RMV, për shkak të katastrofave atmosferike, qeveria u paguan fermerëve mesatarisht nga 3.5 milionë euro në vit

Ndryshimet klimatike po imponohen si kërcënim serioz për prodhimtarinë bujqësore në vend. Ministria e bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave dhe Komisioni për dëme në kuadër të Qeverisë së RMV-së u paguajnë fermerëve mesatarisht nga 3.5 milionë euro në vit në bazë të dëmeve nga katastrofat atmosferike, informojnë për “Meta.mk” nga Ministria e bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave ” Meta.mk ”, shkruan Portalb.mk.

Valët e gjata të nxehtësisë dhe thatësira e gjata, breshëri dhe reshjet e rrëmujshme të shiut gjatë muajve të verës, ngrirja e kulturave të mbjella, veçanërisht të pemëve frutore në pranverë për shkak të dimrave të ngrohtë që pasohen nga valë të pazakonta të ftohta, janë disa nga katastrofat atmosferike me të cilat përballen fermerët e Maqedonisë. Temperaturat mesatare gjysmë-vjetore të ajrit në vend shënojnë rritje, e me këtë edhe nevoja për investime në projekte të infrastrukturës kapitale që do të plotësojnë nevojën për ujë për fermerët dhe pjesën tjetër të popullsisë.

Nga Ministria e bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave thonë se nën juridiksionin e tyre janë planifikuar ose janë në fazën e zbatimit sisteme kapitale për ndërtimin e hidro-sistemeve për ujitje dhe diga, si dhe sisteme për furnizim me ujë për banorët në shumën totale prej mbi 307 milionë euro. Përveç që duhet të plotësojnë nevojat afatgjata të ujit për qëllime të ndryshme të popullsisë së rajoneve të caktuara në vend, këto investime kanë për qëllim mbrojtjen nga ndikimi i ndryshimeve klimatike në vend.

Këto janë projektet: diga në lumin e Orizares, diga Konsko në Gjevgjeli, Sistemi HM Raven – Reçica në Pollog, diga në lumin e Sllupçanit, impiantet e trajtimit të ujit të pijshëm në Shtip dhe Karbinci në hidro-sistemin “Zletovica”, ndërtimi i fazës së dytë dhe të tretë të hidro-sistemit Zletovica, ujitja e Luginës jugore të Vardarit, sistemi Disansko Pole – Tikvesh, katër sisteme për ujitje në pellgun e lumit Vardar (Lisiçe, Pepelishte, Vardari jugor – faza e tretë dhe Konsko) dhe dy sisteme të vogla për ujitje – Çaushica dhe Fusha Slavishko.

“Ministria e bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave në fushën e saj të veprimit i kushton vëmendje të madhe dhe merr masa serioze për të mbrojtur tokën bujqësore nga ndikimi i ndryshimeve klimatike. Në të njëjtën kohë, nuk mund t’i ndajmë ato si një zë i veçantë në buxhet për projektet për mbrojtje nga ndryshimet klimatike, sepse ato nuk janë aq të përcaktuara, por ende kemi një sërë masash të ndryshme që krijohen për të zbutur pasojat e ndryshimeve klimatike”, shpjegojnë nga kjo ministri.

Përveç projekteve aktuale dhe të ardhshme kapitale, vitin e kaluar për herë të parë përmes Programit për zhvillim rural filloi mbjellja ajrore e reve për të parandaluar katastrofat natyrore dhe ngjarjet e pafavorshme klimatike mbi të korrat. Përmes programit IPARD 2, përmes masës “Investimet në mjetet bazë të fermave bujqësore”, fermerëve u sigurohet mbështetje financiare duke promovuar përdorim efikas të resurseve dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Në bashkëpunim me FAO dhe DPHM, po zbatohen projektet “Rritja e rezistencës – qëndrueshmërisë së sektorit bujqësor përmes promovimit të praktikave inteligjente bujqësore për klimën” dhe “Fondi i gjelbër klimatik”.

Përndryshe, ndryshimet klimatike të shprehur përmes rritjes së temperaturave mesatare vjetore të ajrit shkaktohet nga emetimet e gazeve serë në botë, të cilat shkaktojnë efektin serë. “Meta.mk“ tashmë ka shkruar për të dhënat zyrtare të Ministrisë së mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, të cilat tregojnë devijime pozitive nga temperaturat mesatare vjetore të ajrit në vend. Në vitin 2019, devijime rekord të rritjes së temperaturës janë regjistruar në Shkup, Gjevgjeli dhe Lazaropole.

Nga ana tjetër, vendi ynë gjatë viteve gradualisht po i ulë emetimet e gazeve serë, veçanërisht në sektorin e energjetikës. Megjithatë, përkundër kësaj, gazrat e dëmshëm në sektorë të caktuar, siç janë transporti, mbeturinat ose pylltaria, vitet e fundit janë rritur si rezultat i rritjes së përdorimit të automjeteve nga popullata, përdorimit të qymyrit dhe lëndëve djegëse të tjera fosile për prodhimin e energjisë elektrike dhe për ngrohje, djegia dhe prerja e pyjeve, deponitë jo standarde dhe norma ekskluzivisht të ulëta të riciklimit dhe kompostimit.

Bashkimi Evropian kërkon prej nesh ta miratojmë Ligjin për veprim klimatik dhe Strategjinë gjithëpërfshirëse të veprimit klimatik në përputhje me Kornizën e BE-së 2030, për të cilën Qeveria pretendon se ata janë në fazat e fundit të përgatitjes dhe do të miratohet deri në fund të vitit 2021.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button