Borrell do t’i informojë ministrat e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë nisur të hënën (21 qershor) takimin e tyre në Luksemburg gjatë së cilit do të trajtojnë një sërë temash, që nga situata në Bjellorusi dhe deri te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë takim pritet që Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë i BE-së, Josep Borrell të njoftoj ministrat e 27 vendeve anëtare edhe me detajet e takimit mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq që u zhvillua javën e kaluar në Bruksel, transmeton REL.

Borrell, së bashku me të dërguarin e posaçëm për dialog, Mirosllav Lajçak, ishin mikpritës të këtij takimi të parë mes këtyre dy liderëve. Por, sipas burimeve diplomatike në Bruksel “Borrell nuk ka edhe shumë gjëra për të thënë” sepse takimi nuk ishte edhe aq produktiv duke pasur parasysh se palët kanë paraqitur qëndrime krejtësisht të ndryshme.

Gjithsesi BE-ja e sheh si të rëndësishëm vet faktin se takimi është mbajtur dhe se nga fundi i muajit korrik do të zhvillohet edhe një takim tjetër i këtyre dy liderëve.

Ndonëse ishte paralajmëruar muajin e kaluar se në këtë takim të ministrave të jashtëm do të ketë diskutime për rajonin e Ballkanit Perëndimor, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë sepse nuk ka pasur ndryshime që do të mund të krijonin hapësirë për ndonjë debat të suksesshëm.

Nesër, megjithatë do të diskutohet për procesin e zgjerimit në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së por pa ndonjë vendim të rëndësishëm.

Tashmë, sipas burimeve diplomatike, janë shuar të gjitha gjasat që në këtë takim të miratohen kornizat për negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo për shkak se Bullgaria nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi në rastin e Maqedonisë së Veriut dhe si pasojë disa vende tjera nuk kanë dashur që të nisen negociatat vetëm me Shqipërinë.

Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian të dyja këto vende kandidate i kanë përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit por vendimet për një hap të tillë merren në Këshill vëtëm nëse të gjitha 27 vendet anëtare pajtohen me një gjë të tillë.

Nesër do të zhvillohen edhe të ashtuquajturat konferenca ndër-qeveritare mes BE-së dhe Malit të Zi si dhe BE-së me Serbinë. Ato do të jenë vetëm të karakterit politik dhe nuk do të përfshijnë hapjen apo mbylljen e ndonjë kapitulli negociues.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button