Nita Grubi: Pianoja u bë instrumenti që më shoqëron gjatë gjithë këtyre viteve (VIDEO)

Nita Grubi, e lindur në Shkup, në familje me traditë muzikore. Që nga stërgjyshja e cila luante në fizarmonikë, gjyshi këngëtar, gjyshja e saj profesoreshë e lëndës së muzikës dhe prindërit muzikantë profesionistë. Nita ndoqi paralelisht shkollën fillore të përgjithshme dhe atë të muzikës në shkollën Ilija Nikollovski – Luj, në Shkup. Më pas u regjistrua në shkollë të mesme, me çka arriti shumë suksese dhe që atëherë filloi të merret më intenzivisht me muzikën dhe ushtrimet në piano. Nga momenti që Nita u regjistrua në fakultet, filloi në vazhdimsi të mbajë koncerte recitale, në vend dhe jashtë vendit. Momentalisht, është në studime pasuniversitare në klasën e prof. dr. Marija Gjoshevska në Fakultetin e Artit Muzikorë “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup, shkruan Portalb.

“Fillimet ishin me paraqitjen nëpër festivalet për fëmijë, ku shpërblehesha me çmime të para dhe të dyta. Gjithmonë entuziaste për muzikën dhe këndimin dhe e etur për të dalë në skenë. Natyrshëm erdhi edhe regjistrimi në shkollën e muzikës, me vetëdëshirë, pa asnjë insistim dhe sforcim nga ana e prindërve, të cilët janë profesorë të kësaj lëmie.” tha Nita.

Pianoja u bë instrumenti që e shoqëron gjatë gjithë këtyre viteve. Nita u rrit me admirimin e nënës së saj, Arjana Kuriu-Grubi, një pianiste e suksesshme. Nga vetë fakti që nëna e saj ishte pianiste, kjo krijoi një përshtypje te Nita si fëmijë, se instrumenti i pianos i takon femrave. Ndërsa, violina i përkiste gjinisë mashkollore. Kur u pyet Nita për paraqitjet e saj në skenë dhe arritjet e deritanishme, ajo tha:

“Duke filluar që nga koncertet që organizoheshin në kuadër të shkollës e deri te festivalet ndërkombetare në Itali, Hungari, Kroaci, Slloveni, Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Pjesëmarrje nëpër gara të ndryshme për piano, fituese e çmimit për interepretim me Filharmoninë e Kosovës, çmim special për ekzekutim të kompozitorëve Rachmaninoff dhe Scarlatti i dhënë nga pedagogu dhe pianisti Arbo Valdma (Estoni), fituese e Konkursit të Polifonisë në kuadër të Fakultetit të Artit Muzikorë në Shkup. Me një fjalë çdo paraqitje është një sukses në vete. Natyrisht, në këtë grup fus edhe recitalet të cilat më kanë rritur shumë në aspektin profesional.” u shpreh Nita Grubi.

Nita të premten e fundit mbajti një koncert recital në Filharmoninë Nacionale në Shkup. Në këtë mbrëmje ajo ekzekutoi Sergej Rechmaninoff, një kompozitor, pianist virtuoz dhe dirigjent rus shumë i rëndësishëm i fillimit të shekullit të 20-të.

“U paraqita me katër preludiume të tij të Op.23. Në vijim luajta kompozitorin austriak Franz Schubert dhe katër impromtut e tij  D899/ Op.90 , për të përfunduar me kompozitorin Aleksander Scriabin dhe Sonata Numer Dy Op.19 , e titulluar si Sonata Fantasia të cilën i është dashur pesë vjet për ta shkruar dhe më pas për ta publikuar. Ky koncert ka pasur rëndësi dhe përgjegjësi të madhe për mua, pasi që  përveç paraqitjes në skenë pas një kohe të gjatë, për shkak të pandemisë që na kaploi botërisht, njëkohësisht kam mbrojtur edhe pjesën e parë të magjistraturës.” tha Grubi.

Mesazhi që Nita përcolli për të gjithë artistët e rinj është:

“Mesazhi im për të gjithë artistët e rinj është që të vazhdojnë drejt qëllimeve të tyre, të mos ndalen së ëndërruari dhe çdo ditë të gjejnë diçka që i motivon dhe i shtyn përpara për të punuar drejt artit dhe të bukurës,ta bëjmë Shkupin si Salzburgu i Mocartit.” përmbylli Nita Grubi. 

Për të qenë një muzikant i suksesshëm, çelësi është dashuria e madhe për muzikën. Sipas Nitës, nëse don diçka me gjithë zemër, më pas lind dhe kurreshtja, dëshira për t’u perfeksionuar në atë lëmi. Përkushtimi i madh, orët e shumta të ushtrimeve, analiza i çdo note, përgatitja  dhe njohja e partiturës hollësisht të çon drejt suksesit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button