Tetovë, skejtparku i shkatërruar për të cilin informoi Portalb-i do të rikonstruohet gjatë verës, tha Arifi

Skejtparku i shkatërruar për shkak se ishte lënë pas dore nga ana e komunës së Tetovës, për të cilën disa javë më herët informoi Portalb.mk pritet që të rikonstruohet gjatë kësaj vere. Sot kryetarja Arifi theksoi se ai park do të kthehet në formë të mirë, duke shtuar se aty do të vendoset edhe ndriçimi publik, shkruan Portalb.mk.

Hapësira afër Stacionit të Autobusëve në Tetovë që dikur dukej me shumë ngjyra dhe një ndër vendet e rralla ku rinia e këtij qyteti kishin mundësinë të organizojnë ngjarje të ndryshme, sot është lënë në mëshirë të fatit.

Teuta Arifi, foto: Komuna e Tetovës.
Teuta Arifi, foto: Komuna e Tetovës.

Sot në një konferencë për shtyp kryetarja e komunës së Tetovës premtoi që gjatë stinës së verës do të punohet që ky skejtpark të kthehet në formë më të mirë, ajo shtoi se aty do të vendoset edhe ndriçimi publik.

“Absolutisht edhe atë park do të mundohemi ta kthejmë në formë të mirë, të korrigjojmë aty ku duhet. Meqenëse skejtparku është vazhdim natyror i parkut, edhe për atë kemi ndarë buxhet që ta kthejmë në formë. Gjatë verës aty do të punohet. Te skejtparku do të vendoset ndriçim publik, pas kësaj do të shohim se çfarë mund të shtohet së bashku me ndriçimin” tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Dy javë më herët, të rinjtë morën punët për pastrimin e skejtparkut në duart e tyre

Disa aktivistë të rinj nga Tetova dy javë më herët bënë pastrimin e kësaj hapësire nga mbeturinat, kositjen e barit, lyerjen e ulëseve të cilat ishin vjetërsuar si dhe rehabilitimin e përgjithshëm të tij nga vandalizmi i qytetarëve dhe nga mosmirëmbajtja institucionale.

Një nga organizatorët e iniciativës për pastrim, Ramadan Murtezani, potencoi për Portalb.mk se kjo nuk është hera e parë që në mënyrë vullnetare pastrohen hapësirat e ndryshme në Tetovë, sipas tij, kjo zgjidhje është e përkohshme ndërkaq bëri thirrje që institucionet të ndërmarrin masa konkrete për pastërtinë e qytetit.

Zëri i të rinjve për mbrojtjen e kësaj hapësire has në vesh të shurdhër tash dy vite

Thirrje për mirëmbajtjen e të njëjtës nga institucionet përkatëse nga “Socio Cultural Space Tetova” kanë bë dy vite më herët, ku edhe të njëjtit përmes një video incizimi kishin vërtetuar një sërë mbeturinash në këtë vend.

Në mes të tjerash, ata kanë kërkuar edhe ndriçim në këtë pjesë të qytetit, siguri dhe mbajtje e rendit publik, mirëmbajtje të rregullt të hapësirave të gjelbra e kështu me radhë. Sidoqoftë, secila nga këto kërkesa të tyre ka hasur në vesh të shurdhër.

Kryetarja u fotografua dhe e promovoi projektin, por lejoi shkatërrimin e tij disa muaj më vonë

Teuta Arifi, 2018
Teuta Arifi, 2018

Përkundër nevojës për mirëmbajtje të kësaj hapësire, nga Komuna e Tetovës nuk e panë të arsyeshme të përgjigjen në pyetjet e Portalb.mk në lidhje me këtë.

Rikujtojmë se në momentin kur u ndërtua ky skejtpark, kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ishte në vendngjarje nga ku u fotografua dhe projektin e promovoi në rrjetet e saja sociale.

Përveç kësaj, ajo në takim i kishte ftuar edhe iniciatorët e këtij projekti, të cilëve në mes të tjerash u kishte premtuar se përmes Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) do të mirëmbahet hapësira rinore, gjegjësisht skejtparku, kjo nuk ndodhi.

Ndryshe, kjo hapësirë së bashku me atë në ish Radio Tetova u realizua nga 45 vullnetarë të organizatës joqeveritare Toestand nga Belgjika, diku 20 nga organizata joqeveritare Termokiss nga Kosova si dhe vullnetarë të organizatës joqeveritare Democracy Lab nga Tetova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button