EURO 2020 DHE ORIENTALIZMI (2)

Skema mbi epërsinë e europiano-perëndimorit karshi lindorit dhe europianëve të tjerë, eurocentrizmi, që ka qenë pjesë e diskursit të Rudyard Kipling-ut, Hegel-it, Weber-it, reflektohet qartë në ligjëratën e një pjese të analizave sportive. Ja një rast studimor lidhur me mediat britanike: Gazeta “The Sun” suksesin e Turqisë në Kampionatin Botëror 2002 e paraqet si “disfatë” (1 prill 2003): “Turqia arriti në gjysëmfinale duke shmangur përballjen me ekipet europiane, duke luajtur me shtete inferiore në futboll si Kostarika, Kina, Japonia dhe Senegali.”. Ky artikull shenjon Turqinë si një shtet kulturalisht inferior, që ka të përbashkëta me kombet aziatike dhe amerikano-jugore, dhe jo me ato europiane. Në këtë drejtim theksi vihet mbi supremacinë historike angleze mbi Turqinë e dobët politikisht dhe ekonomikisht. Gazeta The Daily Mirror lidhur me EURO 2016 ka shtruar dilemat se si Turqia është pjesë e kësaj gare kur dihet se gjeografikisht 95%-i i këtij vendiui përket Azisë. Mediumi i njëjtë përfaqësuesen turke e në mënyrë pezhorative e ka quajtur “Turkish delight” (llokum turk). The Mail of Sunday futbollistët turq i ka cilësuar si “briliantë”, “më të nxehtit” dhe “seksi”, ndërsa The Guardian si lojtarë të rinj të lindur në Gjermani (22 maj 2016), përshkrim ky që përbën formë të imperializmit. Daily Telegraph (10 tetor 2003) mes tjerash ka shkruar se nëna vajzës së goleadorit Ilhan Mansëz, Aimee, nuk është një turke por një bjonde gjermane me emrin Nina. The Times i të njëjtës datë tifozerinë turke e kishte përshkruar si pasionante, volatile dhe të dhunshme. (Hamid-Turksoy, 2019)

Wilson në shkrimin e tij “Early signs point to Euro 2020” të 14 sadoqë duket west-centrist dhe purist në fakt e pranon realitetin sociologjik të epokës së mondializimit. Thotë se “të flasësh për stilet kombëtare në botën moderne është anakronike.” Nëntë nga njëmbëdhjetë startuesit e Turqisë në ndeshjen me Italinë luajnë për klube të Evropës Perëndimore. Lojtarët që rriten në një vend shpesh përfundojnë në një shtet tjetër. 175 nga 622 lojtarë të EURO 2020-tës luajnë në shtete të huaja, pra jo në atdheun e tyre.

G. Frank pohon se vendet orientale kanë kontribuar në qytetërimin njerëzor përmes perspektivës së tyre specifike. Kjo është evidente edhe në sport dhe futboll. Andaj orientalizimi i europianëve me gjenezë lindore dhe i grupeve imigrante, cilësimet si ilegalë, antisocialë, kriminelë, terroristë (Barbero, 2016) është i pakuptimtë. Sukseset e shumta në fusha të ndryshme të jetës, mes tjerash edhe në sport, të figurave me elemente lindore, myslimane dhe me ngjyrë si Zidane, Özil, Altintop, Adebayor, Sissoko, Abidal, Salah, Ibrahimović, Mane, e shumë të tjerëve janë pjesë e storjes së sukseseve europiane. Sporti është shumë i fuqishëm se nacionalizmat, racizmi, se teoritë konfliktuale, se ndarjet në bazë etnie, ngjyre apo feje.

Si mund të flitet për westernizëm në futboll kur 16 nga 22 lojtarët e Zvicrës në këte europian janë zezakë, myslimanë dhe ballkanas? Puro-europianë nuk janë as 7 lojtarë të kombëtares së Austrisë, 10 të Hollandës, 11 të Anglisë, 5 të Suedisë, 14 të Francës, 6 të Gjermanisë, 10 të Belgjikës. Dhe si mund të pretendohet për fitoren e Perëndimit ndaj Lindjes në futboll kur këto dy hapësira janë të mpleksura brenda vetë Europës? Kombëtaret europerëndimore arrijnë majat edhe në saje të elementit oriental brenda vetes. Imagjinoni një Real Madrid, një Bayern, Chelsea, Milan apo Juventus vetëm me lojtarë të bardhë!  Ç’është më interesantja, kombëtaret e “Europës orientale” (!) janë shumë më europiane racialisht se sa ato Europës perëndimore. Merreni si shembull Kroacinë, Sllovakinë, Ukrainën!

Konstatojmë se ligjërata për Perëndimin dhe të tjerët (the Rest) është ende e gjallë dhe e fuqishme në botën moderne (Hall, 2018) Siç duket Huntingtoni me idetë e veta ka ndikuar edhe në sport, edhe në vështrimet mbi sportin, si ky i Wilson-it që është parcializues, përçarës, që s’ka të bëjë me frymën e vërtetë, miqësuese, përbashkuese të sportit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button