fbpx

Gjermania kërkon përditësimin e marrëveshjes për të ndalur emigrantët në Turqi

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas kërkoi përditësimin e marrëveshjes së migracionit mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për gazetën “Welt”, Maas theksoi nevojën për përditësimin e bashkëpunimit me Turqinë në çështjen e migracionit. Ministri gjerman tha se “Pavarësisht të gjitha vështirësive me qeverinë turke, duhet pranuar se ky vend ka marrë për ne barrën e migracionit e cila nuk mund të jetë e parëndësishme”.

“Në Turqi jetojnë rreth 4 milionë refugjatë sirianë dhe refugjatë të ardhur nga vende të tjera të rajonit”, tha Maas i cili shtoi se “Unë besoj se ne në BE kemi një interes të madh për zhvillimin dhe përditësimin e marrëveshjes së migracionit me Turqinë”.

Në pyetjen për dhënien e mbështetjes financiare nga BE-ja ndaj Turqisë në rast të një marrëveshjeje të re, Maas tha se “Nuk dua të jap ndonjë shifër por është plotësisht e qartë se kjo nuk do të jetë pa para”.

Pasi vuri theksin se në fund të fundit Turqia ka marrë përsipër një kosto të rëndësishme dhe se të tjerët janë kursyer nga kjo, Maas shtoi se kjo është një çështje lidhur me kujdesin për miliona njerëz.

Ai bëri të ditur se marrëdhëniet me Turqinë aktualisht janë relativisht konstruktive.

Ministri gjerman ka komentuar edhe fitoren e Ebrahim Raisit në zgjedhjet presidenciale në Iran. “Qeveria në Iran duhet të vendosë në thelb se në cilën rrugë dëshiron të shkojë”, tha Maas.

Maas potencoi se në negociatat e zhvilluara, Teherani ka dhënë përshtypjen se është i hapur për një rrugë konstruktive por se kjo do të shihet nëse Irani është apo jo i gatshëm të rikthehet në marrëveshjen bërthamore me SHBA-në.

– Konferenca e dytë për Libinë

Lidhur me konferencën e dytë për Libinë që do të mbahet më 23 qershor në kryeqytetin Berlin, Maas informoi se kjo do të jetë mbi zgjedhjet e planifikuara që do të mbahen në Libi më 24 dhjetor dhe për t‘i dhënë një shtysë të re tërheqjes së forcave të huaja nga vendi.

Ata që premtuan tërheqjen e forcave ushtarake nga Libia në takimin e mbajtur më parë në Berlin nuk e kanë zbatuar këtë, tha Maas i cili shtoi se forcat e huaja duhet të largohen nga vendi hap pas hapi dhe në mënyrë të barabartë që të mos shfaqet një çekuilibër ushtarak që një palë mund ta përdorë për një sulm të papritur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button