Kundërthënie midis Rusisë dhe Britanisë për incidentin në Detin e Zi

Moska dhe Londra vazhdojnë të bëjnë deklarata kundërthënëse rreth incidentit në Detin e Zi, që ndodhi një ditë më parë.

Rusia paralajmëroi të enjten se është e gatshme të hapë zjarr kundër luftanijeve, që hyjnë në ujërat territoriale të Gadishullit ukrainës të Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar në vitin 2014, transmeton REL.

Moska tha se anija e saj luftarake ka shkrepur të shtëna paralajmëruese të mërkurën, ndërsa një aeroplan i saj ushtarak ka hedhur bomba në rrugën e luftanijes britanike HMS Defender, për ta detyruar atë që të ndryshojë drejtim, nga zona afër qytetit krimean të Sevastopolit.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë mohoi që HMS Defender është qëlluar ose ka qenë në ujërat ruse.

Ajo tha se luftanija e saj ka qenë në ujërat e Ukrainës, derisa udhëtonte për në Gjeorgji.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, përsëriti të enjten se “nuk ka pasur asnjë të shtënë”, pasi anija britanike “po lundronte në ujërat territoriale të Ukrainës”.

“Ne po e bënim këtë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe karakterizimi rus është i pasaktë”, tha Raab.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se versioni britanik i ngjarjeve është “një gënjeshtër e pacipë”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia është e gatshme t’i shqyrtojë të gjitha mënyrat e përgjigjeve ndaj “veprime provokuese”.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, kërcënoi me hedhje të bombave, nëse incidente të tilla përsëriten.

Sipas ligjit ndërkombëtar detar, një anije mund të kalojë nëpër ujërat territoriale të një shteti tjetër, për aq kohë sa ajo nuk ndikon në sigurinë e tij.

Rusia i konsideron zonat përreth bregdetit të aneksuar të Krimesë si ujëra ruse.

Vendet perëndimore thonë se Krimea është pjesë e Ukrainës dhe i hedhin poshtë pretendimet e Rusisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button