RMV, temperatura të larta mëngjesi dhe paralajmërime për mbrojtje nga vala e të nxehtit – vendi ndodhet në fazën portokalltë

Nën ndikimin e një vale të nxehtë me temperatura të larta sot dhe nesër, vendi është në fazë të portokalltë (alerte). Në përputhje Planin Aksional për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit në shëndetin e popullatës, rekomandohet të lirohen nga puna grupet më të rrezikuara të popullsisë, përfshirë gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, kurse fëmijët në kopshte të mos ekspozohen në ambient të hapur nga ora 11:00 deri në orën 17:00, përcjellë Portalb.mk.

Sipas DPHM, gjatë ditës do të ketë vransira lokale të vogla deri mesatare. Do të fryjë një erë e lehtë deri mesatare nga veriperëndimi. Pasdite do të ketë kushte për shfaqje të izoluar të shiut afatshkurtër dhe bubullima të rralla. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 15 deri në 23 gradë, kurse maksimale do të arrijë nga 33 në 41 gradë, ndërsa indeksi UV do të jetë 9.

Edhe në Shkup priten re të lehta deri mesatare me erë të lehtë deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 20 dhe maksimale do të arrijë 40 gradë.

Nga Ministria e Shëndetësisë kujtojnë masat e përgjithshme të mbrojtjes që duhet t’u përmbahen qytetarët, veçanërisht në këto ditë jashtëzakonisht të nxehta.

“Të qëndrohet më shumë brenda (kryesisht me ajër të klimatizuar), ndërsa gjat[ nevojës së domosdoshme për të qëndruar jashtë, të gjendet mundësinë për pushim më të shpeshtë në hije. Të vishen rroba të ndritshme dhe të lehta, ndërsa gjatë ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell, të mbahen syze mbrojtëse dhe kapelë dhe të përdoret krem ​​me faktor të lartë mbrojtës. Të hahet më pak ushqim, kryesisht fruta dhe perime, dhe më pak ushqime me yndyrë. Pini shumë lëngje, më mirë ujë dhe shmangni pijet alkoolike. Gjatë hyrjes në automjet, është e nevojshme të ajrosni atë për një periudhë të caktuar kohe”, rekomandojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministria gjithashtu rekomandon që njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për punë sociale në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit të kenë qasje më aktive dhe të ofrojnë ndihmë për njerëzit e vetëm, të moshuarit, të dobëtit dhe të pastrehët.

Për shkak të temperaturave të larta dhe mundësisë së shtuar të helmimit me ushqim dhe sëmundjeve infektive të zorrëve, rekomandohet të lani produktet bujqësore-kopshtit (perime dhe fruta të freskëta) para përdorimit të tyre, përgatitjes termike të ushqimit dhe konsumimit të tij menjëherë pas përgatitjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button