Ekskluzive: Në dy prej katër shkolla në RMV është vërtetuar se ka korrupsion me dëftesat

Lajmi i Portalb.mk në lidhje me shkollat që bëjnë “pazar” me dëftesat të cilat ligjërisht janë falas për nxënësit, sot zyrtarisht u konfirmua nga ana e Inspektoratit të Arsimit, pas përfundimit të inspektimi disa ditor në katër shkolla të mesme të RMV-së. Gjegjësisht, në dy prej katër shkollave që ishin objekt i inspektimit, është vërtetuar shitja e dëftesave. Megjithatë, përkundër kësaj asnjë masë konkrete nuk është ndërmarrë kundër shkollave, atyre thjesht u është “sugjeruar” të ua kthejnë paratë nxënësve, shkruan Portalb.mk.

Varësisht nga shkolla, ndryshonin edhe çmimet për marrjen e dëftesave të cilat ligjërisht duhet të jenë pa pagesë, një vit më herët, Portalb.mk publikoi dëshmi se si profesorët kërkonin para nga nxënësit për këtë.

Ankesat e nxënësve për këtë fenomen nuk kishin të ndalur as këtë vit, për këtë, nga Inspektorati i Arsimit vendosën që të kryejnë inspektim në katër shkolla të mesme të akuzuara.

Cili ishte rezultati i inspektimit?

Shkolla e Mesme “Nikolla Shtejn”, Tetovë

Nga inspektimi i jashtëzakonshëm në këtë shkollë janë konstatuar parregullsi, gjegjësisht, është zbuluar se kujdestarët e klasave këtë vit kanë grumbulluar mjete financiare për plotësimin e dëftesave, sipas Inspektoratit të Arsimit, kjo është bë me vullnetin e prindërve meqenëse janë kontaktuar edhe prindërit.

Si pasojë, nga ana e Inspektoratit të Arsimit shkollës së mesme “Nikolla Shtejn” në Tetovë i është sugjeruar që mjetet financiare të mbledhura nga kujdestarët e klasave për plotësimin e dëftesave të ua kthejnë nxënësve.

Shkolla e Mesme “Mirçe Acev”, Prilep

Në këtë shkollë gjithashtu janë konstatuar parregullsi në punën e subjektit, edhe atë, një pjesë e kujdestarëve të klasave të viteve të katërte, kanë mbledhur nga 30 denarë për plotësimin e dëftesave.

Andaj, shkollës së mesme “Mirçe Acev” në Prilep i është sugjeruar që mjetet financiare të mbledhura nga ana e një pjese e kujdestarëve të klasave, për plotësimin e dëftesave të ju kthehen nxënësve dhe për këtë të njoftohet Inspektorati i Arsimit.

Shkolla e Mesme “Zef Lush Marku”, Shkup

Në inspektimin e jashtëzakonshëm në këtë shkollë nuk janë konstatuar parregullsi në punën e këtij subjekti juridik. Në bisedën e drejtorit të shkollës dhe shërbimit profesional me kryetarin e Unionit të Shkollave të Mesme pranë kësaj shkolle, është deklaruar se ky i fundit nuk ka qenë i njoftuar se jepen para për dëftesat.

Ai gjithashtu kishte deklaruar se në klasën e tij dhe në shkollë ky fenomen nuk ndodh ndërsa deri te ai nuk ka arritur ndonjë ankesë e tillë.

Shkolla e Mesme “8 Shtatori”, Tetovë.

Në këtë shkollë gjithashtu nuk janë gjetur parregullsi nga ana e Inspektoratit të Arsimit. Drejtoresha e shkollës dhe ndihmësit e saj kanë biseduar me përfaqësues të Unionit të Nxënësve të kësaj shkolle dhe i është thënë se ai nuk ka qenë i njoftuar me rastin e marrjes së mjeteve financiare për dëftesat.

Ky nxënës, i cili sipas Inspektorati të Arsimit është nga Unioni i Nxënësve i shkollës përkatëse, ka deklaruar se asnjë nxënës nuk i është ankuar se në shkollë kërkohen mjete financiare për plotësimin e dëftesave.

Gjithashtu në këto dy shkolla edhe kujdestarët e klasave kanë deklaruar se për vitin 2020/21 nuk janë kërkuar dhe nuk janë pranuar mjete financiare nga ana e nxënësve për plotësimin elektronik të dëftesave dhe diplomave.

Ndryshe, Vitin e kaluar, pas lajmit të Portalb.mk për këtë fenomen pati reagime edhe nga Avokati i Popullit por nuk pati inspektim nga ana e Inspektoratit të Arsimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button