti i ka ato kompetenca që përafërsisht i ka edhe presidenti ynë, Qeveria është ajo që vendosë. Kështu që, besoj se kah fundi i korrikut dhe fillimi i gushtit do të mund t’i ripërtërijmë konktatet politike”, deklaroi Zaev.

Duke komentuar letrën nga MPJ-ja bullgare, ku përmenden disa obligime që Maqedonia duhet t’i përmbush që të hiqet vetoja nga Bullgaria, Zaev tha se ajo është vetëm një pjesë e udhërëfyesit që vendi ynë i ka dorëzuar Bullgarisë, si obligim nga propozimi portugez për zgjidhjen e kontestit.

“Udhërrëfyesi është 18 faqe dhe kryesisht fokusohet në infrastrukturë, bashkëpunim ekonomik, sport, kulturë, mbrojtje, në të gjitha aspektet. Atë e kemi dhënë ne sipas propozimin portugez. Nuk ka asgjë problematike dhe është obligim i të dyja palëve për impementim më të lehtë të marrëveshjes.U konfirmua se, nuk është negociuar për gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas, kjo u kumtua edhe nga pala bullgare. Kjo ishte për ne pika më e rëndësishme. Kuptohet është e rëndësishme po ashtu që, Bullgaria ta heq bllokadën”, dekaroi kryeministri.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, çfarë mund të pritet tani pas vetos së dytë nga Sofja, Zaev tha se nuk do të jepte shpresa se diçka është e mundshme në tetor, kur është caktuar samiti për Ballkanin Perëndimor dhe për zgjerimin.

“Unë nuk do të prisja tetorin, sepse çdo vit në fund të presidencës sien vendime, tani në qershor, sipas meje vendimi i ardhshëm është në dhjetor. Edhe pse, më 6 tetor është caktuar samiti për Ballkanin Perëndimor dhe për zgjerimin e BE-së, por nuk do t’i ngrisja shpresat për 6 tetor, sepse nuk ka logjikë duke pasur parasysh se vendimet e këtilla, Këshilli i Përgjithshëm dhe Këshilli i BE-së i miraton në fund t gjysëmvjetorit kur përfundon presidenca me një vend të caktuar. Nga 1 korriku është Sllovenia dhe besoj se edhe Slloveni gjithashtu do të tregojë fokus në këtë çështje. Ne vazhdojmë me përpjekje dhe tentime, duke e ditur deri ku guxojmë dhe çka është e lejueshme për negociata, duke shpresuar se sa më shpejtë do të fillojë evropianizimi përmes mekanizmave evropiane, ndërsa ato janë kapitujt. Sepse, evropianizmi ndodh çdo ditë në vendin tonë dhe ne nuk kemi alternativë tjetër në vendin tonë”, theksoi Zaev.

Përndryshe më 22 qershor Bullgaria konfirmoi qëndrimin e saj për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut në takimin e rregullt të Këshillit për punë të përgjithshme në Luksemburg, duke mbetur e hapur për dialog konstruktiv me presidencën e ardhshme sllovene me Këshillin e BE-së në gjetjen e zgjidhjes së ndërsjellë të pranueshme. Vetoja bullgare megjithatë bllokoi të dy vendet Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në procesin eurointegrues.

Kontesti mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për çështje të historisë dhe të gjuhës maqedonase, ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi paraprakisht dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button