Roli i CEI-it në botën post- komuniste

Disa nisma rajonale ekonomike nga BE-ja dhe shtetet e Evropës Qendrore kanë tentuar të transformojnë Evropën post- komuniste dhe Ballkanin. Një nga ato është Nisma e Evropës Qendrore (NEQ-CEI), tashmë një projekt mjaft ambicioz dhe me efekte që të ndryshojë në rrënjë edhe Ballkanin Perëndimor.

Dihet se në çfarë gjendje ishin shtetet e Evropës Qendrore nën komunizmin sovjetik dhe po t’i shohim sot të njëjtat vende si Sllovakinë, Poloninë dhe Çekinë, do të  bindemi se roli i CEI-it që nga shembja e Murit të Berlinit ka qenë kritike në shoqëritë post- komuniste. Rimëkëmbja e botës që erdhi pas komunizmit dukej e vështirë. Këtu një mision qendror ka luajtur CEI, në veprimtarinë drejt integrimit evropian dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik përmes bashkëpunimit rajonal të vendeve të Evropës Qendrore dhe shteteve të Evropës Juglindore me BE-në. Shkurt për lexuesit tanë, Nisma e Evropës Qendrore (CEI) është një forum rajonal ndërqeveritar i themeluar në vitin 1989 me 17 shtete anëtare prej Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Që nga viti 1996, selia e CEI-it është në Trieshtë të Italisë. CEI promovon lidhjen dhe diversitetin përmes gjashtë fushave kryesore siç janë: qeverisja e mirë, rritja ekonomike, liria e medias, mbrojtja e mjedisit, bashkëpunimi ndërkulturor dhe edukimi/ trajnimi shkencor.

Sipas dokumenteve të themelimit, CEI i zbaton aktivitetet përmes projekteve dhe fondeve të BE-së dhe ndihmës së madhe prej Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. CEI mbështet një Evropë të bashkuar me vlera të përbashkëta që duhet t’i përqafojnë të gjitha shtetet, popujt dhe qytetarët, pasi nxit forcimin e kapaciteteve të shteteve anëtare drejt qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik për stabilitet, kohezion social, qëndrueshmëri mjedisi dhe siguri. Prej këtu, CEI gjithashtu nxit dialogun politik përmes një sistemi shtyllash duke u nisur nga një qasjeje e fortë e orientuar drejt multi-partneritetit. CEI vepron në mënyrë elastike për të rritur bashkëpunimin në nivel ndërqeveritar, ndër-parlamentar, ekonomik dhe atë lokal. Duhet theksuar se dimensioni qeveritar, parlamentar dhe ai ekonomik, përbëjnë bazat kryesore të CEI-it.

Së fundi, takimi i mbajtur nën presidencën e Malit të Zi për vitin 2021 po në Podgoricë, sipas organizatorëve ishte një mundësi për të riafirmuar angazhimin e shteteve anëtare të CEI-it për bashkëpunimin rajonal dhe natyrisht angazhimin e tyre që një ditë të bëhen anëtare të BE-së.  Gjatë këtij takimi anëtarët e shteteve kanë trajtuar strategjinë e procesit të zgjerimit, me një vështrim mbi metodologjinë e zgjerimit dhe masat për të zbutur pasojat nga pandemia COVID-19. CEI dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një varg detyrash në këtë forum. Një ndër ta është forcimi i kapaciteteve të rregullimit të energjisë prej autoriteteve e cila në fakt ju vjen në ndihmë organeve zyrtare për të kuptuar rëndësinë e një rregullimi të lirë dhe konkurrues të energjisë. Kjo në fakt vlen për shtetet e Ballkanit e në veçanti për autoritetet e Maqedonisë së Veriut e cila si anëtare e CEI-it duhet të ketë parasysh natyrën konkurruese dhe çmimin e volitshëm të energjisë për konsumatorët. CEI gjithashtu ka mbështetur dhe vazhdon të japë kontribut për ngritjen e kapaciteteve për personelin mjekësor që janë në linjat e para për të luftuar COVID-19.

Rritja ekonomike gjithashtu është në fokus të CEI-it. “Ndërtimi i lidhjeve drejt integrimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe rimëkëmbjes së bashku me vlerat e sigurisë, stabilitetit dhe solidaritetit, është një pikë e  fortë kundër ringjalljes së nacionalizmit…”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i CEI-it Roberto Antoni.

Promovimi i koncepteve si qëndrueshmëria, gjithëpërfshirja dhe zhvillimi lokal,  përmes një bashkëpunimi efektiv parlamentar është rrënjosur në punën e  CEI-it. CEI ka një strukturë mjaft dinamike të organizimit dhe shpërndarjes së fondeve që kanë për qëllim  stabilitetin dhe zhvillimin e rajoneve post- konfliktuale. Duhet nënvizuar se heqja e roamit nga qeveritë e rajonit për qytetarët e Ballkanit, është një hap i duhur që shpie drejt bashkimit. Mbetet që shtetet të punojnë në ndërtimin e kapaciteteve organizative, të qeverisjes së mirë dhe të vazhdojnë  kursin e deritanishëm drejt BE-së. Ndryshe, rritja e pesimizmit do të ishte fatale për qytetarët dhe shtetet anëtare të forumeve dhe organizatave rajonale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button