Ku mbeti BE? Ku mbeti NATO?

Në vazhdën e argumentimeve të tipit “koha do ta tregojë”, që përdoret rregullisht kur pyetjet e sfidojnë bindjen e politikanëve, java e fundit dha dëshmi të shkëlqyeshme për të parë se çka tregon koha me rokadat e ministrave. Këmbimet e pozitave janë të mirëseardhura kur e synojnë përsëritjen e suksesit të konfirmuar. Por, loja e personazheve të njejta në pozita të ndryshme do të thotë ose që janë super të aftë, ose që ka mungesë serioze të emrave të rinj. Mbajtja e pushtetit me model klanor, mund ta tregojë edhe fragmentimin e thellë, mosbesimin brenda grupit dhe jostransparencën sistematike.

Për dallim prej zgjedhjeve të vitit 2011, kur argumentohej gjerë e gjatë që ministrat shqiptarë në pozitat udhëheqëse të euro-integrimit dhe mbrojtjes emërohen pikërisht për ta avancuar agjendën e evropiane, tani askush as që e merr mundin për t’i përsëritur këto premtime. Fokusi i fjalimit të Ministrit të ri të mbrojtjes pothuajse nuk e përmendi integrimin në NATO – interesimi tani kalon në natyrën multietnike të Armatës, për të cilën tashmë thuhej se është arritur me kapjen e 20% magjik. 

Nga ana tjetër, fakti që Zëvendës-Kryetarja e Qeverisë, Teuta Arifi, e lëshon pozitën për të garuar në nivel lokal në Tetovë, e tregon pikërisht rëndësinë të cilën BDI ia jep Brukselit. Kjo mund të trajtohet edhe si risi, meqë dominuesi i koalicionit, VMRO-DPMNE e ka bërë që moti të qartë qëndrimin ndaj BE-së dhe NATO-së, qoftë me emërimin e ambasadorit aktual në NATO, që ende tenton ta reformojë Aleancën, ose me emërimin paralel të shefit të euro-integrimeve në pozitën e zëdhënësit qeveritar. 

Duke e marrë parasysh fuqinë objektive dhe baraspeshën e forcave politike në Maqedoni, është e drejtë të thuhet që askush nuk pret që shqiptarët ta fusin vendin në NATO dhe BE, ose ta detyrojnë Kryeministrin Nikolla Gruevski të dakordohet për emrin. Por, ajo që shumica normale nuk mund ta pranojë, është që korrupsioni i thellë dhe injoranca endemike të shitet si e natyrshme dhe si progres për të gjithë. Sjellja e partnerit shqiptar të koalicionit nuk ngërthen asgjë evropiane – bashkimi është tretur me votat e humbura, fryma e integrimit është zbehur moti, ndërsa kapaciteti demokratik është po aq i fuqishëm, sa edhe heshtja e deputetëve shqiptarë ndaj dhunës institucionale të 24 dhjetorit.  

Por, mbase lëvizja e znj. Arifi tregon edhe diçka tjetër dhe shumë më thelbësore se konstatimi i parë. Pas dhjetë viteve në pushtet, duket se partia qeveritare më në fund e ka kuptuar që nuk shkohet në BE, pa ujësjellës në vendlindje. Nuk mund të koordinohemi me Brukselin, kur Tetova që fle në ujë është më afër shekullit XIX se vitit 2013. Është pikërisht uji i Tetovës që e dëshmon dështimin kronik të të gjitha udhëheqësive shqiptare, që e synojnë integrimin me 27 shtete (në korrik 28), por nuk ia dolën ta integrojnë as burimin e ujit me qytetin që pretendon të jetë qendra shqiptare në Maqedoni. 

Në ndërkohë, kryeqendra e vërtetë shqiptare në Maqedoni, Shkupi, jep ilustrim edhe më të mirë për mjerimin politik, institucional dhe fundërrinën e prekur pothuajse në të gjitha fushat e jetës hiq moderne dhe aspak urbane, me pak gjasa për rikëmbje, madje edhe nëse realizohet ëndrra e zgjedhjes së një Kryetari shqiptar, gjë që nuk trajtohet seriozisht nga kushdo që di të llogarisë. 
Çairi ose Shkupi i vjetër, si që vetë-emërohet nga dhuruesit e mirënjohjeve të shumta, mbetet larg civilizimit urban edhe tetë vite pas decentralizimit – proces ky që u kundërshtua me referendum nga VMRO-DPMNE ? opozitës në vitin 2004. Sipas të dhënave zyrtare, Çairi ka 18.400 banorë për kilometër katror, krahas Gazës që trajtohet si vend i mbipopulluar në përmasa globale me 6.708 banorë për kilometër katror. Me hapësirë inekzistente për zgjerim urban dhe kufij të ngushtë që e pamundësojnë rritjen ekonomike, faji për zhvillimin e rudimentuar qëndron ekskluzivisht te paaftësia e politikanëve shqiptarë, që pavarësisht problemeve të trashëguara, ka bërë shumë pak për të ecur më afër komunave tjera urbane të Shkupit, që edhe ashtu mbeten larg nivelit të synuar evropian.   

Këto dy rikujtime të realitetit mjaftojnë për ta treguar ecurinë e zhvillimit shqiptar që nga konflikti i vitit 2001, kur së bashku me ambiciet e larta, erdhën edhe përgjegjësitë e shumta. E këtu, kërkohet punë dhe aftësi. Tashmë kur u tretën shpresat për afrim ndaj Brukselit, është koha e fundit për ta pastruar oborrin. Në vend të mbidozimit patriotik, të zbutur me komocionet e profitit faktik dhe pushtetit imagjinar, dhjetë vite pas ndryshimit thelbësor, shqiptarët janë jashtë Brukselit, larg jetës urbane dhe të shtypur dyfish – nga sunduesit e vërtetë maqedonas dhe çirakët e tyre me gojën plot shqiptari. 

Nëse është e paqartë lidhja mes dështimit integrues dhe mjerimit komunal, vetëm  kujtoni premtimet e shumëpërsëritura gjatë dhjetë viteve të kaluara. Qofshin në qeverinë qendrore ose pushtetin ekskluziv mes dy pikë-pagesave rrugore, nuk mund të pritet sukses në integrime evropiane, kur mbajtësit e pushtetit nuk janë në gjendje as t’i sigurojnë ujë qytetarëve, të ndërtojnë qoftë edhe një park ose të mbushin të paktën nga një gropë në muaj. Kujtoni këtë në fillim të fushatës zgjedhore – BE ra prej kombinimi, NATO u harrua, ujë nuk ka dhe fëmijët ëndërrojnë një mundësi për të ikur larg. 

Çare? Kjo varet prej secilit prej nesh dhe jo prej kohës, që tregoi shumëçka deri tani.  

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button