fbpx

EURO 2020 DHE ORIENTALIZMI (1)

Konteksti covidian si shumë gjëra të tjera ka ndryshuar edhe agjendën sportive. Në bazë të vitit kur kompeticioni aktual i futbollit po mbahet, i njëjti do duhej pagëzuar EURO 2021. Sidoqoftë, në kohën kur jepet përshtypja sikur i kthehemi normales normale, po ndjekim spektaklin modern të sportit, “gjënë anësore më të rëndësishme në botë”, “dhuntinë hyjnore për njerëzimin”, “që shpesh ndjehet më thellë se feja” (F. Foer), futbollin që miliona njerëz mban të lidhur pranë ekranëve, të përqendruar në çdo lëvizje të 22 aktorëve të fushës së blertë. Shkaktar i këtij artikulli  është shkrimi i Jonathan Wilson-it nga gazeta britanike “The Guardian” (14 qershor 2021), i titulluar “Early signs point to Euro 2020 being a fresh triumph for West v East” (Shenjat e hershme tregojnë se Euro 2020 tregojnë për një triumf të ri të Perëndimit ndaj Lindjes). Në këtë kolumnë  ku theksi vihet te fitorja e Perëndimit ndaj Lindjes,  vërehen elemente të qarta të orienalizmit që përbën një nga ideologjitë politike mbizotëruese të shek. XVIII dhe XIX, që në vete ngërthen konceptime thjeshtëzuese, stereotipike dhe poshtëruese (Britannica, 2021), dhe që sipas shkollarit palestinezo-amerikan Edward Said është krijuar me qëllim të nënshtrimit dhe kontrollimit të Orientit/Lindjes (1978).

Orientalizmi Perëndimit i vesh cilësime pozitive, ndërsa Lindjen e paraqet si „tjetrin“, pra të kundërtën e këtij të parit. Kështu, në tekstet orientaliste, europiani përshkruhet si i arsyeshëm, i pjekur, normal dhe i virtytshëm, kurse lindori si i paarsyeshëm, fëminor, ndryshe dhe plot vese. (Pajaziti, 2009) Orientalizmi Lindjen e kthen në një objekt pasiv, për të cilin Perëndimi është njëherazi vepruesi, spektatori dhe gjykatësi. I njëjti ka qenë shtytës pas pushtimeve koloniale dhe është riprodhuar prej perëndimorëve, duke u “pasuruar” më tej me idetë raciste të darvinizmit shoqëror. Kolonializmi me formën e tij klasike ka përfunduar, kurse orientalizmi ende mbizotëron në hemisferën perëndimore dhe, i përcjellë me anë të mediave në të gjithë botën, strukturon e kufizon aftësitë tona të përfytytrimit dhe perceptimit të vendeve joperëndimore.

Tendencat për orientalizim janë prezente si në kulturën europiane, ashtu edhe në atë ballkanase: perëndimorët i orientalizojnë ballkanasit si të pacivilizuar dhe si Europë e Dytë, ndërkohë që vetë ballkanasit e orientalizojnë njëri-tjetrin. Sllovenët dhe kroatët kanë skemat e tyre përçmuese për serbët, boshnjakët dhe të tjerët poshtë lumit Sava, serbët dhe maqedonasit për shqiptarët, shqiptarët jomyslimanë për shqiptarët myslimanë që konsiderohen si trashëgimtarë të osmanëve apo si vazhdimësi e turqnisë. Teoritë e etiketimit të tjetrit vërehen thuajse në të gjitha fushat e jetës, nga kultura në politikë, nga shkenca në ekonomi deri në sport e më gjerë. Europianët kultivojnë paragjykimet se Europa Juglindore apo Ballkani Perëndimor e ka rëndë që të europianizohet siç duhet, në plotëkuptimin e fjalës. Në kokën e tyre përleshja mes Perëndimit dhe Lindjes europiane është permanente, gjë që vërehet edhe në shkrimin e Wilson-it që ka një qasje puro eurocentriste: “shtatë vendet e para në rangimin e kombëtareve sipas FIFA-s i zënë shtatë kombe europiane perëndimore dhe Brazili”. Sipas tij, gjatë 25 viteve të fundit apo më shumë, në futbollin e Evropës perëndimore janë bërë investime të mëdha për zhvillimin e të rinjve, qoftë përmes shkollave kombëtare të tilla si Clairefontaine afër Parisit, Tubize në periferi të Brukselit. Rezultati ka qenë industrializimi efektiv i prodhimit të talenteve, i cili ka rritur dominimin e Europës perëndimore në futboll.

“Turnetë evropiane për të rinj vazhdojnë të dominohen nga Spanja dhe Gjermania, pavarësisht nga përpjekjet e dukshme të Serbisë dhe Ukrainës, si ajo e fundit në Kupën Botërore për moshën nën-20. Një vështrim i skuadrave për këtë turne tregon thellësinë mahnitëse të Francës, Belgjikës, Gjermanisë dhe Anglisë.” Autori në këtë artikull e orientalizon madje dhe Kroacinë, një vend ky anëtar i BE-së. “Tri nga shtatë ndeshjet e para të Euro 2020 shpërfaqën përleshje mes ekipeve të Evropës perëndimore kundër atyre nga Lindja, fitore komode të të parave: Anglia mundi Kroacinë, Italia Turqinë, Belgjika Rusinë, Hollanda Ukrainën.” Ky elaborim është i përafërt me tezën për sistemin kulturor hegjemonik (hegemonic cultural system), me skemën për kundërshtarët jokompetitivë në futboll (uncompetitive footballing opponents). (Turksoy, 2019) (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button