Asgjë e re për Ballkanin Perëndimor as këtë qershor

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Në këshillin e dhjetorit të Bashkimit Evropian për çështje të përgjithshme jo vetëm që nuk u miratua korniza negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por nuk u miratuan as  konkluzione mbi zgjerimin dhe procesin e stabilizimit asocimit. Disa shtete anëtare thjesht nuk ishin dakord me tekstin që i referohej “keqinterpretimeve të historisë”, sigurisht në kontekstin e pranimit të vendit tonë në BE. Dështimi për të miratuar konkluzione të tilla mund të vlerësohet edhe si një rezultat i favorshëm për Maqedoninë, por vetëm nëse injorohet fakti që rezultati përfundimtar ishte i pafavorshëm – negociatat nuk filluan.

Gjashtë muaj më vonë, sërish nuk ka fillim të negociatave. Nuk ka as konkluzione në lidhje me zgjerimin dhe procesin e stabilizimit dhe asocimit. Në rezultatet e Këshillit të BE-së për çështje të përgjithshme më 22 qershor 2021 qëndron vetëm se “Këshilli i ka shqyrtuar proceset e stabilizimit dhe asocimit dhe zgjerimit, si dhe marrëdhëniet me Zvicrën”. Këshilli Evropian mbaron sot, por nuk pritet asnjë kthesë në këto çështje.

Bullgaria nuk e ka ndryshuar pozicionin e saj. Është e qartë se ajo po bëhet më e izoluar dhe nën presion shumë të madh nga vendet e tjera anëtare, por kërkesat e saj mbeten të pandryshuara.

Çfarë ndryshon nga dhjetori e deri tani?

Presidenca Portugeze tejkaloi pritjet me aktivitetet e ndërmarra për të kapërcyer bllokadën bullgare. Ajo doli me propozim konkret – diskutimi mbi çështjet dypalëshe BG-MK të vazhdojë në procesin e stabilizimit asocimit, ndërsa negociatat të zhbllokohen. Fatkeqësisht, propozimi, i cili natyrisht përmban pika të tjera (përfshirë çështjen e ndjeshme të gjuhës), nuk është publik, kështu që çdo koment do të ishte i pabazuar. Pala e Maqedonisë nxitoi ta pranonte atë si një “bazë të shkëlqyeshme”, madje edhe të mbrohej në mënyrë aktive për të dhe të bënte propozime, ndërsa pozicioni i palës bullgare ishte negativ. Një justifikim i lehtë ishte qeveria teknike, pas zgjedhjeve parlamentare, rezultati i së cilës nuk lejoi formimin e qeverisë politike. Megjithatë, parashikimet naive se çështja do të jetë e lehtë ose të paktën e zgjidhshme pas zgjedhjeve parlamentare në Bullgari janë përfundimisht të dështuara. Bullgaria tani po realizon zgjedhje të reja parlamentare në korrik dhe më pas zgjedhje presidenciale në tetor. Duket se ato janë më shumë një justifikim sesa një arsye e vërtetë për të mos ndryshuar pozicionin kornizë bullgar me kërkesa absurde për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Dinamika e tillë politike dhe mesazhet që vijnë nga Bullgaria i zvogëlojnë shanset për të ecur përpara të paktën deri në fund të tetorit 2021. Sidoqoftë, është e qartë se ka arsye më të thella për bllokadën e vazhdueshme nga pala bullgare dhe për këtë arsye nuk duhet të pritet ndonjë rezultat i lehtë edhe pas zgjedhjeve bullgare të korrikut, përkatësisht tetorit.

Pala maqedonase vazhdimisht tregoi proaktivitet dhe konstruktivitet, madje edhe kur nuk ishte e dëshirueshme – pasi mori mesazhe të qarta se Bullgaria nuk do të ndryshonte pozicionin e saj. Megjithatë, kishte një presion të brendshëm në rritje nga opozita, por edhe nga publiku, për transparencë më të madhe për negociatat me Bullgarinë. Në fund, Ministri i punëve të jashtme e informoi Komisionin parlamentar për politikë të jashtme për situatën. Sidoqoftë, nuk u arrit asnjë konkluzion të përbashkët, të cilët i propozoi opozita, pa pajtimin e zakonshëm për çështje të kësaj natyre. Prandaj, në vend që të forconte pozicionin unik të Maqedonisë, rezultati ishte i kundërt. Mbase sfida më e madhe me të cilën përballet vendi ynë është të parandalojë përçarjet e brendshme politike dhe etnike rreth bllokadës bullgare për negociatat Evropiane – diçka që është padyshim qëllimi i udhëheqësve bullgarë.

Ndryshe nga më parë, përpara Këshillit për çështjeve të përgjithshme të BE-së në qershor, qeveria është bërë shumë më e kujdesshme në parashikimet e saj, duke shmangur rritjen e pritshmërive. Megjithatë, pas bllokadës së përsëritur, nuk munguan komente të ashpra nga presidenti Pendarovski dhe kryeministri Zaev.

Pozitive është që zhgënjimi nga mos hapja e negociatave erdhi në një deklaratë të përbashkët të Kryeministrave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut Rama dhe Zaev. Tani që kunji është kthyer dhe Shqipëria i ka përmbushur kushtet për fillimin e negociatave, një qasje tjetër nga pala shqiptare ishte e mundur dhe një kërkesë më e qartë që ajo të binte në sy. Sidoqoftë, aktualisht nuk ka diskonim te vendet anëtare. Megjithatë, do të jetë sfidë për të mbajtur pozicion të përbashkët konsekuent të të dy vendeve, nëse bllokada për Maqedoninë e Veriut vazhdon në plan më afatgjatë dhe Bullgaria nuk e fsheh se po luan kartën e favorizimit të ndarjes së Shqipërisë nga paketa .

Dhe prapë do të përsërisim: duhet të shohim në afat më të gjatë, pa frustrime dhe pa nxitim, duke pasur parasysh fotografinë më të gjerë të asaj që po ndodh brenda BE-së, por edhe më gjerë – në planin global.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button