Partitë politike kanë ende dallime për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Ministria e Drejtësisë: Mbetet edhe pak kohë për harmonizimin e qëndrimeve

Modeli zgjedhor dhe mënyra e zgjedhjes së kryetarit të komunës mbetet ende sfidë e madhe e grupit punues të formuar nga Ministria e Drejtësisë, për përpilimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Nga Ministria e Drejtësisë konfirmuan për Portalb.mk se, grupi punues deri më tani ka harmonizuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe nuk ka mosmarrëveshje sa i përket kësaj pjese, po ashtu pjesa më e madhe mbështesin propozimin për lista të hapura, megjithatë ka ende dallime të theksuara sa i përket çështjeve politike.

“Në raport me arritjen e konsensusit rreth çështjeve politike dhe ndryshimit të modelit zgjedhor, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në grupin punues e mbështesin qëndrimin se anëtarët e këshillave komunal duhet të zgjedhen me lista të hapura. Megjithatë, sfida kryesore është vërtetimi i mënyrës së zgjedhjes së kryetarit të komunës, përkatësisht nëse të njëjtit do të zgedhen në raundin e parë apo të dytë. Me ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor, pjesa më e madhe e ndryshimeve të cilat janë bërë ndërsa me atë edhe harmonizim të të njëjtin me rekomandimet e OSBE/ODIHR ishin në pjesën e mirëmbajtjes së Listës Zgjedhore, kandidaturës, fushata zgjedhore – financim i fushatës zgjedhore, mbrojtje e të drejtës zgjedhore”, thanë nga kjo ministri.

Prej aty kanë shtuar se, partive politike u mbetet edhe shumë pak kohë për të harmonizuar qëndrimet e tyre rreth çështjeve për të cilat kanë dallime.

“Duke pasur parasysh rekomandimet e trupave ndërkombëtare për ndryshim të rregullave zgjedhore, të cilat duhet të miratohen me konsensus, qëndrimi i Ministrisë së Drejtësisë është mbetet edhe shumë pak kohë për harmonizim të qëndrimeve, ndërsa ndryshimet e Kodit Zgjedhor duhet të dërgohen sa më shpejt të jetë e mundur në Kuvend, duke pasur parasysh agjendën e atjeshme dhe vëllimin e punës”, theksuan nga Ministria e Drejtësisë.

Megjithatë partitë politike ende nuk kanë ndonjë lëvizje në këtë drejtim. Nga VMRO DPMNE kanë thënë për Portalb.mk se nuk ka diçka të re nga këto negociata.

Ndërkohë, Snezana Kalevska, përfaqësuese e LSDM në këtë grup punues, deklaroi për Portalb.mk se,  ende por nuk mund të thuhet  se çka dhe çfarë përparimi do të arrihet. Sipas saj, në  modelin zgjedhor, lista të hapura dhe kështu me radhë, ende nuk ka ndonjë përparim në atë pjesë, pasi ka mendime dhe qëndrime të ndryshme.

“Përgjithësisht shkon në drejtim të mirë. Edhe vet hulumtimet që janë bërë të opinionit publik, është e qartë se, qytetarët presim transparencë më të madhe dhe inkluzivitet dhe janë për lista të hapura, por këtu më shumë janë dallimet rreth modelit në kuptim që të ketë 1 njësi zgjedhore, 3 njësi, 6, 8 dhe kështu me radhë dhe me siguri këtu në pjesën nëse do të ishte më mirë ndonjë model i kombinuar apo i shumicës”, deklaroi Kalevska.

Ajo po ashtu shtoi se pothuajse gjithë partitë pajtohen për lista të hapura, ndërsa mbetet problematike çështja e modelit zgjedhor. Ajo tha se nuk është e sigurt nëse do të mund të arrihet marrëveshje para zgjedhjeve lokale të tetorit të këtij viti.

“VMRO propozon model të shumicës me lista të hapura por edhe për zgjedhje të kryetarëve të komunës me një raund zgjedhor, ajo është qëndrimi i VMRO – DPMNE-së. E dini, Aleanca, Alternativa janë për lista të hapura, por kërkojnë të ketë 8 njësi zgjedhore, këto janë përgjithësisht dallimet. Nëse mund të themi se për diçka janë në pajtueshmëri të gjithë është se në pjesën për lista të hapura pajtohen pothuajse të gjitha partitë. Duke pasur parasysh se zgjedhjet po afrohen nuk jam e sigurt se sa do të arrihet të miratohen ndryshime, që të mund ajo të zbatohen në këto zgjedhje lokale. Por, kjo nuk do të thotë se nuk do të vazhdojnë negociatat, sepse çështjet më të rëndësishme janë ndryshimi i modelit zgjedhor dhe kuptohet ajo kërkon edhe kohë”, tha ajo.

Para shumë muajsh, Ministria e Drejtësisë formoi grup punues për përgatitjet e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, me qëllim përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por edhe që të hapet diskutim rreth çështjeve politike dhe ndryshimit të modelit zgjedhor. Bëhet fjalë për përmbushje të një pjese të madhe të rekomandimeve të përmbajtura në Raportin Final të ODIHR për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vitin 2020, por të njëjtat janë ende në version punues dhe do të publikohen pas harmonizimit të tyre.

Negociatat e grupit punues, pas një ndërprerje të caktuar, filluan sërish punën pas takimit që zhvilluan kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickiski. Ato pas këtij takimi deklaruan se janë dakorduan për ndryshimet në modelin zgjedhore, në mesin e të cilave janë të përfshira edhe listat e hapura.

Dy liderët gjatë këtij takimi, u dakorduan që të inkurajojnë negociatat, përkatësisht grupet parlamentare kanë biseduar për ndryshimet e tjera në Kodin Zgjedhor, ndryshimin e modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore, apo nëse ka propozime të reja. Më tej, lista të hapura në zgjedhjet e ardhshme lokale, zgjedhje të kryetarit të komunë në rrethin e parë me atë që do të jetë e mjaftueshme një përqindje e caktuar nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në atë komunë ku zgjedhet kryetari dhe në fund është votimi nga diaspora në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, jashtë përfaqësive diplomatike dhe implementimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut është e ndarë në 6 zona zgjedhore të cilat zgjedhin nga 20 deputet secila. Prej vitesh ekziston debati që vendi të kalojë në një zonë të vetme zgjedhore, gjë e cila do t’i jepte shansin edhe partive të vogla për të konkurruar dhe për të thyer monopolin e partive të mëdha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button