fbpx

8 vite në krye të Tetovës, qyteti ende në “kaos” urbanistik për shkak se Arifi nuk i realizoi premtimet

As në mandatin e dytë qeverisës të kryetares së komunës së Tetovës, Teuta Arifi, nuk u rregullua një ndër problematikat më të theksuara të kësaj komune, që është kaosi urbanistik dhe mungesa e vendeve të parkimit. Disa muaj më herët kryetarja promovoi nënshkrimin e kontratës për parkingun në kate ndërsa sot për Portalb.mk deklaruan se janë “skeptik” që ky projekt do të realizohet. Në këtë drejtim, nuk është përmbushur as premtimi për bulevardin “Bllagoja Toska”, funksionalizimi transportit publik apo zgjerimi parkimit zonal, shkruan Portalb.mk.

Parkingu në kate dhe nëntokësore – premtim i parealizuar

Pa u konsultuar me banorët e lagjes, kryetarja e komunës së Tetovës disa muaj më herët nënshkroi me kompaninë “Eurovia” kontratë për ndërtimin e një parkingu në kate i cili do të kushtonte rreth 820.000 euro, gabimet në hapa i kushtuan Arifit që banorët e lagjes përmes një peticioni të mos lejojnë fillimin e punimeve.

Menjëherë pas peticionit me rreth 300 nënshkrime për mos-ndërtimin e parkingut në kate pasoi kundër peticioni nga qytetarë të cilët kërkonin ndërtimin e parkingut në kate në atë vend.

Parkingu në kate, Tetovë.
Parkingu në kate, Tetovë.

Kjo situatë, ka ndryshuar për 360 shkallë planet e komunës së Tetovës, nga atje sot deklaruan se nuk janë të sigurt që ky projekt do të realizohet gjatë këtij mandati, në pyetjen se a ka deri tani marrëveshje mes palëve, zëdhënësi i komunës potencoi se nuk ka.

“Ende jo, deri tani nuk ka pasur mirëkuptim mes palëve për parkingun. Jam skeptik por do të shohim se si do të dalë biseda deri në fund” deklaruan nga komuna e Tetovës për Portalb.mk.

Një nga iniciatorët për peticionin i cili ndërpreu punimet për parkingun në kate, që deshi të qëndrojë anonim, theksoi se është i kënaqur me faktin që punimet janë ndërprerë, megjithatë, tha se askush nga komuna nuk e ka kontaktuar për ndonjë kompromis të mundshëm.

“Jo, deri tani askush nga komuna e Tetovës nuk më ka ftuar që të ulemi dhe të bisedojmë në lidhje me peticionin tonë. Jam i kënaqur që punimet janë ndërprerë sepse ai vend nuk është për parking në kate, nuk është në rregull që rreth 1 milion euro të harxhohen për rreth 50 vende parkimi më shumë se që ka aktualisht aty” tha një ndër nënshkruesit e peticionit kundër ndërtimit të parkingut në kate pas “Tivolit”.

Nuk u zgjerua parkimi zonal, ashtu siç u premtua

Edhe premtimi për zgjerimin e parkingut zonal deri te “ëmbëltorja taksi” nuk është realizuar edhe pse kryetarja Arifi një gjë të tillë e premtoi në “Debat për nime” të Kallxo.com në bashkëpunim me Portalb.mk.

“Premtojmë zgjerimin e parkingut ekzistues zonal, zonës A dhe zonës B, përveç zgjerimit të parkingut zonal në rrugën deri tek ëmbëltorja taksi dhe në bulevardin “Blagoja Toska”, janë 300 vende parkimi. Afati për këtë është në 1 vjeçarin e parë” premtoi Arifi.

Megjithatë, “gabim në hapa” i rezultoi edhe ky premtim, pasi që sot që flasim kryetarja Arifi potencoi që premtimi nuk është mbajtur për shkak se nuk i është dhënë leja e nevojshme nga ana e Ministrisë për Punë të Brendshme ngaqë ajo rrugë është vlerësuar si e ngushtë.

