Bullgaria e konfirmoi qëndrimin për Maqedoninë e Veriut, ndërkohë vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në eurointegrime

Bullgaria e ka konfirmuar qëndrimin e saj për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut në takimin e sotëm të rregullt të Këshillit për punë të përgjithshme në Luksemburg, duke mbetur e hapur për dialog konstruktiv me presidencën e ardhshme sllovene me Këshillin e BE-së në gjetjen e zgjidhjes së ndërsjellë të pranueshme. Vetoja Bullgare megjithatë bllokoi të dy vendet e rajonit në procesin eurointegrues.

Bullgaria është përfaqësuar në takimin e Këshillit nga zëvendësministri për Punë të Jashtme të vendit, Rumen Aleksandrov. Gjatë kohës së bisedimeve është diskutuar për gjendjen momentale në procesin e zgjerimit të BE-së, bëri të ditur Ministria bullgare e Punëve të Jashtme.

Raportoi MIA se zëvendësministri bullgar Aleksandrov ka deklaruar se Bullgaria vazhdon konsultimet me Maqedoninë e Veriut në zbatimin e Marrëveshjes për miqësi dhe fqinjësi të mirë. Ajo është konstruktive dhe qëllimmirë, por thotë se presim Republika e Maqedonisë së Veriut të fillojë në praktikë të zbatojë obligimet e ndërmarra në nivel të lartë më 17 qershor 2021 në Sofje që do të na mundësojë të ecim në drejtim pozitiv.

“Kjo përfshin heqjen dorë në mënyrë eksplicite të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga pretendimet territoriale, të pakicës dhe historike ndaj Bullgarisë, ndryshim të mbishkrimeve/ përmendoreve që krijojnë urrejtje ndaj Bullgarisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, aktivizim të procesit të rehabilitimit të viktimave të komunizmit jugoslloven për shkak të vetë ndërgjegjësimit bullgar. Pa dallim të dialogut tonë bilateral me Republikën e Maqedonisë së Veriut, Bullgaria insiston në zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut të përfshihet mes kushteve në kornizën e ardhshme për aderim të Shkupit në BE”, ka thënë Aleksandrov.

Bullgaria ka lavdëruar arritjet e Shqipërisë në procesin reformues dhe e ka konfirmuar mbështetjen e saj në miratimin e kornizës për negociata për këtë vend ballkanik.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button