I miratuar në mars të vitit të kaluar, ende nuk ka filluar ndërtimi i bibliotekës “Cvetan Dimov” në Bit Pazar

Projekti për ndërtimin e objektit të ri të bibliotekës “Cvetan Dimov” në Bit Pazar nuk ka filluar ende. Ky projekt u miratua në mars të vitit të kaluar nga ana e Këshillit të Qytetit të Shkupit, por ende nuk ka asnjë lëvizje në drejtim të fillimit të ndërtimeve, edhe pse kanë kaluar më shumë se një vit nga miratimi i tij dhe sipas të gjitha gjasave, nuk do të fillojë së shpejti, pasi ende nuk janë siguruar mjetet për këtë.

Nga Qyteti i Shkupit deklaruan për Portalb.mk se, vitin e kaluar buxhetor u përpunua projekt bazë për ndërtim të bibliotekës rreth 700.000 denarë.

“Projekti për bibliotekë të re është përpunuar sipas rrjedhave më bashkëkohore botërore. Biblioteka do të përfshijë sipërfaqe prej 744 m2 në kate. Objekti është projektuar në nivel – 1, kati përdhes, kati i ndërmjetës dhe çati kopsht. Për realizimin e projektit nevojiten 1,400,000 euro”, deklaruan nga Qyteti i Shkupit.

Prej aty thanë se, me që bëhet fjalë për projekt kapital, mjetet për këtë duhet të sigurohen nga Ministria e Kulturës.

“Duke pasur parasysh se për projektet kapitale është kompetente Ministria e Kulturës e RMV, për ndërtimin e bibliotekës “Cvetan Dimov”, Qyteti i Shkupit do të aplikojë në konkursin e radhës për financimin e objekteve kapitale me interes kulturor, me çka shpresojmë për mbështetje”, thanë nga ky institucion.

E ndërkohë, të pyetur nga Portalb.mk, nga Ministria e Kulturës thanë se nuk kanë njohuri rreth këtij projekti.

Këshilli i Qytetit të Shkupit në mars të vitit të kaluar, miratoi propozimin për ndërtimin e një objekti të ri të dedikuar për Bibliotekën “Cvetan Dimov”, lokacioni i së cilës do të jetë në Bit Pazar.

Lokacioni aktual i përkohshëm i kësaj biblioteke është në objektin e Komunës së Çairit. Por, kjo hapësirë nuk përmbushë kushtet dhe standardet për lexuesin. Aktualisht mund vetëm të huazojnë libra nga kjo bibliotekës por, jo edhe të shfrytëzojnë hapësirat për të lexuar, pasi e njëjta nuk posedon leximore.

Biblioteka “Cvetan Dimov” është në kuadër të Bibliotekës së Qytetit “Braka Miladinovci” dhe mbulon shkollat e  Komunës së Butelit, Çairit dhe disa shkolla nga Komuna Qendër, kryesisht, në gjuhën shqipe dhe turke, por edhe disa shkolla në gjuhën maqedonase. ka anëtar edhe të rritur, pensionist, studentë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button