SHKRETËT

Shkret është emri me të cilin të tjerët i quajnë shqiptarët ortodoksë Rekës së Epërme dhe jo vetëm, të tjetërsuar sot tërësisht në aspektin gjuhësor e kulturor. Këtë emër e morrën pas asimilimit të dhunshëm fillimisht nga pushteti serb e më pas nga pushteti komunist maqedonas. Shqiptarët tjerë janë në gjum dhe dinë pak ose aspak për ta, kurse fqinjët që janë të prirur të kërkojnë rrënjët e lashtësisë aty ku nuk i kanë, u dalin zot trojeve të shkretëve dhe përvetësojnë trashëgiminë e tyre të pasur materiale e shpirtërore. Për ta bërë më të besueshëm mashtrimin që s’e beson bota, pseudoshkencëtarët maqedonas edhe etimologjinë e fjalës shkret e nxjerrin nga fjala shqipe shkja, me të cilën të parët tanë i kanë quajtur vetëm sllavët që e paskan pranuar me dhunë gjuhën shqipe! Kaq u mjafton shakaxhinjëve të shkencës për të mbjellur pallavra në kokat e brezave të rinj nëpërmjet teksteve skandaloze shkollore, me të cilët, mjerisht, mësojnë edhe nxënësit shqiptarë. Natyrisht, pseudohistorianët e kthejnë të vërtetën kryetëposhtë dhe asimilimin e dhunshëm të shqiptarëve ortodoksë në maqedonas e konvertojnë në asimilim të dhunshëm të shkretëve në shqiptarë. Habit e dhëna se kjo kripje trushë ndodh në një kohë kur edhe laraskat e dinë se, të paktën nga koha e ardhjes së osmanëve në gadishullin ballkanik, shqiptarët u sakrifikuan më shumë se kushdo tjetër për mbrojtjen e trojeve stërgjyshore. Pseudohistorianët shqiptarofobë mjafton ta lexojnë ndonjë nga veprat e shumta të autorëve të huaj mbi luftën 25 vjeçare antiosmane të Gjergj Kastriotit, ose, akoma më mirë, veprën Kryengritja e Dervish Carës” të Aleksandër Matkoskit, për ta kuptuar se ishim ne ata që në shëkullin e XIX bëmë kryengritjen antiosmane me shtrirjen më të madhe gjeografike (nga Struga gjer në Vrajë), të njohur edhe si Kryengritja e Tanzimatit (1843-1844). Ky libër, në mos tjetër, ndoshta do t’i bënte të turpërohen prej dokrave me prapavijë politike, sipas të cilave shqiptarët e paskan populluar territorin e Maqedonisë së Veriut në fillim të shekullit XIX.

Është interesante se gënjeshtrat e pseudohistorianëve maqedonas mbështeten kryesisht në thashetheme dhe në gënjeshtrat e pseudohistorianëve serbë, duke harruar faktin se këta të fundit vërtet shkruajnë keq për ne, megjithatë shkruajnë, kurse maqedonasit nuk i përmëndin e nuk i njohin fare. Kjo të shtyn të dyshosh në shërbim të kujt janë “shkencëtarët” që u referohen veprave të autorëve të cilët s’ua njohin as shtetin, as gjuhën, as kulturën, as fenë.

Por ta lëmë këtë paradoks për t’u ndalur shkarazi në “argumentet” me të cilët hyzmeqarët e politikave destruktive “dëshmojnë” se  shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e sotme të Veriut qenkan ardhacakë dhe pushtues të dhunshëm të tokavë biblile maqedonase.

Sipas tyre:

  • Shqiptarët e besimit ortodoksë janë sllavë, sepse kanë emra sllavë.
  • Shqiptarët në tërësi janë uzurpues të tokave sllave, sepse toponimet dhe mikrotoponimet e vendbanimeve të tyre janë në gjuhën maqedonase.
  • Asimilimin gjuhësor e kulturor të shkretëve të Rekës dhe jo vetëm, e bënë me dhunë të tmerrshme kaçakët (cubat) shqiptarë të besimit musliman.
  • Asimilimin e nxitën dhe ndihmuan pashallarët shqiptarë gjatë sundimit osman.
  • Një pjesë e shkretëve e pranuan gjuhën shqipe me qëllim që t’i kuptojnë sulmuesit e tyre, që kur të vijë rasti i volitshëm t’i qërrojnë hesapet me ta.
  • Për të shpëtuar brezat e ardhshëm nga dhuna e kaçakëve, parësia e shumë qyteteve shqiptare si Korça, Devolli, Pogradeci…, në vitin 1870 paskan vendosur që shkretët ta braktisin gjuhën maqedonase dhe të nisin të flasin vetëm në gjuhën shqipe…

Kësi “argumentesh shkencore” hasen me bollëk në shumë pamflete politike pseudoshkencëtarësh, që nga Enciklopedia skandaloze maqedonase e ASHQM, që u tërhoq pro forma  nga qarkullimi…, sepse në këtë shtet askush nuk jep llogari për fyerjen e shqiptarëve. Shi për këtë shtrohet pyetja: cila është e ardhmja e vendit të çudirave dhe mos është pak herët të shëtisim kopshteve të gjelbra pa i mbyllur mirëfilli shtonat që gjenerojnë pabarazi dhe konflikte?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button