Bllokada e Sofjes mbetet, Samiti i liderëve të BE-së si atu e re për Shkupin

Bullgaria edhe një herë e bllokoi miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave për aderim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE) gjatë sesionit të Këshillit për çështje të përgjithshme të BE-së që u mbajt dje në Luksemburg. Për Shkupin, megjithatë, ekziston edhe një mundësi tjetër teorike për fillimin e negociatave në qershor, e ky është Samiti i liderëve të BE-së i planifikuar për nesër dhe pasnesër, raporton Nova, përcjell Portalb.mk.

Sekretarja e shtetit të Portugalisë Ana Paula Zakaria, e cila e kryesoi takimin ministror, e ​​inkurajoi Slloveninë të vazhdojë të kërkojë një zgjidhje për negociatat me Maqedoninë e Veriut në bazë të këtij propozimi.

– Presidenca Portugeze dha maksimumin për të gjetur një zgjidhje kompromisi. Sot ne donim të kemi jo dy, por katër konferenca ndërqeveritare,” tha Zakaria, duke aluduar në dy konferenca ndërqeveritare të mbajtura dje në Luksemburg me Serbinë dhe Malin e Zi.

Ajo shtoi se ky është “një moment i vështirë politik të cilin po e përjetojnë Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut”.

– Duhet të gjejmë një zgjidhje në të cilën besojnë të gjithë palët e interesuara. E inkurajojmë Slloveninë të vazhdojë, të mos humbasë momentin, të shfrytëzojë propozimet në tryezë dhe shpresojmë të kemi konferencë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt që mundet gjatë gjashtëmujorit të ardhshëm, tha Zakariash.

Gjermania, Sllovakia dhe një numër vendesh të tjera kanë këmbëngulur që Bullgaria të heqë veton e saj për Maqedoninë e veriut, e cila bazohet në një konflikt dypalësh dhe për të cilin BE konsideron se nuk ka vend në BE. Përfaqësuesi bullgar, siç raportohet nga korrespodenti i MIA-s nga Brukseli, i ka akuzuar kolegët e tij se nuk e kuptojnë “thellësinë” e problemit midis Shkupit dhe Sofjes dhe nuk kanë treguar fleksibilitet, duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme në Bullgari në korrik. Megjithëse asnjë qeveri politike nuk është garanci se vetoja do të hiqet. Propozimi portugez nuk ia ndërroi mendjen Sofjes.

Ministria e Jashtme Bullgare gjithashtu njoftoi dje se Sofja e riafirmoi qëndrimin e saj mbi perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut në takimin e djeshëm të rregullt të Këshillit për çështje të përgjithshme në Luksemburg, ndërsa qëndroi i hapur për një dialog konstruktiv me presidencën e ardhshme sllovene të Këshillit të BE-së për të gjetur zgjidhje reciprokisht të pranueshme. Zëvendës ministri bullgar i Jashtëm Rumen Aleksandrov tha se Bullgaria po vazhdonte konsultat me Maqedoninë e Veriut për zbatimin e Marrëveshjes për miqësi dhe fqinjësi të mirë dhe se ai priste që Shkupi të fillonte zbatimin e angazhimeve të nivelit të lartë më 17 qershor 2021 në Sofje, që thotë ai, do të na mundësojë të lëvizim në drejtim pozitiv.

“Pavarësisht dialogut tonë dypalësh me Republikën e Maqedonisë së Veriut, Bullgaria këmbëngul që zbatimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë nga Republika e Maqedonisë së Veriut të përfshihet midis kushteve në kornizën e ardhshme për bisedimet e pranimit të Shkupit në BE”, tha Aleksandrov.

