Carovska do t’i kërkojë Prokurorisë të hetojë se si librat shkollor u bënë “sipas Kembrixhit”

Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të paraqesë materiale dhe konkluzione në Prokurorinë Themelore Publike për të gjithë procesin e futjes dhe zgjedhjes së të ashtuquajturve tekstet të Kembrixhit në arsimin fillor, njoftoi Ministrja Mila Carovska në një intervistë për “360 gradë“, transmeton Portalb.mk.

Carovska thotë se pas fillimit të pasuksesshëm të blerjes vjetore të librave, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka formuar komision për rishikim të procedurave për miratimin e librave të përshtatur shkollorë nga jashtë dhe vendimet për zgjatjen e vlefshmërisë së miratimeve të librave shkollorë, ndërsa konkluzionet do t’u dorëzohen organeve hetuese.

Carovska theksoi se komisioni ‘krehu’ procesverbalet e procedurave të miratimit të teksteve shkollore dhe zbuloi se në disa raste kishte libra që, megjithëse kishin rezultate më të larta, nuk morën miratim për përdorim, në krahasim me tekstet e tjera që morën vendime të tilla pavarësisht se kishin vlerësime më të ulëta .

Procedura për blerjen vjetore të këtij viti të librave shkollorë, nga ana tjetër, Carovska thotë se do të përsëritet javën e ardhshme, me qëllim që të gjendet kompromis me botuesit dhe të sigurohen libra shkollorë për nxënësit e shkollave fillore. Procesi u bllokua këtë vit pasi MASh-i u kërkoi botuesve të sigurojnë prova për të drejtat autoriale dhe formulën sipas së cilës e formojnë çmimin për librat shkollor, diçka që botuesit pretendojnë se u kërkohet në mënyrë të paarsyeshme në këtë pjesë të procedurës dhe se e drejtat e autorit njëherë i kanë dëshmuar gjatë procedurës për miratimin e librave shkollorë.

Përndryshe rrjeti hulumtues IRL Maqedoni vitin e kaluar zbuloi se fëmijët nga Maqedonia, asnjëherë nuk kanë mësuar nga librat e njëjtë sikur moshatarët e tyre në Mbretërinë e Madhe. Reforma e madhe arsimore e quajtur Kembrixh programi ka qenë i zbatuar vetëm në Gana dhe disa fshatra të Indisë. Qendra ndërkombëtare e provimeve “Kembrixh” për ILG konfirmoi që asnjë herë nuk ka marrë pjesë në përgatitjen e librave në Maqedoni. Qeveria e VMRO-DPMNE -së vendosi status monopoli në botimin e librave “sipas Kembrixhit”, kurse qeveria e LSDM-së e ka vazhduar programin për të cilin veç më e ka ditur se është problematik. Të dy qeveritë bashkërisht kanë lejuar të derdhen 30 milionë euro para shtetërore për eksperiment arsimor në vetëm dy firma,

Në vitin 2013, qeveria e atëhershme e udhëhequr nga kryetari i VMRO-DPMNE -së Nikolla Gruevski, e paralajmëroi reformën më radikale në historinë e arsimit në Maqedoni. Premtohen programe moderne arsimore që do t’u mundësojnë fëmijëve në Maqedoni të mësojnë prej librave me cilësi dhe më tepër punë praktike, ose ngjashëm sikur edhe moshatarët e tyre në Britani të Madhe. Ndërsa, Qeveria do të sqarojë që rezultatet nga programi i ri janë autentike dhe i njëjti tani më aplikohet në 160 vende në botë. Ministri i atëhershëm për arsim, Spiro Ristovski do të thotë që edhe këta libra përdoren në 171 shkolla në Londër.

Në Maqedoni, me librat Kembrixh në arsim fillorë, mësimi nisi të mbahet në vitin 2014. Në vitin 2016 u paralajmëruan libra Kembrixh edhe për lëndë të caktuara në arsim të mesëm. Atëherë filluan edhe kundërshtimet e para. Gjithnjë e më tepër mësimdhënës dhe ekspertë nga akademia filluan ta sulmojnë procesin e programit të ri mësimor dhe librat. Mësimdhënësit ishin të pakënaqur nga shpejtësia me të cilën zbatohej programi dhe nga cilësia e librave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button