Sonte Europa League, vendosen finalistët e 1/8

Sonte do të jetë dita e tretë me rradhë e cila do të sjellë emocione në terenet e futbollit në mbarë Evropën. Liga Evropa sjell ndeshjet e kthimit të 1/16 së finales, ku priten disa duele interesante, me mbrojtësin e titullit, Atletiko Madridin që në fushë të Rubin Kazanit do të tentojë të kompensojë negativën 2:0 nga ndeshja e parë.

Pasi dy ditë me rradhë kishim mundësi të ndjekim takime interesante në kuadër të Ligës së Kampionëve, pritet që emocionet të vazhdohen në Liga Evropa. Kampionët në fuqi të Ligës së Kampionëve, Çelzi, me epëri 1:0 nga ndeshja e parë në fushë të vet presin Sparta Pragën, në duelin ku drejtësinë do ta ndajnë arbitra nga Maqedonia në krye me Aleksandar Stavrevin. Liverpuli takohet me Zenitin, në kërkim të përmbysjes së negativës 2:0 nga ndeshja e parë. Në situatë të vështirë do të jetë Napoli i Xhemajlit, Pandevit dhe Behramit, të cilët në udhëtimin me Viktoria Plzenit shkojnë me negativë 3:0 nga takimi i parë në Itali. Bordo dhe Dinamo Kievi pritet të sjellin emocione, pas barazimit 1:1 në takimin e parë, e ndërkohë që Benfika me epërsi 1:0 pret Leverkuzenin. Olimpikaosi do të ketë të vështirë të kompensojë disfatën 3:0 nga Levante, njëjtë si Steua me negativë 2:0 pret Ajaksin. Nga ora 19:00 Lacio e Canës takohet me Borusia Mynshengladbahun e Xhakës, deri sa të dyja ekipet shpresojnë në kualifikim, pas barazimit 3:3 në Gjermani. Bazeli, Interi dhe Totenhemi, hyjnë me epërsi në transfertat me Dnjipron, Kluzhin dhe Lionin. 

Ndërkohë mbrëmë shumë emocione në Ligën e Kampionëve, kur Milani mundi Barcelonën 2:0 në super-duelin e 1/8 së finales. Katalanasit vinin si favorirë, mirëpo morën goditjen e parë në minutën e 57-të kur Milani avanson me golin e Boatengut edhe pse pak para goditjes së ganezit, duket se kishte prekje të topit me dorë nga vendasit. Barcelona tentoi të barazojë, mirëpo ishte Milani që solli golin e dytë në minutën e 81, me anë të Muntarit. Në duelin tjetër të mbrëmjes në Stamboll, Gallatasaraji i forcuar me Snajderin dhe Drogban, nuk mundi të shkojë përtej një barazimi 1:1 me Shalken. Vendasit avansuan me anë të Jilmazit në minutën e 12-të, ndërsa miqtë barazuan me anë të Xhonsit në minutën e fundit të pjesës së parë. Ndeshjet e kthimit në program janë më 12 mars.

Lajme të ngjashme

Back to top button