(Intervistë) Sheqerinska: Qeveria nuk beson më në Marrëveshjen e Ohrit

Nacionalizmi i njëanshëm i dy partive në pushtet VMRO dhe BDI momentalisht e shpëton koalicionin por jo Marrëveshjen Kornizë të Ohrit (MKO). Gruevski nuk e do këtë marrëveshje dhe mundohet ta ul atë në nivel sa më teknik. Ndjej se dhe vetë BDI nuk beson më në të duke menduar se MKO nuk i zgjidh problemet esenciale për të cilat kanë luftuar në fillim. Kështu shprehet deputetja e Lidhjes Socialdemokrate, ish zv/kryeminstrja për euro-integrime Radmilla Sheqerinska në një intervistë ekskluzive për PortAlb.mk

Intervistoi: Elida Zylbeari

PORTALB: Ngjarjet e 24 dhjetorit ju detyruan të dilni nëpër rrugë. Sot e kësaj dite ju bojkotoni Kuvendin si dhe zgjedhjet lokale, si e parashihni ju zgjidhjen e kësaj krize politike?
R.SHEQERINSKA: Kur ka probleme serioze, nuk mund ta akuzoni atë që ua tregon se ekziston problemi, por atë që i krijon problemet . Çfarë faji kishte opozita për vendimin e kryetarit të Parlamentit Trajko Veljanovski të dëbojë gazetarët nga salla e Kuvendit, ose për rënien e indeksit të lirisë së mediave, nga vit 2009 e më tej për më shumë se 80 vende, për VMRO-izimin e administratës. Ne e ndryshuam strategjinë sepse nuk ka hapësirë më si të veprohet ndryshe.

PORTALB: Dhe zgjodhët bojkotin, e jo dialogun politik?
R.SHEQERINSKA: Ne disa herë kemi bojkotuar seancat e Parlamentit, jo zgjedhjet dhe çfarë ndodhte? Qeveria pa asnjë brengë, miratonte Rregullore të re me anë të së cilës në mënyrë plotësuese i zvogëlonte kompetencat e opozitës. 
Në Maqedoni koncepti i demokracisë një kohë të gjatë u ndërtua sipas tregimit të Fshatrave të Potemkinit, gjegjësisht sa herë që kalon prijësi ndërtoheshin fshatra të reja që gjithçka të duket perfekt. Domethënë të duket se në Maqedoni ka dhe funksionon Parlamenti, partitë politike, mediumet. Por, pas ngjarjeve të 24 dhjetorit, njerëzit e panë çfarë qëndron pas asaj fasade, u pa se Maqedonia nuk ka demokraci, por vetëm një iluzion të saj. Qeveria kërkon rikthimin e opozitës në Kuvend për të rikthyer dialogun politik? Çfarë dialogu politik? Ai nuk ekziston! Këtë Qeveria nuk e sheh si problem dhe mendon se në zgjedhjet  e fundit ka marrë të drejtën për të udhëhequr me gjithë fatet e qytetarëve, kjo nuk është demokraci e as njëmendësi, kjo që i ndodh Maqedonisë është çmenduri.

PORTALB: Si i vlerësoni reagimet e ndërkombëtarëve për ngjarjet e 24 dhjetorit?
R.SHEQERINSKA: Vitet e fundit, Maqedonia është mësuar me një psikologji fëmije se nëse ndodh një problem serioz politik atë do ta zgjidhin prindërit, në rastin tonë, ndërkombëtarët. Kjo ishte normale kur ende ishim duke u formuar si shtet. Bashkësia ndërkombëtare asnjëherë nuk ka thënë se ata çdoherë do të jenë këtu dhe do të na zgjidhin problemet. Këtë mesazh ne nuk e kuptuar asnjëherë. Kështu ndodhi edhe me 24 dhjetorin, e gjykuan atë që ndodhi, përkatësisht krizën politike dhe kërkuan atë ta zgjidhim ne vetë. 

PORTALB: Ku gjendet Maqedonia tani, në rrugën drejt euro-integrimeve?
R.SHEQERINSKA: Nuk ka asnjë lëvizje përpara për dallim nga vendet fqinje si Kroacia, Mali i Zi, madje dhe Serbia ka më shumë gjasa se ne që në qershor të fillojë bisedimet me Brukselin. Për mua, kjo paraqet një dështim nga i cili nuk mund të ikim, nga vendi prijës në Ballkan jemi radhitur ndër të fundit. Pasi që humbëm disa mundësi anëtarësimi, pa argumentim, jam e bindur se kryeministri Gruevski nuk dëshiron t’i fillojmë bisedimet me Brukselin, por njëkohësisht mundohet ti shmanget përgjegjësisë për këtë. 