Nuk është hapur bulevardi “Bllagoja Toska” – që premtohet nga 2013

Një prej projekteve e cila cilësohet si kryesore për lehtësimin e komunikacionit në Tetovë është padyshim hapja e bulevardit “Blagoja Toska”. Deri tani, edhe pse Qeveria e RMV-së ka lëshuar vazhdimisht mjete financiare për këtë, ky projekt nuk është finalizuar, madje as nuk kanë filluar punët.

Vendi ku planifikohet ndërtimi i bulevardit "Blagoja Toska", Tetovë.
Vendi ku planifikohet ndërtimi i bulevardit “Blagoja Toska”, Tetovë.

Rikujtojmë se në prononcimin e fundit të kryetares Arifi, në televizionin Klan Maqedoni, ajo premtoi që punët ndërtimore në terren për hapjen e këtij bulevardi pritet të fillojnë në fund të muajit qershor, pasi që sipas saj, punët formale tashmë janë kryer ndërsa mjetet financiare janë siguruar.

“Është paraparë që në fund të muajit qershor të fillohet me punë për hapjen e bulevardit Bllagoja Toska”. Deri në fund të këtij mandati ai bulevard do të hapet, flas për pjesën deri tek shkolla tekstile” deklaroi Arifi.

Ndryshe, Komuna e Tetovës ka përfituar gjithsej 42.6 milion denarë të cilat do të shfrytëzohen për punët ndërtimore për hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska”.

Autobusët “flejnë” në parking për 6 muaj, ky premtim pjesërisht është realizuar

Edhe pse kanë kaluar gati 6 muaj nga koha kur pesë autobusë për transport publik arritën në Tetovë, këta mjete transportuese ende nuk janë parë duke qarkulluar në qytet.

Autobusët e Tetovës.
Autobusët e Tetovës.

Përderisa drejtori i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, Darko Spirovski, është duke pritur një regjim të ri për komunikacionin në Tetovë në mënyrë që autobusët të fillojnë me qarkullim, pasi sipas tij aktualisht nuk ka kushte për këtë. Nga Sektori i Komunikacionit në Tetovë nuk e kanë ndërmend një gjë të tillë, theksojnë se është i njëjti regjim i përgatitur 2 dekada më herët, pranojnë se do të ketë problem me saktësinë e orës së arritjes së autobusit nga njëri destinacion te tjetri, për këtë fajësojnë ligjin për legalizim. 

Premtimin për transportin publik në Tetovë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e dha në mandatin e saj të parë në Programin për zgjedhje lokale të vitit 2013 “Ndërtojmë së bashku“,  ndërsa të njëjtën e përsëriti dhe në debatin e organizuar nga “BIRN Kosovë” dhe “Portalb.mk” në tetor të vitit 2017.

Premtimi për hapjen e bulevardit “Industrial” është realizuar

Bulevardi “Vidoe Smilevski – Bato” apo vazhdimi i bulevardit industrial në prill të këtij viti zyrtarisht është promovuar nga kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi. Kjo rrugë ka kushtuar gjithsej 1 milion euro ndërkaq mjetet janë siguruar përmes bankës botërore, Arifi potencoi se qëllimi kryesor është largimi i veturave nga pjesa qendrore e qytetit.

Bulevardi “V.S Bato”.
Bulevardi “V.S Bato”.

Ky bulevard është një ndër arteriet kryesore të komunikacionit për trafikun e stërngarkuar të Tetovës, i njëjti tash disa muaj ka filluar të shfrytëzohet nga qytetarët edhe pse zyrtarisht nuk ishte lëshuar në funksion deri sot.

Ndryshe, aktualisht komunikacioni në Tetovë është në gjendje jo të mire ndërkaq marrë parasysh se jemi në sezonin veror, me ardhjen e mërgimtarëve pritet që gjendja në komunikacion të vështirësohet ende më shumë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button