Shefi i diplomacisë Bujar Osmani, në konferencë për shtyp me homologen e tij suedeze An Linde, tha se mundësia për të filluar bisedimet për anëtarësimit më 24 dhe 25 qershor në Samitin e Liderëve të BE është teorike, duke pasur parasysh se për momentin në Bullgari ka rrethana dhe kontekste politike komplekse , dhe vetëm presidenti Rumen Radev ka mandat të plotë politik dhe mundësi për të tërhequr veton, gjegjësisht për të marrë vendim gjatë Samitit të liderëve.

– Nuk është çështje nëse jam optimist apo jo, por është çështje konstatimit të Komisionit Evropian, të të gjitha 26 vendeve anëtare. Ja, sot para jush dhe ministrja e punëve të jashtme të Suedisë tha se Maqedonia e Veriut duhet të fillojë negociatat. Prandaj, kjo është një çështje që BE-ja të vazhdojë me procesin, por duke qenë se është në interesin strategjik të Bullgarisë që megjithatë do të reflektohet dhe do të jepet drita jeshile më 24 dhe 25 qershor, tha Osmani.

Edhe ministrja suedeze Linde, e pyetur nga një gazetar në lidhje me bllokadën nga Bullgaria, tha se BE-ja ka marrë përsipër detyrime ndaj Maqedonisë së Veriut dhe se duhet t’i përmbushë ato detyrime.

– Nevojitet dialogu dypalësh për të zgjidhur këto çështje në mënyrë të përshtatshme dhe unë inkurajoj të gjitha përpjekjet diplomatike për të zgjidhur këtë çështje. Në takimet e mia me ministrat e jashtëm të BE-së, unë e bëra të qartë se Bullgaria nuk duhet të bllokojë negociatat dhe se një çështje bilaterale nuk duhet të jetë parakusht për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Mendoj se ky është një pozicion dhe qëndrim i përbashkët i shumicës së ministrave të jashtëm, përveç ministrit të jashtëm bullgar”, tha Linde.

Zëvendës kryeministri për çështjet evropiane Nikolla Dimitrov, nga ana tjetër, tha se “ne nuk i heqim dorë dhe se po bëjmë gjithçka që mundemi në kuadër të një zgjidhjeje dinjitoze evropiane”. Pozicionet tona, tha Dimitrov, qëndrojnë në parime kristal të qarta dhe gjithnjë e më shumë vende anëtare thonë ju keni kryer punën tuaj, edhe ne duhet të gjejmë mënyrë si BE për të kryer pjesën tonë.” Sipas tij, investimi është jashtëzakonisht i madh dhe tani pyetja e madhe është nëse ne në Ballkan mund t’i besojmë fjalëve të BE-së.

– Nëse çmimi për rrugën tonë drejt BE-së është humbje e identitetit, atëherë BE-ja e tillë nuk do të na duhet. Kur filloi ky proces në tetor të vitit të kaluar, kur u intensifikuan përpjekjet, qysh atëherë, gjatë presidencës gjermane, e bëra të qartë, unë jam në rregull me këtë. Nëse nuk mund t’i hapim dyert për shkak të gjuhës maqedonase, në rregull, ne nuk do t’i hapim ato. Por kjo ngre një çështje thelbësore se çfarë lloj unioni është BE” tha Dimitrov në një paraqitje në TV Sitel.

Ai nuk zbuloi detaje rreth vizitës së javës së kaluar në Sofje me kryeministrin Zaev dhe ministrin Osmani, por në parim tha se ishte diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit sektorial dhe procesin e punës së Komisionit për çështje historike dhe arsimore. Ai shton se, në një farë mënyre, duhet të jetë udhërrëfyesi, dokumenti dypalësh që sipas propozimit portugez do të shqyrtohej përmes procesit të stabilizimit dhe asocimit.

