RMV, padi ndaj tetë personave për armëmbajtje, terrorizëm e luftime për ISIS në kuadër të rastit “Qelia”

Prokuroria Themelore Publike në Maqedoninë e Veriut ka paditur tetë persona në lëndën “Qelia” për përfshirje në forma të ndryshme në luftimet përkrah grupit ISIS, transmeton Portalb.mk.

Padi është parashtruar ndaj pesë personave nga Kumanova: B.G. (28), R.A. (31), S.I. (31), A.S. (21) dhe J.K. (25), ndërsa tri tjerë nga Shkupi: B.F. (33), D.A. (21) dhe I.M. (23). Ata akuzohen për veprimtaritë e tyre gjatë vitit 2019 dhe 2020, derisa B.F. raportohet edhe për pjesëmarrje direkte në luftimet në vitin 2014.

“Ata ishin pjesë e organizatës kriminale-organizatës terroriste “qelia”, me bazë ideologjike në kuadër të organizatës terroriste të njohur ISIS”, raportojnë nga Prokuroria.

Prokuroria deri te Gjykata Penale në Shkup ka propozuar vazhdimin e paraburgimit për gjashtë persona, ndërsa ndaj dy personave të  caktohet arrest shtëpiak, në vend të  paraburgimit.

“QELIA 1”

Më 25 mars të vitit 2016-të, 5 nga 11 të akuzuarit e rastit “Qelia 1”, janë dënuar me nga 5 vjet burg, ndërkaq hoxha nga Çairi, Rexhep Memishi është dënuar me 7 vjet burg, për pjesëmarrje dhe organizim paraushtarak dhe rekrutim të shtetasve të Maqedonisë për të luftuar në Siri, në anën e “Shtetit Islamik”.

5 të dënuarit me nga 5 vjet burg janë: Fazli Sula, Muhamed Shehu, Sejfulla Edemovski, Ahmed Dardhishta dhe Resul Saiti. Sipas Gjykatës, këto 5 persona kanë marrë pjesë në logjistikë  dhe organizimin e ushtarëve për të luftuar në Siri.

“QELIA 2”

Ministria e Punëve të Brendshme e ka kryer një hetim gjithëpërfshirës nën emrin e koduar “Qelia 2″, me urdhër të prokurorit publik nga Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër S.R. (26), B.S. (32), B.G. (23), E.U. (36), F.I. (31) – të gjithë nga Shkupi, M.M. (38) nga Tetova dhe S.I. (27) nga Kumanova, për shkak të ekzistimit të dyshimit se kanë kryer vepër penale “pjesëmarrje në organizatë terroriste”, gjegjësisht ose ai që ka ndihmuar në çfarëdo lloj mënyrë sipas nenit 394-a paragrafi 2 nga Kodi Penal i Republikës së Maqedonisë, kishin njoftuar nga Ministria e Punëve të Brendshme më 9 korrik të vitit 2016-të.

MPB-ja kishte raportuar se aksioni policor është realizuar në gjashtë shtëpi të Shkupit dhe një të Tetovës. Pas bastisjeve, me urdhër të prokurorit, janë gjetur dhe siguruar katër persona (B.G., F.I., E.U. dhe B.S.), ndërkaq tre personat tjerë nuk janë të kapshëm për autoritetet.

“QELIA 3”

Pesë shtetas të Maqedonisë, nën dyshimin për anëtarësim në të ashtuquajturin “Shteti Islamik (ISIS)”, më 12 gusht të vitit 2016-të janë arrestuar në një aksion nën emrin e koduar “Qelia 3”, të sinkronizuar mes policisë së Maqedonisë dhe të Turqisë, në Aksaraj të Turqisë, ku është bërë rekrutimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button