fbpx

CEFTA, disa aspekte tregtare dhe gjeopolitike

Dikur nuk mund të mendohej se një ditë shtetet e Ballkanit Perëndimor do të mund bëjnë shkëmbimin e mallrave dhe të mirave të tjera pa tarifa. Specialistët e ekonomisë thonë se marrëveshje të tilla i ndihmojnë zhvillimit ekonomik dhe uljes së varfërisë në Ballkanin Perëndimor. Nga shtetet e rajonit dhe të Evropës Qendrore janë nënshkruar marrëveshje të ndryshme tregtare dhe ekonomike. Një ndër më të rëndësishmet që edhe sot e kësaj dite është pjesë e së ardhmes së euro-integrimeve dhe bashkëpunimit tregtar në mes shteteve është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) e cila u krijua në muajin dhjetor të vitit 1992 si një marrëveshje tregtare e dalë nga Grupi i Vishegradit.

Origjina e sotme e  Grupit të Vishegradit lidhet me Mesjetën, aty nga viti 1335, kur Gjoni (John) i Luksemburgut, mbreti i Bohemisë, Karli I, mbreti i Mbretërisë së Hungarisë dhe Çadimiri III, mbreti i Polonisë, u takuan në Vishegrad për të forcuar marrëdhëniet diplomatike-ekonomike midis tre mbretërive më të forta të Evropës Qendrore. Pas Luftës së Ftohtë, CEFTA u projektua të mobilizonte përpjekjet e qeverive për t’u integruar në institucionet ekonomike dhe të sigurisë të Evropës Perëndimore. Nga dokumenti zyrtarë i themelimit, shihet se qëllimi i CEFTA-s është konsolidimi i demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë. Shtetet që bënë anëtarësimet fillestare në CEFTA ishin: Bullgaria, Kroacia, Çekia, Sllovakia, Polonia, Rumania, Hungaria dhe Sllovenia.

Anëtarësimet e po këtyre shteteve përfunduan kur të njëjtit u bënë anëtare të BE-së dhe sipas marrëveshjes së vitit 2006, CEFTA vendosi të mbulojë apo shtrihet në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Anëtarët aktualë të CEFTA-s janë: Shqipëria, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Molldavia, Mali i Zi, Kosova (me Rezolutën 1224 të OKB-së) dhe Serbia. Objektivat kryesore të CEFTA-s janë: Zgjerimi i tregtisë ndërkombëtare të mallrave dhe shërbimeve; nxitja e investimeve të huaja; eliminimi i pengesave teknike të tregtisë ndërmjet vendeve të CEFTA-s; sigurimi i mbrojtjes së të drejtave të pronës intelektuale, harmonizimi i dispozitave mbi politikën rajonale tregtare…

CEFTA ka për qëllim të liberalizojë gradualisht tregtinë jo vetëm të mallrave dhe shërbimeve, por edhe rritjen e investimeve dhe uljen e papunësisë duke e liberalizuar tregun e anëtarëve të CEFTA-s. Nga dokumentet e qëllimit të themelimit të CEFTA-s vërehet se anëtarët kanë për objektiv zhvillimin e një tregu të përbashkët, por jo një bashkim doganor derisa vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE. Kryesuese e zyrës është Maqedonia e Veriut, ndërsa Sllovenia kryeson me Sekretariatin e Përgjithshëm. CEFTA përfshinë një popullatë mbi 20 milionë banorë dhe me një vlerësim total të prodhimit bruto (PBB-së-PPP) për vitin 2020 që shkon deri në 323 miliardë dollarë amerikanë.

Duhet specifikuar se CEFTA-s që nga fundi i vitit 2020 tentohet të bëhet një treg unik. Plani i veprimit u miratua nga udhëheqësit e WB-6 duke u bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, për të rritur konkurrencën dhe për ta ofruar rajonin e Ballkanit me BE-në. Plani i veprimit i CEFTA-s përcakton hapat e para drejt krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal me Zonën Rajonale të Tregtisë, duke u bazuar në fushën digjitale, investimet, zbulimet në shkencë dhe përpjekjet për një industri të zhvilluar për të ulur papunësinë. Për më shumë, tregu rajonal do të bënte uljen e kostos tregtare dhe lehtësonte pengesat burokratike. Një union tregtar i bazuar në një konkurrencë të ndershme ekonomike do të mirëpritej nga tre fuqitë e respektuara në rajon SHBA, Gjermania dhe Turqia dhe padyshim kjo do të ishte si mbulesë tregtare e sigurisë kundër Kinës dhe aktorëve tjerë. Propozimi i  kryeministrit të Kosovës A. Kurti që CEFTA të ndryshojnë në SEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Juglindore) gjithashtu zë vend dhe duhet marrë në konsideratë nga BE-ja, themeluesit dhe shtetet aktuale anëtare të CEFTA-s.

Nga ana tjetër, pasi shtetet e rajonit bashkë me Fuqitë e Mëdha po hyjnë në një konkurrencë të re gjeo-ekonomike, LNG (Gazi i Lëngshëm Natyrorë) me terminalet në Greqi do të kishte ndikim të madh gjeopolitik, kurse përfitimet ekonomike të shteteve të CEFTA-s- SEFTA-s do të krijonin një hapësirë të madhe shkëmbimesh dhe stabiliteti i rajonit do të rritej. Por, pa një kontroll të Serbisë ose tendencave ekonomike serbe, balanca do të lëkundej dhe roli i CEFTA-SEFTA-s do të ishte minimal ose pothuajse i ndikuar nga fuqitë si Kina apo Rusia.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button