– E gjithë kjo u diskutua dhe u ofrua nga ne nëse sot fqinjët tanë i thonë “po” kornizës së negociatave dhe konferencës së parë ndërqeveritare. Në atë kuptim, unë nuk e di se për çfarë detyrimesh mund të flitet, sepse nuk janë përmbushur pritshmëritë dhe detyrimet e palës tjetër. Nuk mund të flasim për angazhimet që kushtëzohen nga “drita jeshile” sot nga Këshilli për çështje të përgjithshme. Marrëveshja përfshin, ndër të tjera, mbështetje nga pala bullgare në rrugën tonë evropiane. Është e vështirë të pajtosh fjalët mbështetje me fjalën bllokadë ose pa dritë jeshile. Efekti në të gjithë kontekstin nuk është i mirë për askënd – BE që humbet në një rajon që është gjeografikisht brenda vendeve anëtare të BE-së, humbasim ne, humbasin fqinjët tanë, humb i gjithë rajoni, tha Dimitrov.

Sipas Presidentit Stevo Pendarovski, problemi kryesor për BE është vendimmarrja me konsensus. Pa ndryshime në këtë, thotë ai, Bashkimi nuk mund të jetë një lojtar vendimtar gjeopolitik dhe kjo çon në një rritje të euroskeptizmit në Ballkanin Perëndimor dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe në vetë BE, e cila është, thotë ai, shkatërruese.

Lidhur me marrëdhëniet me Bullgarinë fqinje dhe bllokadën nga Sofja në kontekstin e integrimit evropian të Maqedonisë, ai ripohoi qëndrimin që nëse çmimi i anëtarësimit në BE do të jetë humbja e identitetit, atëherë nuk kemi nevojë për BE.

– Sofja e ka thënë qartë në mungesë të Parlamentit dhe një qeverie politike, ata nuk do të jenë në gjendje të japin dritën jeshile. Gjithçka që mund të ofrohej nga ne si gjest i vullnetit të mirë, e që nuk ka dalë jashtë kornizës së një bisede dhe negociate të logjikshme për aspekte të rëndësishme të marrëdhënieve dypalëshe me Sofjen u ofrua. Sigurisht, nuk mund të hyjmë në kompleksin e identitetit dhe nëse dikush pret që ne do ta bëjmë pas korrikut ose gushtit, ai gënjen veten, tha presidenti Pendarovski.

Komisioneri i BE për zgjerim dhe politikë të fqinjësisë Oliver Varhei, pas takimit të Këshillit për çështje të përgjithshme në Luksemburg se fillimi i bisedimeve për pranim në BE me Maqedoninë dhe Shqipërinë mbetet një çështje prioritare.

– Lidhur me situatën me Shqipërinë dhe S. Maqedonia, gjatë muajve të kaluar, është bërë shumë dhe është bërë përparim i konsiderueshëm. Jemi në fazën përfundimtare dhe do të vazhdojmë të punojmë me presidencën sllovene të BE për të përmbyllur procesin, që është hapja e konferencës së parë ndërqeveritare (me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë) si  çështje prioritare”, ka shkruar Varheji në Twitter.

Ndërsa, ministri i jashtëm i Sllovenisë, Anzhe Llogar, në intervistë për Euroaktiv për prioritetet për vendi të tij theksoi që BE duhet të lëvizë “sa më shpejt të jetë e mundur” nga një qasje të pritjes dhe vështrimit drejt strategjisë për zgjidhje të problemeve gjatë trajtimit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Procesi i zgjerimit thotë ai “duhet patjetër të jetë i qëndrueshëm dhe ato vende duhet të jenë të sigurta se nëse përmbushin qëllime të caktuara, hapi tjetër, zgjerimi do të vijë për ta”, duke shtuar se kjo veçanërisht vlen për vendet kandidate Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Të dy vendet i plotësojnë kriteret e vendosura nga BE dhe meqenëse blloku është i bazuar në shtetin e së drejtës dhe të njëjtën masë për të gjithë, të dy vendet duhet të vazhdojnë në fazën tjetër,” tha Llogar, duke shtuar se ende shpresonin që marrëveshja do të jetë e mundur gjatë kësaj jave nën presidencën portugeze.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button