PORTALB: Por Gruevski nuk është vetë në Qeveri. Me të është edhe BDI-ja e cila vendosi të nxjerrë Teuta Arifin për kandidat komune në Tetovë. Ju si ish zv/kryeministre për euro-integrime e cila ka qenë në krye të këtij resori në momente kyçe kur vendi mori statusin kandidat për BE, si e shihni këtë manovër të BDI-së? 
R.SHEQERINSKA: Vendimi i BDI-së për të nxjerrë Arifin në Tetovë politikisht mund të arsyetohet sepse ajo është kajmaku i kuadrit të tyre dhe duket që fitoren në Tetovë kjo parti e ka me rëndësi. Por nga ana tjetër, me këtë gjest partia e Ahmetit dërgon një mesazh të fshehtë se ata dalëngadalë bëhen të vetëdijshëm se agjenda evropiane është duke u ikur nga duart. Kot e kanë një zv/kryeministër për euro-integrime kur nuk kanë kryeministër për euro-integrime.

PORTALB: Mendoni se BDI ka devijuar nga qëndrimet e tyre që kishin pas vitit 2001 kur ishte në pushtet me partinë tuaj dhe tani kur gjendet në bashkëqeverisje me VMRO-DPMNE-në?
R.SHEQERINSKA: BDI fitoi eksperiencë. Por, kur fiton eksperiencë ekziston rreziku t’i harrosh idealet. Nuk e di sa në të vërtetë kjo parti e kishte si ideal Maqedoninë sipas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (MKO), por të paktën për të fliste. Maqedonia e Marrëveshjes së Ohrit nuk mund të ekzistojë nëse në të nuk besojnë personat që qeverisin me këtë vend. Jam e bindur se çdo anëtar i BDI-së e din se Gruevski nuk beson në rregullimin e Maqedonisë sipas MKO-së. Dhe çfarë bëri BDI? Vendosi ta pranojë këtë fakt, të mbyll sytë dhe të shkojë më tej. Nuk dua të spekuloj për arsyet pse ata vendosën kështu, e bënë sepse besojnë se si faktor politik duhet të jenë në Qeveri apo se thjeshtë qeverisja është gjë e mirë.
Nacionalizmi i njëanshëm i dy partive momentalisht e shpëton koalicionin por jo MKO-në. Gruevski nuk e do këtë marrëveshje dhe mundohet ta ul atë në nivel sa më teknik. Duke e parë si të tillë këtë marrëveshje, me disa punësime të BDI-së në ndonjë ministri apo aplikimin e gjuhës shqipe në disa ueb sajte të institucioneve, ndjej se dhe vetë BDI nuk beson më në të duke menduar se MKO nuk i zgjidh problemet esenciale për të cilat kanë luftuar në fillim. Kështu që, duke mos besuar të dy paritë qeverisëse në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, ne jemi duke e prerë degën në të cilën qëndrojmë.

PORTALB: Keni pritur mbështetje nga shqiptarët në rezistencën tuaj që e bëni nëpër rrugë, dhe sa realisht keni punuar në drejtim që të merrni mbështetjen e tyre?
R.SHEQERINSKA: Isha shumë e kënaqur që për herë të parë kam dëgjuar shqiptarët të flasin publikisht për problemet e përbashkëta para maqedonasve duke mos e pasur elementin etnik si temë kryesore. Mendoj se edhe shqiptarët nuk ndjehen mirë kur thyhen të drejtat themelore të bashkëvendësve të tyre. Kam folur me njerëz në Gostivar dhe Kumanovë dhe isha e befasuar për të mirë kur pash se sa shumë shqiptar, jo-politikanë më dhanë mbështetje pas ngjarjeve të dhunshme në parlament. 
Jemi munduar tua hapim dyert shqiptarëve në çdo paraqitje tonën publike. Ekziston një rezervë te politikanët maqedonas dhe shqiptar për atë se edhe kur populli pajtohet bashkërisht me politikat tona, në fund ata nuk do ta votojnë partinë e nacionalitetit të ndryshëm. Dhe kjo na çon neve mos mundohemi të ndërtojmë ura mes nacionaliteteve. Por tani qëndron përgjegjësia mbi supet e LSDM-së dhe mendoj se tani partia ynë duhet tua hap dyert jo vetëm votuesve por dhe kandidatëve shqiptarë. Ndoshta kjo tingëllon si një farë heretizmi ndaj BDI-së dhe PDSH-së, por mendoj se edhe ata do të duhet të hapen për kandidatë maqedonas.  

