OKB-ja kërkon të ndalohet shitja e armëve për Birmaninë

Kombet e Bashkuara kanë bërë një thirrje të pazakontë, duke kërkuar që të ndërpritet shitja e armëve për Birmaninë, si kundërpërgjigje ndaj dhunës së përdorur nga ushtria këtë vit pas grusht-shtetit, shkruan Koha.net.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që dënon juntën ushtarake, e cila përmbysi qeverinë e zgjedhur të vendit më 1 shkurt të këtij viti.

OKB-ja po ashtu ka bërë thirrje për lirimin e të burgosurve, duke përfshirë këtu edhe lideren e zgjedhur në nëntor të vitit të kaluar, Aung San Suu Kyi, dhe për përfundimin e dhunës kundër protestuesve paqësorë.

Ndërsa nuk është ligjërisht e detyrueshme, rezoluta është politikisht e rëndësishme.

“Rreziku i një lufte civile është real”, i ka thënë Asamblesë së Përgjithshme, e dërguara e posaçme e OKB-së në Birmani, Christine Schraner Burgener.

Rezoluta është mbështetur nga 119 shtete, derisa Bjellorusia ishte e vetmja që ka votuar kundër ndërkohë që 36 shtete kanë abstenuar, duke përfshirë këtu Rusinë dhe Kinën, të cilat janë dy shtetet më të mëdha furnizuese me armë për Birmaninë.

Disa prej këtyre shteteve që kanë abstenuar kanë deklaruar se kriza është çështje e brendshme e Birmanisë.

Një grup monitorues ka bërë të ditur se ushtria në Birmani ka vrarë më shumë se 860 persona dhe ka arrestuar më shumë se 5,000 të tjerë që nga grusht-shteti i shkurtit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button