Të mërkurën është afati i tretë për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme në Maqedoninë e Veriut

Gjysmë maturantët e Maqedonisë së Veriut do të mund të  regjistrohen në shkollat e mesme në vend edhe në afatin e tretë që do të mbahet më 30 qershor, transmeton Portalb.mk.

Pas realizimit të afatit të parë dhe të dytë, në disa shkolla janë mbyllur aplikimet për shkak mbushjes së numrit të caktuar. Në disa shkolla ku ka vende të lira, do të mbahet afati i tretë, afat i cili do të mbahet vetëm më 30 qershor prej orës 07:00 deri më 19:00.

Rezultatet e afatit të tretë do të dalin menjëherë të nesërmen më 1 korrik.

Nxënësit të cilët dërgohen në provimet përmirësuese, provimin vjetor, provime për përparim më të shpejtë, mund të regjistrohen në shkolla ku ka vende të lira pas afatit të qershorit, përkatësisht më 23 gusht, për të cilën ata paraqesin dokumentacion për dëshmi.

Konkursi për vitin shkollor 2021/2022 parashikon në 109 shkolla të mesme – 30.053 vende të lira të nxënësve në 913 paralele, nga të cilat 19.602 në arsimin profesional në 604 paralele, 9.261 në gjimnaze në 274 klasa dhe 1.190 vende të nxënësve në 35 paralele në arsim për art, akademia sportive, shkolla e mesme sportive dhe gjimnazin matematikor – informatik.

Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar Konkursin për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme publike për vitin shkollor 2021/2022, duke përcaktuar tre afate për regjistrim. Afati i parë për regjistrim është mbajtur më 14 qershor (12:00-19:00), 15 qershor (07:00-19:00), 16 qershor (07:00-19:00) dhe më 17 qershor (07:00-15:00).

MASH-i kishte paralajmëruar që në disa shkolla ishin mbyllur vende e lira që në afatin e parë, megjithatë në shumicën e shkollave u realizua edhe afati i dytë. Aplikimi i dytë për vendet e lira u realizua më 22, 23 dhe 24 qershor, ku kishte edhe 16 673 vende të lira, prej të cilave 5 128 për nxënësit në gjuhën shqipe.

Gjithashtu, do të ndahen 200 bursa në vlerë prej 2.200 denarë në muaj, gjatë 9 muajve të vitit për nxënësit e regjistruar në vitin e parë në profesionet deficitare si elektroteknika, makineria, hoteleri-turizëm, ndërtimtari-gjeodezi, bujqësor-veterinari dhe profesioni tekstili-lëkur punues.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button