Varhelji: Fillimi i negociatave me Shkupin dhe Tiranën mbetet çështje prioritare

Fillimi i bisedimeve të pranimit në BE me Maqedoninë dhe Shqipërinë mbetet çështje prioritare, tha dje komisioneri i BE-së për zgjerim dhe politikën e fqinjësisë Oliver Varhelji pas takimit të Këshillit për çështje të përgjithshme në Luksemburg, përcjellë Portalb.mk.

“Lidhur me situatën me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjatë muajve të fundit, është bërë shumë dhe është bërë përparim i dukshëm. Ne jemi në fazën përfundimtare dhe do të vazhdojmë të punojmë me presidencën sllovene të BE-së për të përmbyllur procesin, i cili do të hapë konferencat e para ndërqeveritare (me Maqedoninë dhe Shqipërinë) si çështje prioritare”, shkroi Varhelji në Twitter.

Edhe përkundër toneve inkurajuese dhe përpjekjeve për të bindur Bullgarinë të heqë veton e saj ndaj Maqedoninë e Veriut, Shkupi dhe Tirana në Këshillin ministror të Luksemburgut përsëri mbetën pas dyerve të BE-së në pamundësi për filluar negociatat, për të cilat i plotësojnë të gjitha kushtet. Bullgaria riafirmoi pozicionin e saj mbi perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Këshillin për çështje të përgjithshme në Luksemburg, ndërsa qëndroi e hapur për dialog konstruktiv me Presidencën e ardhshme sllovene të Këshillit të BE për të gjetur zgjidhje reciprokisht të pranueshme.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi edhe dy here veto Maqedonisë së Veriut në fund të vitit 2020, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button