fbpx

Sipas ekspertëve, gjasat që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat në qershor janë minimale

Edhe përkundër vizitës dhe takimeve të kryeministri, Zoran Zaev me krerë të lartë shtetëror, gjasat që Maqedonia e Veriut të marrë dritë jeshile për fillim zyrtar të negociatave më 22 qershor janë shumë të vogla. Kështu i vlerësojnë ekspertët zhvillimet e fundit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, sipas të cilëve qëllimi i vizitës së djeshme ishte përmirësimi i raporteve mes dy palëve. Analisti Selim Ibraimi, deklaroi për Portalb.mk se, edhe pse nuk ka asgjë konkretet nga kjo vizitë, kjo gjë duhet parë si ndërrim taktike.

Selim Ibraimi
Selim Ibraimi

“Kjo mund të jetë rruga më e shpejtë për tu arritur marrëveshja në mes dy shteteve, ndryshe Komisionet ndërshtetërore do të bien nën ndikimin e grupeve që nuk dëshirojnë marrëveshje dhe stërzgjatje të problemit. Edhe pse nuk kemi gjë konkrete nga delagacioni maqedonas, hapi duhet parë si ndryshim në taktikë e jo në strategji e cila sigurisht se nuk do të sillte ndërrime në raportet e përkeqësuara që nga viti i kaluar:, tha ai.

Ibraimi më tej ka shtuar se, arritja e një marrëveshje mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nuk mund të arrihet pa presion të jashtëm.

“Diplomacia fluturuese e Zaevit gjithashtu ka për qëllim që të identifikojë raportin e forave politike në Bullgari deri në arritjen e marrëveshjes e cila pa një presion të jashtme dhe negociata të  fshehta nuk mund të arrihet. Angazhimi i Zaevit në proces do të japë rezultate të kënaqshëm për të dyja palët, por jo për politikën e brendshme.  Po që se do të kemi involvim grek, serb dhe të shteteve mike të MV -së  në prapaskenat diplomatike, do të interpretohet nga Sofja zyrtare si një bllok kundër interesave bullgare. Andaj qeveria dhe ministria e Jashtme duhet pasur kujdes nga veprimet anti bullgare që do të mund të ndërlikojnë problemin në mes dy vendeve”, deklaroi Selim Ibraimi.

Petar Arsovski
Petar Arsovski

Ndërsa, analisti Petar Arsovski, tha për Portalb.mk, se vizita e djeshme e kryeministrit, Zoran Zaev më Sofje, është një tentim i fundit për të gjetur zgjidhje për kontestin me Bullgarinë, para samitit të BE-së, i cili mbahet javën e ardhshme

“Vizita e Zaevit në Sofje është tentimi i fundit të bëhet ndonjë lëvizje para 22 qershorit. Strategjia e dytë, nëse nuk ka sukses më 22 qershor, raportet me Bullgarinë të lihen pak më të përmirësuara që të mundet që në prag në pritjes së Qeverisë politike pas 11 gushtit të bëhet ndonjë lëvizje. Këto janë dy qëllimet, nëse tani arrijmë sukses, nëse jo të lihen raportet në njëfarë dinamikë më të mirë që eventualisht kur të vijë qeveria politike, këtë çështje ta tejkalojë. Shanset janë shumë të vogla që më 22 qershor të fillojnë negociatat, duke pasur parasysh pozicionin e palës bullgare madje edhe pas vizitës së Zaevit, mendoj se shanset për atë janë minimale”, tha Arsovski.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev të enjten ka qëndruar në Bullgari në përpjekje për të arritur një marrëveshje me Sofjen para samitit të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të BE-së, më 22 qershor në Luksemburg. Pas takimit në Sofje me kryeministrin bullgar në detyrë, Stefan Janev, kryeministri maqedonas tha se kapërcimi i dallimeve mes dy vendeve është i mundur, por se për këtë nevojitet përkushtim nga të dyja palët.

Ndërkohë, kryeministri bullgar, Janev tha se Bullgaria mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, por edhe ai nuk dha detaje mbi rrjedhën e bisedimeve dhe kushtet e palës bullgare për të hequr veton e fillimit të bisedimeve të anëtarësimit evropian.

Zaev të enjten ka zhvilluar takime dhe me drejtues tjerë të lartë shtetëror bullgarë përfshirë edhe presidentin Rumen Radev, i cili siç ka bërë të ditur presidenca bullgare ka theksuar “nevojën për dialog të drejtpërdrejtë dhe të hapur për të arritur përparim real me Maqedoninë e Veriut”.

Por, ish-kryeministri bullgar, Bojko Borisov, i ka thënë Zaevit se “nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje midis Shkupit dhe Sofjes, brezat e ardhshëm të të dyja vendeve do të urrejnë njëri-tjetrin dhe nuk do të realizohen projekte të rëndësishme në infrastrukturë”.

Kryeministri maqedonas ndërkohë ka paralajmëruar mundësinë që para anëtarësimit në BE, Maqedonia e Veriut të ndryshojë kushtetutën me qëllim që edhe pakica bullgare të jetë pjesë e preambulës së aktit më të lartë juridik në vend. Pavarësisht toneve pozitive, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka bërë të ditur se ende nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button