Zaev: Liderët evropian patjetër të gjejnë formulë që të mbajnë fjalën për zgjerimin e BE-së

Zhgënjimet e pafundme dhe të përsëritura në mënyrë të pashmangshme hapin derën dhe inkurajojnë euroskeptikët, thotë Kryeministri Zoran Zaev duke u kërkuar liderëve evropianë të gjejnë mënyrë për të mbajtur fjalën dhe për të vazhduar zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, përcjellë Portalb.mk.

Pas edhe një vetoje tjetër nga Bullgaria për fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në, Zaev thotë se integrimi evropian nuk duhet të mbahet peng i çështjeve bilaterale dhe negociatat me BE-në nuk duhet të kthehen në negociata me Bullgarinë.

“Përparimi ynë në integrimin në BE duhet të varet kryesisht nga reformat e brendshme në lidhje me kapitujt, legjislacionin e BE-së dhe arritjen e standardeve evropiane. Liderët evropianë duhet ta marrin seriozisht faktin se zhgënjimet e pafundme dhe të përsëritura në mënyrë të pashmangshme u hapin derën dhe inkurajojnë euroskeptikët. Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet të gjejë formulë se si ta mbajë fjalën e saj dhe të vazhdojë zgjerimin në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Zaev në Facebook mëngjesin e sotëm.

Kryeministri thotë se futja e çështjeve bilaterale në negociata është një precedent i rrezikshëm dhe se është qëndrim i ndarë nga të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së.

“Identiteti kombëtar maqedonas është thjesht i pamundur të jetë subjekt i negociatave. Askush dhe me asnjë akt nuk duhet të vë në dyshim dinjitetin njerëzor, barazinë dhe solidaritetin, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut”, tha Zaev.

Dje, presidenti bullgar Rumen Radev tha se “është koha që të gjithë të kuptojnë se përshpejtimi i perspektivës evropiane për vendin tonë fqinj varet vetëm nga angazhimi dhe rezultatet e dialogut me Bullgarinë”, duke shtuar se tema e fillimit të negociatave midis Maqedonisë dhe BE-së u pezullua nga liderët evropianë me insistimin bullgar.

Përndryshe Bullgaria më 22 qershor edhe një herë e bllokoi miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave për aderim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE) gjatë sesionit të Këshillit për çështje të përgjithshme të BE-së që u mbajt dje në Luksemburg.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button