RMV dy kilometrat e para të autostradës Shkup-Bllacë nuk do të jenë gati as këtë verë

Maqedonia e Veriut ende nuk ka ndërtuar pjesën e parë të autostradës Shkup – Bllacë. Edhe pse projekti përflitet prej shumë vitesh, vendi nuk ka gati as këtë verë 2 km e para të autostradës. Nga NP Rrugët e Maqedonisë thanë për Portalb.mk se kanë përfunduar fazat përgatitore dhe ndërtimi ka filluar.

“Ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë ka filluar dhe në pajtueshmëri me dokumentacionin e dakorduar, kontraktuesi ka filluar punën më 27.07.2020. Deri në këtë moment kanë përfunduar të gjitha fazat përgatitore dhe tani punohet në punimet e tokës, gërmim dhe argjinaturë, si dhe në punimet e betonit dhe kullimin”, thanë nga ky institucion.

Prej atje kanë shtuar se, në bazë të marrëveshjes që kanë bërë me kontraktuesin, afati për përfundimin e ndërtimi është një vit e gjysmë. Që do të thotë se, dy kilometrat e para të kësaj autostrade mund të jenë gati në fund të këtij viti, nëse kontraktuesi i përmbahet marrëveshjes.

“Ndërtimi i dy kilometrave të para të autostradës në pajtueshmëri me dokumentacionin e dakorduar është 18 muaj nga dita e fillimit të punës”, konfirmuan nga NP Rrugët shtetërore.

Shuma e ndërtimit të dy kilometrave nga kjo autostradë kushton rreth 12,2 milionë euro pa TVSH. Punët ndërtimore zhvillohen me mjete të siguruara financiare nga buxheti i NP Rrugët Shtetërore.

Kontrata e ndërtimit me kompaninë e ndërtimit “Granit” u nënshkrua në janar të vitit të kaluar.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për realizim të fazës së parë të autostradës Shkup-Bllacë përpara më shumë se një viti, premtimi ishte se verën e ardhshme, përkatësisht këtë verë, do të mbarojnë dy kilometrat e parë të autostradës nga pika kufitare “Bllacë” deri te kryqëzimi i fshatit Bllacë.

Faza e dytë e autostradës Shkup-Bllacë përfshin ndërtimin e trasesë nga kryqëzimi afër fshatit Bllacë deri në kryqëzimin në unazën e Shkupit. Rruga prej 10.5 kilometrash është hartuar nga konsorciumi “IPf7”, i udhëhequr nga Hill International. E gjithë autostrada nga Shkupi deri në Bllacë është e ndarë në dy faza, gjithsej 12.5 km të gjata dhe ndërtimi i tyre pritet të kushtojë mbi 110 milionë euro.

“Meta.mk“ dhe Portalb.mk kanë shkruar për nevojën e përshpejtimit të procedurës për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, duke pasur parasysh faktin se Kosova tashmë ka përfunduar pjesën e saj të punës, ndërsa kilometrat e mbetura nga pika kufitare “Bllacë” deri në Shkup aktualisht zhvillohen vetëm në një korsi për secilin drejtim. Rruga është plot gropa dhe nuk është e rrafsh, megjithëse në të ka frekuencë të zmadhuar të automjeteve.

Kosova është partneri ynë tregtar në të cilin ne eksportojmë më shumë sesa importojmë mallra në vit, ndërsa shumë banorë të këtij vendi shpesh vijnë për të blerje dhe për shërbime të tjera dhe lënë mjete të konsiderueshme financiare në vendin tonë. Përveç përfitimit ekonomik, autostrada përmes Kosovës aktualisht është lidhja më e shpejtë rrugore me portet e Tivarit dhe Durrësit për kryeqytetin e Maqedonisë dhe pjesët veriore të vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button