PORTALB: Po politikanët shqiptarë si reaguan ndaj jush për ngjarjet e 24 dhjetorit?
R.SHEQERINSKA: Kolegët e mi shqiptar, jashtë sallës së Kuvendit, në korridor më dhanë mbështetje por nuk kishin guxim këtë ta bëjnë në publik. Por, kjo nuk është mirë sepse kur ndodhi incidenti mes VMRO-së dhe BDI-së ose mes PDSH-së dhe BDI-së ne nuk kishim turp ti mbështesim, jo deputetët e BDI-së, por ata që ishin viktima. Por, fatkeqësisht, njerëzit e njëjtë nuk na mbështetën si që bëmë ne.

                                             
                                             Intervsita me z. Sheqerinska
 
PORTALB: Jeni një politikane me eksperiencë ndërkombëtare, na thoni ju lutem ku qëndron problemi i Maqedonisë, pse ne kemi shume probleme etnike dhe vite me radhë nuk arrijmë ti tejkalojmë?
R.SHEQERINSKA: Është fakt se shoqëritë multi-etnike kanë probleme të shumta dhe të natyrave të ndryshme për dallim nga ata mono-etnike. Këtë duhet ta dimë dhe të jemi psiqikisht të përgatitur se këta shtete janë më të komplikuara dhe më vështirë menaxhohen. Por në Maqedoni problemi shkon më thellë, ne nuk mund ti durojmë dhe menaxhojmë dallimet mes njëri-tjetrit. Ka ardhur koha kur më vështirë mund ti bësh bashkë VMRO-në dhe LSDM-në se sa një shqiptar dhe një maqedonas. Kjo Qeveri krijoi atmosferë të përjashtimit, jo vetëm ndaj shqiptarëve por përjashton secilin maqedonas që mendon apo flet ndryshe nga vetë ata. E gjithë kjo është një pjesë e politikës populiste të tyre dhe për ti manipuluar njerëzit ata shfrytëzojnë dallimet mes tyre. Në Maqedoni, nuk funksionojmë mirë sepse nuk kemi as mbrojtje institucionale që domethënë se nuk të mbron askush ndaj padrejtësive. Më gjithë këto probleme, duke ia shuar faktin se në Qeveri janë personat që nuk e zgjidhin problemin por e bëjnë më keq situatën, që nuk e kanë ngulur fortë spirancën e Marrëveshjes së Ohrit është e dukshme pse nuk mund të funksionojmë normal. VMRO-ja duhet të del nga Qeveria, vetëm në këtë mënyrë do të shpëtohen dhe marrëdhëniet ndër-etnike.

PORTALB: Sa ishte e vështirë për ju si femër të jeni udhëheqëse e një partie të madhe në vend, cilat ishin sfidat e juaja?
R.SHEQERINSKA: Në atë kohë kishin përçarje në parti ndërsa VMRO bëhej shumë e mirë para opinionit. Por në realitet fshehtas dhe ngadalë etablonte diktaturën. Derisa kjo ndodhte disa bënin duartrokitje por më pas e panë se çfarë ndodh realisht. Mendoj se këtë e kisha sfidë më të madhe e jo atë se isha femër. 

PORTALB: Çfarë do bëni më tej ju si opozitë?
R.SHEQERINSKA: Ne duhet të tregojmë se rezistenca qytetare vazhdon, madje edhe në situata kur zgjedhjet do të bëhen për sy e faqe. Shikoni çfarë ndodh në Bullgari, kryeministri jep dorëheqje për shkak të protestave për shtrenjtimin e rrymës. Bullgaria na mban leksione për kulturë politike dhe demokraci. 

PORTALB: Vizioni juaj për Maqedoninë?
R.SHEQERINSKA: Jemi në udhëkryq. Ose do të zgjedhim të ngremë supet dhe të themi s’kemi çka bëjmë , pa zgjedhur krizën politike ndërsa vendi do të vazhdojë të fundoset dhe do merr përpara jo vetëm marrëdhëniet politike por edhe ata ekonomike dhe etnike. Skenari i dytë do të thotë që vendi do të duhet ti ri-kthej 7 vitet e humbura duke punuar në sanimin e marrëdhënieve ndër-etnike dhe kthimit të parave të marra borxh, shuma për të cilat nuk e kemi idenë se sa kanë arritur të bëhen.  /PortAlb 

Lajme të ngjashme

Back to top button