Ministrja suedeze e zhgënjyer që ende s’kanë filluar negociatat, Osmani mbetet optimist se Bullgaria do të reflektojë ditëve në vijim

Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Ann Linde është shprehur e zhgënjyer se Maqedonia e Veriut ende nuk ka filluar negociatat për anëtarësim, edhe përkundër faktit se ka plotësuar kushtet e nevojshme dhe BE miratoi një vendim unanim në lidhje me këtë çështje në mars të vitit të kaluar, shkruan Portalb.mk.

Linde, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë konferencës së përbashkët me ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani, pas takimit që zhvilluan në Shkup, tha se kontesti mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë duhet të zgjidhet në mënyrë bilaterale dhe nuk duhet të shkaktojë pengesë për anëtarësimin e vendit në BE.

“Si përfaqësuese e Qeverisë suedeze, unë jam e zhgënjyer që negociatat nuk kanë filluar ende. Maqedonia e Veriut ka përmbushur kushtet e nevojshme dhe negociatat duhet të fillojnë menjëherë. Si përfaqësuese e Qeverisë suedeze unë besoj fuqishëm se, negociatat me Maqedoninë e Veriut do të duhej të kishin filluar dhe BE veç më ka miratuar një vendim unanim më 22 mars dhe BE. Unë mendoj se dialogu bilateral duhet t’i zgjidh çështjet dhe i inkurajoj të gjitha përpjekjet diplomatike ta zgjidh këtë çështje. Unë kam qenë shumë e qartë në takimet me ministrat e Jashtëm të BE-së se unë mendoj se Bullgaria nuk duhet t’i bllokojë negociatat, mendoj se këto çështje duhet të zgjidhen në mënyrë bilaterale dhe nuk duhet të kushtëzojë Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Linde.

Ndërkohë, Osmani është shprehur optimist, duke thënë se mbeten edhe disa ditë që Bullgaria të reflektojë dhe të mos bllokojë fillimin e negociatave.

“Po punojmë intensivisht edhe me Bullgarinë për të kompletuar konsensusin në këtë drejtim. Mendoj se, edhe përkundër pritjeve se Qeveria teknike edhe më tepër do të përkeqësojë një dinamikë që ashtu të përkeqësuar e kishin para zgjedhjeve, mund të them të kundërtën. Është krijuar një bazë solide, është etabluar një dialog i hapur mes dyja palëve veçanërisht në vizitën e fundit që e kemi në Sofje. Unë shpresoj që Bullgaria do të shfrytëzojë edhe këto ditët e mbetura për të reflektuar mbi këtë qasje të sinqertë që kemi ne, për të adresuar aspekte të cilat na dallojnë dhe na ndajnë. Por, nëse jo ne nuk kemi zgjidhje tjetër, përveç se stafeta 20 vjeçare t’i dorëzohet Sllovenisë dhe të bëjmë përpjekjet për të nisur bisedimet në kuadër të presidencës sllovene”, deklaroi Osmani.

Foto: MPJ

Ai tha se Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër nga perspektiva evropiane dhe pavarësisht asaj që do të ndodhë ditëve në vijim, vendi do t’i vazhdojë përpjekjet për anëtarësim.

“Sot është këshilli i përgjithshëm, më 24 dhe 25 mbahet Këshilli Evropian. Që do të thotë se mbeten edhe disa ditë për të reflektuar. Kujtoj se kjo që dëgjuam nga ministrja vërtetë është inkurajim, kur Suedia thotë se ju e keni merituar, duke pasur parasysh se Suedia është shumë strikte në plotësimin e kritereve demokratike dhe kritereve politike për anëtarësim në BE, vërtetë na jep një satisfaksion si shtet dhe si qytetarë, që aq shumë jemi përkushtuar, aq shumë jemi entuziazëm, aq gjatë kemi duruar në këtë proces pa u dëshpëruar. Por, sidoqoftë, qytetarët presin rezultate konkrete. Çka më tutje? Ne nuk kemi alternativë as nga marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore me Bullgarinë, as nga perspektiva jonë evropiane. Ne thjeshtë jemi në zemër të Evropës dhe nuk kemi ku shkojmë tjetër, përveç se të bëjmë përpjekje, ti bindim partnerët tanë evropianë se nuk është ky vetëm interes i Maqedonisë së Veriut, por është interes i Bashkimit Evropian. Na vjen mirë që 27 vende anëtare kanë konsensus në këtë drejtim”, tha ai.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perëndimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te anëtarët e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button