Reagime zhgënjimi pas vendimit të BE-së për mos-miratimin e kornizës negociuese

Pas vendimit të djeshëm të Këshillit të ministrave të BE-së për të mos filluar negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, mbërritën reagimet e para ndaj vetos bullgare, e cila u konfirmua edhe njëherë. Ambasadorja e amerikane në Shkup, Kate Mary Burns, ndau sot zhgënjimin e SHBA-së që vendet anëtare të BE-së dështuan në miratimin e kornizës negociuese, përcjellë Portalb.mk.

Ambasadorja Burns tha se nuk ka dyshim se vendi ka përmbushur detyrimet e nevojshme për hapjen e negociatave të pranimit me BE-në dhe se ky është një hap që beson se do të rrisë stabilitetin rajonal dhe do të përmirësojë aktivitetin politik dhe ekonomik.

“Maqedonia e Veriut ka kapërcyer paqëndrueshmërinë politike dhe po ndërmerr reforma të rëndësishme demokratike. Është bërë partner i qëndrueshëm për sigurinë dhe përparimin e të gjithë rajonit dhe ka treguar se është e gatshme të kryejë detyrat e vështira të nevojshme për të arritur qëllimet strategjike. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës, anëtarësimi në NATO dhe hapja e rrugës për në BE janë vetëm disa nga sukseset më domethënëse dhe tani është koha që investimet dhe tregtia të fillojnë të korrin përfitimet ekonomike të këtyre fitoreve politike”, theksoi Burns.

Ana Paula Zakarias, sekretarja shtetërore e Portugalisë për çështjet evropiane, tha se ishte e pamundur që vendet anëtare të bien dakord mbi kornizë negociuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke shtuar se shpreson që kjo të ndodhte gjatë presidencës së sllovene me BE-në.

Ministri slloven për punë të jashtme Anzhe Logar në një intervistë për ‘Euroaktiv’ tha se BE-ja duhet të lëvizë “sa më shpejt të jetë e mundur nga qasja pritje dhe vëzhgim në një strategji për zgjidhjen e problemeve në trajtimin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është interesi ynë më i mirë strategjik dhe duhet të veprojmë sa më shpejt të jetë e mundur dhe t’i integrojmë këto vende në BE”, tha Logar.

“E dimë se ajo që ndodhi është që palë të treta hynë në rajon, disa filluan të ndjekin interesat e tyre strategjikë dhe kjo tregon cënueshmërinë e rajonit ndaj BE-së dhe strategjikisht e rrezikshme. Nëse ne (BE) nuk e mbushim vakumin në Ballkanin Perëndimor, fqinjin tonë të afërt, dikush tjetër do ta mbushë atë”, tha ministri slloven Logar.

Ndryshe, edhe përkundër toneve inkurajuese dhe përpjekjeve për të bindur Bullgarinë të heqë veton e saj ndaj Maqedonisë së Veriut, Shkupi dhe Tirana në Këshillin ministror të Luksemburgut përsëri mbetën pas dyerve të BE-së në pamundësi për filluar negociatat, për të cilat i plotësojnë të gjitha kushtet. Bullgaria riafirmoi pozicionin e saj mbi perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Këshillin për çështje të përgjithshme në Luksemburg, ndërsa qëndroi e hapur për dialog konstruktiv me Presidencën e ardhshme sllovene të Këshillit të BE për të gjetur zgjidhje reciprokisht të pranueshme.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi edhe dy here veto Maqedonisë së Veriut në fund të vitit 2020, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button