U arrestua shoferi i kamionit nga Maqedonia e Veriut, brenda të cilit u gjetën 300 kg kokainë në Durrës

Një sasi e konsiderueshme kokaine është bllokuar në Portin e Durrësit ndërsa shoferi është arrestuar. Droga ishte fshehur në një kamion me targa të Maqedonisë së Veriut dhe që po kalonte tranzit në vendin tonë. Kamioni i ngarkuar me hekur, kishte si destinacion Napolin në Itali, raporton EN.

Zbulimi i sasisë së madhe të kokainës erdhi pas dyshimeve të krijuara nga Task-Forca e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare, Policia Kriminale dhe autoritetet doganore të Portit duke kaluar kamionin për kontroll të detajuar në vijën e dytë.

Gjatë kontrollit të imët të ushtruar në mjetin që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Task Forca gjeti të fshehur në trupin e kamionit, një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës u arrestua në flagrancë drejtuesi i kamionit, Nazif Ajrofski, 40 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut. Grupi hetimor vijon veprimet për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Drejtuesi i kamionit gjatë marrjes në pyetje është shprehur para policisë se nuk ka pasur dijeni për prezencën e sasisë së kokainës në kamion. Ai ka thënë se ishte në dijeni vetëm për materialet e hekurit që po transportonte. Nga të dhënat e policisë rezulton se kamioni kishte hyrë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut një ditë më parë.

Kamioni ka ndjekur një itinerar të gjatë për të mbërritur në Portin e Durrësit pasi është nisur nga Belgjika për të kaluar në Serbi, RMV dhe më pas Shqipëri.

Kokaina ishte fshehur në pjesën e kokës së kamionit. Kokaina ishte e paketuar në sasi të vogël, që mbanin logo të ndryshme. Në disa raste janë përdorur logo të një kompanie të njohur për prodhimin e parfumeve, të ekipit të njohur të futbollit PSG, logo të ekipit të basketbollit në SHBA, Chikago Bulls, markë pijesh alkoolike, etj.

Në Portin e Durrësit janë bllokuar gjatë viteve të fundit sasi rekord kokaine. Në vitin 2018, u bllokuar një sasi prej 613 kg kokainë. Në maj të këtij viti, në një kamion që kaloi nga Porti i Durrësit me destinacion Kosovën, u bllokua një sasi prej 150 kg kokainë.

Sasia e drogës që u kap në Lipjan të Kosovës në një ngarkesë mish pule e shkarkuar në portin e Durrësit, ishte paketuar me adeziv dhe mbi të qe stampuar marka e njohur braziliane e pijeve alkoolike “Velho Barreiro”, logo që shihet prezente dhe në pakot e sekuestruara sot në Durrës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button