Kolos Curri: Vetëm me disiplinë mund të arrijmë synimin tonë final (VIDEO)

Në të shumtën e rasteve, ku në një familje kultivohet muzika e mirëfilltë shqipe, fëmijët e tyre orientohen te profesioni i muzikë. Kjo ka ndodhur edhe me Kolos Currin, profesor i pianos në shkollën e muzikës si dhe udhëheqës i sektorit të muzikës në Qendrën Informative Kulturore – Shkup, shkruan Portalb. Kolosi tani e shumë vite interpreton në instrumentin e pianos. Përzgjedhja e pianos i erdhi nga filmi vizatimor Tomi & Xheri në skenën kur Tomi interpretonte në piano.

“Gjatë këtij rrugëtimi profesional muzikor kam qenë pjesëmarrës në shumë gara, koncerte e seminare të ndryshme, ku edhe kam dal me rezultate shumë të mira. Nga garat do t’i veçoja “Perlat e Liqenit” në vitin 2018 në Strugë, ku në kategorinë e muzikës klasike u shpërbleva me çmimin më të lartë, pra “Perla e Liqenit”, si dhe çmimin special në Kavadar në kategorinë e muzikës kamertale, gjegjësisht kategorinë piano katër duar.” tha Kolosi.

Sa u përket koncerteve, Kolosi ka interpretuar në disa koncerte brenda dhe jashtë vendit, si solo ashtu edhe në bashkëpunim me solo këngëtarë dhe instrumentistë të ndryshëm. Ai planifikon të vazhdojë me bashkëpunime edhe gjatë këtij viti.

“Për mendimin tim, suksesin e një muzikanti e përbëjnë disa elemente, e unë do t’i kisha veçuar disiplinën në ushtrime. Vetëm me disiplinë mund të arrijmë synimin tonë final, profesionalizmin, përpikshmërinë në punë, si dhe vullnetin e mirë për të bërë diçka më tepër dhe më mirë se tjetri.” u shpreh Curri.

Mesazhi që Kolosi përcolli për të gjithë artistët e rinj është:

“Mesazhi im për të gjithë artistët e rinj, edhe pse edhe unë jam pjesë e kësaj kategorie, është të japin maksimumin në ndërtimin e tyre profesional, ta sakrifikojnë veten dhe kohën e tyre në ushtrime dhe punë dhe sigurisht se suksesi nuk do të mungojë.” përmbylli Kolos Curri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button