Ramos i dha fund aventurës me Real Madridin me trofe dhe fitore të paharrueshme

Gjersa bota e futbollit është përqendruar në Kampionatin Evropian EURO 2020, një lajm i papritur tronditi tifozët këtë javë kur kapiteni legjendar i Real Madridit Sergio Ramos njoftoi largimin e tij nga klubi spanjoll, shkruan Anadolu Agency (AA).

I konsideruar si një nga qendërmbrojtësit më të mirë të brezit të tij, Ramos u bë figurë e dashur për tifozët me etikën e tij të punës, personalitetin ambicioz dhe karakterin e tij të fortë. Karriera e tij e ngarkuar me trofe përfundoi në Madrid, ku ai kishte një karrierë të bujshme në klub që nga viti 2005, në një lamtumirë emocionale në të cilën ai nuk arriti t’i mbajë lotët derisa njoftonte largimin e tij.

“Do të kthehem këtu një ditë, jam i sigurt. Dua t’i them një falënderim të madh Real Madridit. Do t’ju mbaj gjithnjë në zemrën time”, tha ai.

Largimi i Ramosit ishte i papritur për tifozët pasi ai donte të qëndronte me klubin për t’i dhënë fund karrierës së tij. Megjithatë, kishte një mosmarrëveshje me ekipin në lidhje me zgjatjen e kontratës së tij dhe klubi vendosi kundër.

“Kurrë nuk kam menduar se kjo ditë do të vijë, por gjithçka ka një fillim dhe një fund”, shkroi ai në Twitter.

“Ti krijove një nga karrierat më të mëdha në historinë e klubit tonë. Për shumë vite, ishe model për tifozët tanë dhe pa dyshim, tani je një nga legjendat më të mëdha të Real Madridit”, tha presidenti i klubit Florentino Peres.

– Goli i parë në vitin 2005, i 100-ti më 2020

Duke bërë një transfer të madh me vlerë 27 milionë euro në Real Madrid nga Sevilla në vitin 2005, Ramos është në mesin e shënuesve më të mirë mbrojtës, duke shënuar 101 gola në 671 ndeshje.

Ramos, 35 vjeç, shënoi golin e tij të parë për Los Galacticos në një ndeshje të Ligës së Kampionëve të UEFA-s kundër skuadrës greke Olympiacos në vitin 2005.

Ndërkaq, ishte nëntori i vitit 2020 kur spanjolli shënoi të 100-tin me kokë në një ndeshje të grupeve të Ligës së Kampionëve kundër Inter Milanit të Italisë.

Ai luajti 671 ndeshje për ekipin e tij në 16 sezone dhe ngriti 22 tituj, duke përfshirë katër të Ligës së Kampionëve në vitet 2014, 2016, 2017 dhe 2018.

Mbrojtësi është pesë herë kampion në La Liga, 2007, 2008, 2012, 2017 dhe 2020, ndërsa ndihmoi Realin të fitonte katër trofe të Kupës Botërore të Klubeve FIFA në vitet 2014, 2016, 2017 dhe 2018.

– Pjesë thelbësore e ekipit kombëtar

Ramos ishte një nga anëtarët më të vlefshëm të ekipit kombëtar, duke shënuar 23 gola në 180 paraqitje.

Kapiteni mori pjesë në turnetë e Kupës Botërore 2006, 2010, 2014 dhe 2018 dhe kampionate evropiane 2008, 2012 dhe 2016.

Ramos ndihmoi vendin e tij të fitonte tituj në kampionatet evropiane 2008 dhe 2012, krahas Kupës së Botës 2010, por ai nuk është më pjesë e skuadrës spanjolle.

Ai u përball me lëndime gjatë sezonit 2020-2021 dhe u la jashtë skuadrës për EURO 2020 nga menaxheri Luis Enrique.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button