RMV, për 9 muaj deputetëve u janë paguar 193.000 euro shpenzime rrugore vetëm për të treguar kartelën në kuvend

Për tre muajt, që nga kjo përbërje parlamentare, për shkurt, mars dhe posaçërisht për prillin kur disa prej tyre shkonin thjeshtë për t’u paraqitur me kartelën dhe iknin nga Kuvendi, janë paguar shpenzimet rrugore në vlerë prej 73 mijë eurosh, transmeton Portalb.mk.

Gjithsej, që nga konstituimi i Kuvendit në gusht të vitit të kaluar, kjo përbërje parlamentare më joefikase, i ka kushtuar shtetit gati 200 mijë euro duke përfshirë prillin. Pagesa rrjedh edhe për majin, megjithëse ka shumë pak seanca.

Prilli ishte më ‘horrori’, kur deputetët e opozitës qëndronin para derës së sallës plenare dhe nuk hynin të punojnë. Kryetari Talat Xhaferi i luste që të hynin në sallë, duke i kujtuar se ishte turp për ta që të vijnë thjesht të verifikojnë ardhjen me kartelë për shpenzimet rrugore dhe të mos punojnë.

Por pikërisht në prill janë edhe shumat e paguara rekorde të shpenzimeve rrugore.

Mbajtësi i rekordit në shpenzimet e paguara rrugore është deputeti Dajanco Eftimov (VMRO-DPMNE) nga Vasileva. Për 8 muaj, nga arka e Kuvendit janë paguar 7,620 euro. Për muajt shkurt, mars dhe prill, Eftimov ka marrë 2,750 euro për shpenzimet rrugore.

Në vendin e dytë është deputeti Petar Risteski (VMRO-DPMNE) nga Prilep, i cili në prill ka marrë shpenzimet rrugore shumë më të larta se paga e tij prej deputeti me rreth një mijë euro. Risteski vetëm për prillin ka marrë 86,836 denarë të shpenzimeve rrugore, plus pagën, kurse për shkurtin, marsin dhe prillin gjithsej 3,186 euro. Në 9 muaj, prej se është deputet, ai ka tërhequr 7,278 euro nga Kuvendi.

Pothuajse të njëjtën shumë për më pak se një vit të këtij mandati, ka marrë deputeti Surija Rashidi (Aleanca për Shqiptarët) nga Ladorishta. Deri më tani, ai ka marrë 7,174 euro vetëm për shpenzimet rrugore. Për shkurtin, marsin dhe prillin joproduktiv, Rashidi ka marrë 2,397 euro.

Deputetja e Strumicës, Jadranka Pockova nga VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, deri tani ka marrë 6,131 euro, ndërsa për shkurtin, marsin dhe prillin, kur kolegët e saj nuk hynë në sallën plenare vetëm të mos ketë kuroum për punë, ajo “shënoi” shumën 2,163 euro shpenzime rrugore.

Sipas shumës së paguar, vijon deputetja Angelinka Petkova (VMRO-DPMNE) nga Gjevgjelia. Për tre muaj, ajo ka marrë 2,262 euro, kurse nga gushti, ka marrë 5,800 euro për shpenzime rrugore.

Vijon deputetja nga LSDM-ja Sonja Mihailovska nga Dellçeva, me gjithsej 5,252 euro për shpenzimet rrugore nga gushti deri në prill.

Bashkëpartiakja e saj, Dragica Gjavoçanova nga Gjevgjelia për shkurt, mars dhe prill, të cilat janë të dhëna të plota, arriti në 2,126 dhe gjithsej 5,144 euro.

Sipas rendit, afër Gjevgjelisë janë: Mile Lefkov (VMRO-DPMNE) nga Koçani me 2,144 euro për tre muaj dhe 4,800 euro nga gushti deri më tani, pastaj Panço Minov (LSDM) nga Kavadari me 1,474, ose 4,663 euro për shpenzime rrugore, Zoranço Jovançev (VMRO-DPMNE) nga Kavadari me 1,650 euro për tre muaj dhe gjithsej 4,218 nga gushti deri më tani dhe Mirçe Axhioski (VMRO-DPMNE) me 2,008 ose gjithsej 4,117 euro që kur është deputet nga gushti, por deri në prill.

Lolita Ristova e LSDM-së nga Negotina ka marrë gjithsej 4,064 euro deri më tani. Arbana Pasholli nga BDI-ja, e cila vjen nga Dibra, nga gushti i vitit të kaluar deri në prill ka marrëi 4,037 euro për shpenzimet rrugore.

Dafina Stojanovska (VMRO-DPMNE) nga Gostivari ka marrë gjithsej 3,908 euro, nga të cilat 1,473 janë për shpenzimet rrugore për shkurt, mars dhe prill, kur grupi parlamentar nuk ishte i pranishëm në seanca.

Ditët kur duhej të sillej paketa e masave për ndihmë për qytetarët dhe ekonominë në prill, Kuvendi arriti fundin. Deputetët nga VMRO-DPMNE-ja i bënin hyrje-dalje Xhaferit, përderisa ai i thirrte që të hyjnë në sallë, të mos qëndrojnë para derës ose të mblidhen në Qendrën tregtare të qytetit, kur tashmë ishin nënshkruar në kontabilitet për shpenzimet rrugore. Në fund, dy deputetë të infektuar me koronavirus nga LSDM erdhën me skafanderë dhe votuan.

“101 deputetë janë nënshkruar këtu, do të merrni shpenzimet rrugore. Katë vjet ju mbroj se që nuk është kështu, por ju goditni veten në kokë dhe nuk vini në vete. Nuk mund t’ju thirrl çdo ditë këtu, të paguajmë shpenzimet rrugore për 100 deputetë dhe të kemi 50 deputetë, 58, 59 deputetë në seancë. Pse? Sepse kështu vendosi komiteti ekzekutiv i ndonjë partie. Do të presim që të shërohen deputetët e shumicës, kështu që do t’i miratojmë ligjet”, bërtiste Xhaferi i nervozuar në prill.

Hera e fundit që u mbajt seancë parlamentare ishte më 10 qershor. Atëherë, sikur deputetët të ishin lëshuar deputetët bashkë me nxënësit dhe gjimnazistët. Sot duhet të mbahet seanca për pyetje deputetësh, e cila mbahet një herë në muaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button